E Diel, 1 Nëntor 2026

Simbole te turbullt

18/12/2004  Artan FUGA

Simbole të turbullt

« Në shtëpinë e të varurit nuk flitet për litar »

Muaji nëntor si muaj festash është i mbushur me një simbolikë të veçantë.

Nga njera anë u kryen festime zyrtare që u materializuan në veprimtari dhe ceremoni të ndryshme. Ato u zhvilluan në bazë të kuptimeve që nëpunës të ndryshëm të shtetit kanë mbi simbolikën kombëtare. Nga ana tjetër pamë kundërveprimin opozitar që lexoi në ato ceremoni simbole e kuptime krejt të tjera nga ato të pushtetit. Pastaj erdhën një radhë analizash të bëra nga njerëz më pak të ndërfutur në politikë ku festa dhe simbolika e tyre, ceremonitë e ndryshme, u lexuan akoma edhe më ndryshe.

Situata u ndërlikua edhe më tepër.

Diçka dihet me siguri. Simbolika e disa festave apo përkujtimeve bazë te ne është bërë disi e turbullt dhe e dyzuar. Leximi tradicional i saj, i përshtatshëm dhe rutinor për një pjesë të popullsisë, nuk i përshtatet aspak pjesës tjetër që ka një kuptim krejt të kundërt dhe ruan një kujtesë tjetër historike.

Është detyrë e shërbimeve protokollare të shtetit që t’a korrigjojnë sa më shpejt këtë gjendje duke bërë të mundur që pak e nga pak leximi i simbolikës themeltare të kombit të fitojë një farë uniteti të domosdoshëm. Kjo arrihet edhe duke lënë disi mënjanë apo zbehur kuptime që shokojnë, prekin ose pezmatojnë pjesë të ndryshme të popullsisë.

Nuk thotë populli : « në shtëpinë e të varurit nuk flitet për litar ».

Festa nuk bëhet thjesht nisur nga disa të vërteta. E vërteta dhe simbolika janë ndonjëherë dy gjera krejt të ndryshme. Festat janë mbi të gjitha një çast uniteti dhe bashkimi. Përndryshe më mirë mos bëhen fare. Nuk është thënë më kot se uniteti i një kombi qendron tek varrezat e dëshmorëve dhe martirëve të tij. Nuk forcohet kujtesa e përbashkët kombëtare thjesht duke tjerrur përafrime historike teorike të gjata. Populli nuk ka kohë t’i lexojë ato. Simboli është një mjet unifikues shumë efikas që futet në jetën e përditshme me kuptimin e përbashkët që i jepet atij dhe ndiqet në formë rituali, shoqëruar me përjetime emocionale duke u ndarë me të afërmit, fqinjët, bashkëqytetarët.

Tregojnë se në luftën e Parë Botërore, që ka qenë mëse e përgjakshme, një natë dimri ushtarët gjermanë dhe ata francezë dolën nga transhetë ku ishin ngujuar prej muajsh të tërë dhe prej nga ku vrisnin pa mëshirë njeri tjetrin dhe u vëllazëruan.

Vetëm për një natë.

Ishte nata e krishtlindjeve.

Një ushtar gjerman del mbi llogore me një bredh në dorë dhe pas tij qindra ushtarë të kampeve armiqësore u përqafuan. Të nesërmen lufta vazhdoi po aq e përgjakshme. Por simboli i përbashkët, për aq sa veproi, pati një efekt të çuditshëm bashkues.

Maratonomaku dhe nënë Tereza

Është përkujtuar dita e lumturimit të nënë Terezës.

Simboli i saj është universal dhe i takon të gjithë njerëzimit për nga vlerat e veta. Nënë Tereza manifeston në origjinë virtytet më të mira të qytetërimit tonë dhe të prirjeve të tij të thella drejt së mirës, mirëkuptimit dhe solidaritetit. Sidoqoftë duhet të mbajmë parasysh se misioni i saj është kryer brenda një konceptimi fetar të caktuar dhe një besimi fetar që e ka frymëzuar. Simbolika e saj duke qene njerëzore, ka edhe një kuptim të veçantë spiritualist që vjen nga krishtërimi katolik. Kjo duhet respektuar me dinjitet.

