Danaj: Iki nga PS,s’është e majtë, por partia e të pasurve
Aristir Lumezi
Ish koordinatorja e Forumit të Gruas socialiste Ermira Danaj, e cila pak ditë më parë dorëzoi në selinë rozë dorëheqjen e saj, shpjegon arsyet që e çuan në këtë vendim, por dhe situatën në të cilën ndodhet sot PS.
Danaj shprehet në intervistën e saj se motivi i dorëheqjes është rruga që po ndjek PS pas zgjedhjeve të 28 qershorit, veçanërisht mungesa e reflektimit dhe e analizës për humbjen. Sipas saj, PS ka humbur identitetin e saj, nuk u paraqit në zgjedhje si një parti e majtë, ndërsa “është kthyer në një parti interesash të disa njerëzve të pasur në kurriz të një elektorati të tërë që nuk ka sesi të jetë i djathtë, por që sot është më i çorientuar se kurrë”. Sipas saj, përgjegjësia kryesore është e udhëheqjes së PS dhe e kryetarit të saj. Duke folur për Edi Ramën, Danaj shprehet se me qëndrimet dhe politikën që ndjek në PS, ai ka hedhur poshtë të gjitha ato premtime që dha në 2007, kur fliste për bashkimin e të majtës dhe politikat sociale.
Zonja Danaj, ju keni dhënë dorëheqjen nga koordinatore e gruas socialiste. Cilat janë motivet që ju bënë të ndërmerrni një vendim të tillë?
Motivet për të dhënë dorëheqjen nga pozicioni i koordinatores kombëtare të Forumit të Gruas në PS janë disa dhe kanë të bëjnë kryesisht me rrugën që po ndjek udhëheqja e Partisë Socialiste sidomos pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Nuk ka pasur asnjë iniciativë për reflektim dhe analizë të kësaj humbjeje nga kjo udhëheqje, dhe kjo është bërë nën pretekstin se “nuk kemi humbur, por na kanë vjedhur votën”. Nuk jam absolutisht dakord me një qëndrim të tillë, sepse mendoj se nëse ne duam të ndërtojmë rrugën drejt fitores në zgjedhjet lokale apo ato të përgjithshme, kjo duhet të fillojë duke parë gabimet thelbësore që u bënë gjatë kësaj fushate. Dua të theksoj fjalën thelbësore sepse një nga gjërat me të cilat udhëheqja e Partisë Socialiste duhet të ishte marrë pas zgjedhjeve, duhet të ishte thelbi i saj, identiteti i saj. E ritheksoj se PS u paraqit në këto zgjedhje jo si një parti e majtë, dhe po vazhdon të sillet jo si një parti e majtë, po si një parti pa identitet, gjë për të cilën unë nuk jam aspak dakord. Flitet lart e poshtë për “bashkim të së majtës”, ndërkohë që nuk është veçse një bashkim kryetarësh.
Sipas mendimit tuaj, sa funksionojnë sot forumet e PS-së, Forumi i Gruas apo dhe ai Rinor, dhe sa aktivë janë ato në vendimmarrjen e PS?
Forumi i Gruas dhe FRESSh mbas ndryshimeve në statutin e PS në Kongresin e vitit 2007 janë tashmë struktura të varura të partisë dhe jo më të pavarura. Megjithatë mendoj se kjo nuk pengon funksionimin e fuqishëm të një forumi. Ajo që ne (bashkë me kolege të tjera socialiste) jemi përpjekur të bëjmë vitin e kaluar, vit kur unë kam qenë koordinatore e këtij forumi, ka qenë të punonim për programin e PS për gratë, duke e bashkëbiseduar atë me gra e vajza në zona të ndryshme të Shqipërisë. Kjo praktikë kishte filluar me Dialogun me Shqipërinë, që personalisht e konsideroj një praktikë shumë të mirë, por që nuk e kuptoj se pse kjo frymë që filloi me Dialogun me Shqipërinë u hodh poshtë në momentin e fundit para zgjedhjeve dhe tani pothuajse nuk ekziston më fare. Pas një viti pune në Forumin e Gruas, e kam sot shumë të qartë se si mund të riformohej dhe ristrukturohej ky forum për t’u fuqizuar dhe për t’i dhënë akses në vendimmarrje, gjë të cilën nuk e ka. Nuk e ka sepse pikë së pari shumë gra, të cilat janë koordinatore të gruas nëpër zona të ndryshme të Shqipërisë, nuk janë as delegate në Kongres, gjë e cila duhet të ishte automatike. Nuk ka akses në vendimmarrje sepse Koordinatorja e Forumit (kushdo qoftë emri i përveçëm) nuk merr pjesë në Kryesinë e PS, qoftë dhe pa të drejtë vote, ashtu sikurse edhe Kryetari/ja e FRESSH. Nuk ka vendimmarrje sepse minimalisht as që u konsultua ky Forum për bërjen e listave, sidomos këtë herë kur ne kishim për herë të parë kuotat e detyrueshme. Dhe u arrit deri aty sa PS të dorëzonte listën me vonesë, duke vendosur në fund të listave gra socialiste të shkëlqyera, që kanë prej vitesh që punojnë në PS, duke lënë jashtë listave gra po aq aktive, sikurse ishin disa prej anëtareve të Kryesisë, dhe duke vendosur në disa prej vendeve fituese gra, të cilat mund të jenë të suksesshme në profesionin e tyre, por që nuk kanë pasur lidhje me PS madje kanë refuzuar të marrin pjesë në aktivitetet e PS