Ky aspekt është lënë mënjanë nga organizuesit e festës zyrtare që në këtë rast ka qenë ministria e kulturës, rinisë dhe e sporteve. Po në atë ditë që përkujtohej nënë Tereza, për nder të saj, zhvillohej edhe një veprimtari sportive që quhet maratona e popujve ku të rinj dhe të reja, në fakt individë nga të gjitha moshat, thonë se ka pasur edhe të huaj, bëjnë vrapimin e tyre maratonomak mbi bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Kjo veprimtari është në fakt tepër interesante. Ushtrimi fizik, kalitja, shëndeti, sporti kolektiv amator, i përhershëm, bën pjesë në vlerat e qytetërimeve moderne. Por, të vraposh është njera anë. Të dish është diçka krejt tjetër. Të dish pra se përse po vrapon, për ku po e mban vrapin dhe në ç’kohë po vrapon. Jo gjithmonë kultura është e lidhur me sportin.

Puna është se nuk ka fare vend që maratona e popujve apo çdo lloj maratone tjetër të zhvillohet në po atë ditë që përkujtohet edhe lumturimi i nënë Terezës. Duhen gjetur dy ditë të ndryshme, sepse simbolet që përfaqësojnë nënë Tereza dhe maratonomaku nuk kanë të bëjnë fare me njeri tjetrin.

Në një farë kuptimi ata janë të kundërt me njeri tjetrin. Burimi i tyre shpirtëror gjendet në kultura civilizimesh të ndryshme dhe nuk mund të lejohet që institucionet tona shtetërore të kulturës t’i përzjejnë ato. Nënë Tereza vjen nga spiritualizmi katolik. Ajo dëshmon në rradhë të parë simbolikën e forcës shpirtërore mbi atë trupore, të solidaritetit dhe paqes mbi çdo lloj ndarjeje dhe lufte, bukurinë e shpirtit që i tejkalon mundësitë e trupit, mbisundimin e vlerave universale mbi materien dhe dobësitë e trupit : sëmundjet, epidemitë, varfërinë, etj. Ndërkaq mesazhi i maratonomakut vjen nga kultura e lashtë e antikitetit grek. Ai është një mesazh gjithashtu i lartë, por s’ka të bëjë fare me atë të një kulture tjetër që ka ushqyer moralin e nënë Terezës. Gëzimi i fitores mbi armikun, festa e triumfit luftarak, rezistenca trupore, suksesi si ushqim për rezistencën trupore, përballimi i kundërshtarëve dhe mbrojtja e lirisë politike duke vënë në përdorim kurajon e luftëtarit që vret kundërshtarin e tij, trimërinë e tij që përballon luftën – ndërthuren bukur te simboli i maratonomakut.

Por, maratonomaku s’ka të bëjë me nënë Terezën.

As nënë Tereza nuk ka të bëjë me maratonomakun.

Simbolet janë përzjerë në mënyrën më të papërshtatshme. Nënë Tereza përcjell mesazhin se mund të ketë shpirt të shëndoshë edhe në nje trup të dobët dhe të drobitur. Mararatonomaku na thotë se mendja dhe shpirti i shëndoshë ndodhen në një trup të shëndoshë. Mbase ka të drejtë edhe ky i fundit, por sidoqoftë jo në atë ditë kur ne përkujtojmë etikën e nënës Terezë që ka edhe ajo të vërtetën e saj të madhe. Dy mesazhe të kundërt sado të vërtetë dhe të mëdhenj nuk mund te festohen brenda një kuadri festiv dhe as në një ditë të vetme. Përndryshe do të notojmë në një simbolikë të turbullt.

Është njësoj sikur për ditën e pashkëve të urohet bajrami.

Apo për bajram të thuhet « gëzuar pashkët ! »

Mbreti vdiq, rroftë mbreti

Me rastin e festave të nëntorit u shpall i hapur për vizitorët edhe Pallati i Brigadave, dikur pallati i mbretit Zog.

Iniciativë e bukur. Ideja duhet përshëndetur dhe zgjeruar.

Pavarësisht se sa vetë e vizituan këtë vit ka rëndësi diçka tjetër, fakti që monumentet, vendet, ndërtesat që bartin një kujtesë të caktuar historike bëhen më të kapshme për qytetarët. Sigurisht që kjo është marrë nga përvoja e vendeve të ndryshme perëndimore që prej kohësh e zbatojnë këtë praktikë duke e hapur thesarin e tyre historik dhe kulturor për vizitorët e shumtë. Por, kjo atje ndodh në ditët kulturore që quhen ditët e thesarit kulturor të kombit. Kurse ne kemi gjetur ditë simbolikisht të papërshtatshme. Dhe një praktikë e dobishme e kryer në një ditë jo fort të gjetur e turbullon simbolin.

Hapja e Pallatit të Brigadave pikërisht më datën 29 nëntor i jep ngarkesë tejet të politizuar një ngjarjeje të mirëpritur kulturore.

Dhe në fakt çfarë lidhje mund të ketë midis Pallatit të Brigadave dhe 29 nëntorit ?

Lidhur me këtë pyetje mund të bëhen dy hamendje.

E para : Sipas historisë del se mjaft partizanë që u pozicionuan në kryeqytet, kishin luftuar për çlirimin e tij dhe parakaluan në bulevardin e Tiranës më 29 nëntor 1944, e kishin kthyer këtë Pallat në vend strehimi, vend perqendrimi, prapavijë, vend fjetjeje etj. Letërsia ka krijuar fiksionin se edhe partizani Meke fjeti në sallat e atij pallati. Më shumë thonë se deshi vetëm sa të shtrihej pak sa për të mbyllur sytë, sepse nuk e zinte gjumi. Fantazma e mbretit i dilte përpara si Hamletit. Por, po të ishte kjo lidhja që bëhet atëhere ajo është e mirëfilltë politike. Këtu do të qendronte edhe turbullimi i simbolit.

Festimi i 29 nëntorit në këtë rast do të merrte kuptimin e përkujtimit të ushtrimit të forcës partizane mbi monarkinë.

Dita e 29 nëntorit do ta zbehte kështu përmasën e çlirimit kombëtar që simbolizon dhe do të merrte një përmasë tejet të politizuar duke ngacmuar kështu drejtpërdrejt kujtesën dhe nëndërgjegjen kolektive të një pjese të popullsisë që është e ndjeshme në këtë drejtim.

Në fakt 29 nëntorit 1944 dhe rrëzimi i monarkisë nuk kanë ndonjë lidhje institucionale. Mbreti kishte ikur nga vendi një ditë përpara pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Ndërsa shfuqizimi de jure i monarkisë së Zogut ishte bërë paturpsisht nga kolaboracionistët shqiptarë qysh në vitin 1939. Nga ana e komunistëve, pasi u bë disi në 24 maj 1944, u ribë përfundimisht edhe më 11 janar 1946. Por, gjithësesi, jo më 29 nëntor 1944.

Hamendja e dytë na çon tek ideja se ndofta hapja e Pallatit të Brigadave më 29 nëntor 2004 për turistët shqiptarë nuk kishte të bënte me faktin se ai kishte shërbyer si place d’armes për partizanët e hyrë në Tiranë, por lidhet me kujtesën historike që ky kompleks arkitekturor ngërthen në vetëvete. Pra, ka të bëjë me faktin se ai ka qenë pallati i mbretit ose i destinuar per mbretin. Sikurse njofton shtypi, gjatë vizitave të qytetarëve në Pallat (ndërkohë që atje ishin të pranishëm edhe zyrtarë të lartë të shtetit), ciceroni tregonte mjediset ku kishte banuar mbreti dhe familja mbretërore.

Këtu nuk asgjë të çuditshme. Biles ka për t’u përshendur. Historia duhet mësuar dhe treguar. Por problemi është se kthimi i vëmendjes drejt një kujtese historike mbretërore dhe honorifikimi i vlerave të saj institucionale dhe arkitekturore duhet bërë në një ditë të gjetur mirë simbolikisht. Sidomos, jo me rastin e një përvjetori politik si ai i 29 nëntorit. Domethënë nuk shkon që nga njera anë, në këtë ditë, ish partizanët që shkelën mbi pallatin mbretëror të parakalojnë mbi bulevard dhe po atë ditë të gjendet rasti të sillet në kujtesë edhe simbolika arkitekturore apo institucionale mbretërore duke e shndërruar ish Pallatin në një vend pelegrinazhi.

Dy simbole të kundërt që përplasen në të njejtën ditë.

Mbreti vdiq, rroftë mbreti.

E njejta gjë ndodhi edhe me hapjen e institucioneve apo të godinave të disa institucioneve zyrtare. Njera nga të dyja :

Ose janë hapur godinat që të hyjnë vizitorët për të parë thesaret arkitekturore te tyre, ose janë hapur institucionet që t’i vizitojnë qytetarët e lirë.

Pra kemi të bëjmë ose me një akt kulturor ose me një akt politik.

Ose me një hapje kulturore, ose me një hapje politike.

Cila nga të dyjat është ?

Turbullira simbolike mbetet e padavaritur.

Nëse kemi një hapje kulturore me qëllim që turistët të vizitojnë godinat e institucioneve dhe pasuritë kulturore të tyre, atëhere mbetesh i habitur se përse kjo ndodhi ditën e një feste politike. Po të mos ishte pra një hapje institucionale, po vetëm një hapje kulturore, pyetet : përse nuk u hapën atëhere të gjitha godinat e tjera ku ka vlera arkitekturale ? Pastaj, si godina ato datojnë përpara 29 nëntorit 1944, pra s’kanë fare lidhje me këtë datë.

Nëse nuk kemi një hapje kulturore, por politike, pra s’janë hapur godinat por institucionet, dhe ata që hyjnë atje nuk janë turistët por qytetarët, atëhere përsëri simbolika është ndërtuar gabim. Pyetet : çfarë lidhje kanë institucionet e shtetit të sotëm me 29 nëntorin që simbolika festive i lidhi disi me njera tjetrën ? Duke u hapur ditën e 29 nëntorit, institucionet e sotme simbolikisht nënkuptohen si vazhdimësi e atyre që u themeluan pas ngjarjes së 29 nëntorit 1944. Ndërkohë që vetëm një lexim i thjeshtë i kushtetutës së sotme shqiptare të ndihmon për të kuptuar se midis tyre nuk ka asnjë lidhje, ose të paktën ligjërisht nuk ka asnjë lidhje. Nuk ka vazhdimësi, por ka ndërprerje institucionale.

28 minus 29 nuk bëjnë dot megjithatë 17

Në fakt, mesa duket nuk ka asnjë argument të mjaftueshëm që data e 29 nëntorit 1944 të mos jetë ajo e çlirimit të Shqipërise. Argumentet që u dhanë kundër saj nuk kanë mjaftuar aspak për t’a bashkuar atë simbolikisht me 28 nëntorin duke mbivendosur njerën festë mbi tjetrën.

Në fakt, për vite me rradhë gjatë periudhës totalitare, dita e çlirimit i bënte padreejtësisht hije ditës së pavarësisë duke e lënë këtë të fundit disi në një nivel të dorës së dytë. Ndërkohë, pas vendosjes së demokracisë ndodhi e kundërta. Dita e çlirimit duke u nënvendosur ndaj ditës së pavarësisë, filloi të humbasë kuptimin dhe rendësinë e saj simbolike. Edhe këto ditët e fundit, e shumta që është ndjerë në shtyp, ka qenë ndonjë zë që ka bërë thirrje për t’a toleruar (!) edhe 29 nëntorin si festë. Për t’a toleruar, pra, për një pjesë të popullsisë që dëshëron t’a kujtojë atë, dhe jo për t’a mbajtur me dinjitet si një festë të rendësishme kombëtare.

Kështu harrohet se 29 nëntori 1944 përmban tre simbolika të fuqishme që na vlejnë shumë si komb.

Së pari si datë e çlirimit të vendit nga pushtuesit.

Së dyti, si dita e parë pas mbarimit të luftimeve të përleshjes së dytë botërore në territorin e Atdheut tonë.

Së treti, në këtë datë çlirimtarët bënë që vendi të mos dilte si shtet kolaboracionist nga historia e luftës së Dytë Botërore, çka do të kishte ndodhur nëse ata nuk do të kishin marrë armët në dorë në luftën për çlirim. Për sa i përket këtij elementi të tretë ka ndofta vend që të studjohen arkivat dhe debatet ndërkombëtare për të parë se Shqipëria në atë kohë, për shkak të kolaboracionistëve, rrezikonte të dilte nga Lufta me damkën e një shteti agresor ndaj fqinjëve dhe aleat i fashizmit.

Ky fakt nuk është as thjesht një mit social, as një realitet i dykuptimtë, as diçka e shpikur.

Mesa e kam ndjekur debatin disavjeçar, dy kanë qenë argumentat kryesore për t’a zhvendosur përkujtimin e datës së çlirimit më 28 nëntor dhe për t’a vënë në diskutim si festë kombëtare.

Të dy argumente janë paraqitur si krejt të pamjaftueshëm.

Argumenti i parë : Shkodra u çlirua më 28 nëntor dhe jo më 29 nëntor 1944.

Le të mos i hyjmë lojës së koncepteve dhe të dëshmive sepse nuk do të dilnim kurrë prej andej.

Datat, aq më shumë orët, e ngjarjeve në histori i caktojnë fitimtarët dhe jo dëshmitarët.

Ne nuk duam të dimë dhe as pyesim fare se kur e hodhi koburen, jataganin apo dyfekun dhe u largua ushtari i fundit i armatosur apo funksionari i fundit i shtetit turk nga ajo që quhej Shqipëri. Por ne s’e vemë në dyshim se 28 nëndori është padyshim dita e pavarësisë sepse oikërisht atëhere e shpallën artizanët e saj të mëdhenj. Ndarja e historisë në periudha është shumë relative dhe simbolike. Ajo nuk përcaktohet aq shumë nga ngjarjet objektive reale, por nga kuptimi që i jep atyre simbolikisht subjekti që merr pjesë në to. Nga kjo pikëpamje nuk ka fare rendësi ora se kur iku oficeri apo ushtari i fundit gjerman nga territori shqiptar apo nga lagjet periferike të Shkodrës. Dëshmitarët okularë këtu s’ngrenë peshë fare. Rëndësi ka se kur e shpallën simbolikisht ditën e lirisë ata që e çliruan vendin : natën e fundit të luftimeve apo mëngjezin e parë të lirisë kur parakalonin mbi shëtitoren e kombit. Diskutimi që dëshëron të përcaktojë datat simbolike duke kërkuar të zbulojë se sa ka pas qenë ora kur ushtari i fundit apo koloneli i fundit gjerman ka ikur nga Shqipëria, si atëhere kur tirret e shtirret mërzitshëm nga historianët « e majtë » ashtu edhe kur krihet e kruhet fare kot nga historianë « e djathtë » është i kotë, madje edhe qesharak. (Gjeni ju lutem se cila është fija e fundit e flokut që duhet t’i bjerë një burri ose një gruaje që ata të quhen tullacë ?)

Dhe çka është më kryesorja, në të dyja rastet, ky diskutim mbetet i kufizuar brenda të njejtave mendësi staliniste, të cilat zgjedhjen subjektive njerëzore në përcaktimin e datave në histori nuk e shohin të mbështetur tek vetë subjekti individual apo kolektiv njerëzor, por tek materia e ngurtë « objektive » e historisë, që paska fuqinë të vendosë për aktorët shoqërorë.

Është e qartë se kemi të bëjmë me një formë të kulluar të materializmit më vulgar. Filozofia e sotme e historisë në Perëndim e ka kapërcyer konsiderueshëm këtë konceptim duke e quajtur tepër rudimentar, të pazhvilluar, disi vulgar.

Hajde të gjesh një dëshmitar, krejt të besueshëm, të hypur në një majë të lartë mali, që të ketë parë edhe ushtarin e fundit gjerman duke bërë metrat e fundit në territorin shqiptar (!) dhe pikërisht në atë çast të ketë parë edhe orën… Një dëshmitar i tillë mund të kishte qenë vetëm Zoti. Ndërkohë, metodologjia më avanguardiste e historiografisë së sotme perëndimore i përmbahet një ideje qendrore sipas së cilës nuk mund të vendoset në mënyrë kaq të detajuar kohëndodhja e ngjarjeve historike qoftë edhe nisur nga dëshmitë okulare të ndokujt.

Por, edhe po t’iu përmbahemi dëshmive për çlirimin te Shkodrës, nuk kemi përse të mos t’i besojmë personaliteteve si zoti Pjetër Arbnori kur thonë pa mëdyshje se në mëngjezin e 29 nëntorit 1944 shkodranët dilnin në rrugët e një qyteti të sapoçliruar. Ishte mëngjezi i parë i çlirimit nga pushtuesit. Me një fjalë, edhe nëse marrim për një çast të mirëqenë se në një orë të caktuar të datës 28 nëntor 1944 gjermanët ishin larguar tashmë nga Shkodra, mëngjezi i parë i një qyteti të çliruar për banorët e tij ishte ai i 29 nëntori 1944. Askush nuk e vë këtë në diskutim për të kundërshtuar pastaj edhe 29 nëndorin si dita e parë që vendi gdhihej i lirë nga çizmja e pushtuesve.

Argumenti i dytë : Vërtet u çlirua vendi më 29 nëntor 1944, por në këtë ditë, krahas një fitoreje në planin antifashist, duhet të mbajmë parasysh se u bë edhe vendosja e diktaturës totalitare në vend. Simboli duket i turbulluar.

Edhe këtu gjerat përzjehen padrejtësisht.

Një datë historike ka vlerë në raport me historinë e shkuar, të ndodhur përpara saj, dhe nuk lidhet me ato që ndodhën pas saj. Po t’i përmbaheshim idesë se ato që ndodhin më vonë mund t’a zbehin vetë ngjarjen në fjalë, atëhere do të kishte rrezik që mbi të gjitha festat e botës të binte një hije dyshimi. Do të ishte qesharake që rendësia e një dite simbolike të matej me ngjarjet që kanë ndodhur më pas duke e përmbysur kështu krejt rrjedhjen kohore të historisë. Historia do të bëhej kështu jo nisur nga e kaluara drejt së tashmes, por nga e tashmja drejt së kaluarës.

Biles edhe vetë 28 nëntori do të bëhej i dyshimtë sepse dikush mund të thoshte se 28 nëntori 1912 veç ditës së pavarësisë, simbolizon edhe fillimin e ndarjes së shqiptarëve si komb dhe shpërndarjen e tyre në disa shtete ballkanike, duke përjetuar atje një gjendje të vështirë etnike. Edhe simboli i 8 ose i 9 majit 1945 do të duhej të mbulohej njëherësh nga një flamur nderi dhe nga një vello turpi sepse ajo vërtet është datë që shënoi mposhtjen e nazizmit, por edhe zanafilloi krijimin e një bote të ndarë në kampe dhe të përçarë keqaz (!)

Ata që e njohin sadopak historinë e dinë mirë se shpallja e ditës së çlirimit nga fitimtarët e kohës është tjetër gjë dhe hapat institucionalë për vendosjen e rregjimit diktatorial janë diçka krejt tjetër. Si të tilla mund të quhen 24 maji 1944, 11 janari 1946 dhe të tjera data si këto, por në çdo rast jo 29 nëntori.

Me dëshirën e mirë për të gjetur një datë konsensuale lidhur me festimin e çlirimit të Shqipërisë, propozohet si e tillë 17 nëntori - dita e çlirimit të kryeqytetit. Por, sipas meje, ky propozim përmban një kontradiktë të fortë : Ja pra, që datën e çlirimit edhe sot kërkoka t’a vendosë lirisht subjekti. Atëhere përse të pranojmë vetëm lirinë tonë për të vendosur dhe për t’iu dhënë ngjarjeve historike « objektive » kuptimin që na duket më i arsyeshëm dhe nga ana tjetër të refuzojmë lirinë që kishin ata që e çliruan vendin për të vendosur ?

Në këtë pikë ata do të ishin më legjitimë sesa ne.

Në fakt, pavarësisht qëllimeve tepër fisnike, ky propozim nuk e zgjidh asfare çështjen. Më 17 apo më 29 nëntor, pyetja mbetet dhe kërkon një zgjidhje konceptuale dhe jo kalendarike : Dita e çlirimit është festë apo dramë kombëtare ?(!) sikurse vazhdon të pyetet akoma në disa gazeta.

Pastaj të mos harrojmë se në këtë rast do të kishim një zhvendosje të fortë simbolike që do t’a turbullonte shumë situatën. Festimi i ditës së çlirimit më 17 nëntor do të nënkuptonte simbolikisht pranimin e një fakti të rëndë, të cilat brezi i asaj kohe nuk e mbajti mbi supe dhe na kurseu nga një turp kolektiv që do të na kishte ndjekur brez pas brez. Do të nënkuptohej pra se çlirimi i Shqipërisë u bë kur ranë institucionet shtetërore që ndodheshin në kryeqytet. Kjo do të ishte shumë e rrezikshme.

Me një fjalë, ne do të pranonim simbolikisht se Lufta nuk bëhej kundër pushtuesit të huaj dhe kolaboracionistëve, por në rradhë të parë kundër vetë shtetit shqiptar. Nënteksti do të ishte i qartë dhe i padëshirueshëm, duke hapur më kot një shteg për të vënë në diskutim një të vërtetë historike të pranuar tashmë ndërkombëtarisht : Në mënyrë simbolike ne do t’a konsideronim kështu padrejtësisht Shqipërinë e luftës së Dytë Botërore si shtet kolaboracionist duke nxjerë sytë në vend që të vinim vetulla.

Shtrije hapin gjysh !

Tjetër është problemi se cilat do të ishin veprimtaritë më të përshtatshme për të kujtuar ditën e çlirimit.

Një parakalim ushtarak mbi bulevardin Dëshmorët e Kombit do të ishte gjithësesi një simbolikë disi e turbullt.

Jo se shteti dhe ushtria nuk shkojnë sëbashku.

Jo për shkak të këtyre apo atyre shpenzimeve financiare.

Jo për shkakun se po të pyeten ata që parakalojnë, ndofta mund të mos t’a dinë fare se çfarë është 29 nëntori.

Jo për faktin se parakalimi i ushtrisë nuk ka vend të bëhet kur kemi një shkallë kaq të lartë papunësie.

Problemi është më i thellë dhe ka natyrë të mirëfilltë politike dhe simbolike. A duhet të ketë një parakalim ushtarak pikërisht më 29 nëntor, apo në një ditë tjetër më të përshtatshme ?

Gjithësesi duhet kuptuar se parakalimi ushtarak në këtë datë nuk është thjesht një përsëritje rituale e parakalimit partizan më 29 nëntor 1944. Kjo për arsyen sepse të tilla parakalime janë bërë me pompë të veçantë sidomos në çdo pesë vjetë të përkujtimit të kësaj dite.

Ka ndodhur një paradoks i çuditshëm.

Përkujtimi simbolik në një farë mënyre ka krijuar një përmbajtje politike të pavarur nga vetë ngjarja historike që përkujtohet.

Sot në Shqipëri ka shumë pak vetë që e mbajnë mend parakalimin partizan mbi bulevard më 29 nëntor 1944, por pjesa dëmuese e popullsisë i kujton shumë mirë parakalimet ushtarake të viteve ’70 dhe ’80 mbi shëtitoren kryesore të Tiranës. Dhe duhet thënë se kuptimi simbolik i tyre ishte krejt tjetër nga ai i parakalimit të vërtetë partizan më 29 nëntor 1944.

Parakalimet ushtarake të dhjetëvjeçarëve të fundit të diktaturës ishin faktorë simbolikë që tregonin politikën e kohës :

Iu tregonin shtresave të shtypura politikisht të popullsisë se pushteti kishte gjithë forcën ushtarake për t’i mbajtur të nënshtruara me dhunë dhe represion të pamëshirshëm.

Fqinjëve iu tregohej se me ta vendi ishte në gjendje lufte dhe se populli shqiptar përgatitej për t’i përballuar ushtarakisht.

Natos i tregohej se për shqiptarët ajo ishte njësoj si Traktati i Varshavës, të dy bashkë fuqi agresore që nga dita në ditë përgatiteshin për të sulmuar Shqipërinë.

Kastës së ushtarakëve shqiptarë të persekutuar i tregohej se ushtria s’kishte nevojë për ta përderisa kishte komisarët, sekretarët e partisë dhe shkollat e lira ku bënin gallatë burrat dhe gratë e mërzitur për vdekje.

Në këto kushte kuptohet fort mirë se përse një pjesë e popullsisë është me të drejtë disi refraktare ndaj paradave ushtarake më 29 nëntor. Simbolika është turbulluar. Është vështirë t’i heqësh kësaj pjese të gjerë të popullsisë kujtesën mbi kuptimin simbolik të rreshtores së dikushme mbi shëtitore që i ngjeth akoma mishtë. Kjo nuk mund të bëhet as duke i thënë asaj fraza të përgjithshme mbi shërbimin civil të ushtrisë apo mbi rolin e trupave komando shqiptare për ruajtjen e paqes në botë.

Ka ditë të tjera për të demonstruar këto vlera të mëdha dhe të padiskutueshme të politikës së sotme shqiptare..

Ndërkaq parakalimi i veteranëve para tribunës është përsëri diçka delikate, me dy kuptime, një simbolikë krejt e diskutueshme. Nga njera anë atyre iu njihet vendi pranë forcave të armatosura për shkak të kontributit në Luftë. Por nga ana tjetër, nuk ka shumë kuptim të parakalojnë gjyshërit dhe baballarët duke shtrirë hapin dhe marrë pozicionin djathtas ose majtas ndero përpara nipave dhe djemve hipur në tribunë.

« Shtrije hapin gjysh ! »

Të mos harrojmë se kur këta gjyshër apo baballarë mbronin Atdheun, nipat dhe djemtë në tribunën e sotme ishin fatosa ose pionerë. Nuk është në përputhje me simbolikën tonë kombëtare që gjyshi të parakalojë përpara nipit dhe babai përpara djalit. E kundërta do të ishte më normale.

Do të dukej disi e çuditshme që nipi dhe djali të vazhdonin t’i bënin babait dhe gjyshit rreshtore mbi bulevard.

Kishte një kuptim të caktuar kur veteranët parakalonin përpara komandantëve tyre të dikurshëm, ndonëse brenda një konteksti politik totalitar, ndonëse disa s’kishin qenë fare komandantë, por kishin uzurpuar merita të paqena dhe ndonëse mjaft ish komandantë të lavdishëm kishin përfunduar tashmë nëpër burgje. Kjo është një analizë tjetër. Ndërsa tani parakalimi veteran përpara tribunës e turbullon simbolin.

Dikush më tha se veteranët do të nderoheshin vërtet nëse atë ditë ata do të qendronin në tribunë dhe përpara tyre do të parakalonin, atje poshtë në bulevard, një pjesë e individëve që ndodheshin në tribunë.

« Komisioni i festës »

Gjithësesi një gjë është e qartë. Ne na duhet të fokusojmë simbolet tona. Thënë ndryshe na duhet një « komision feste ».

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›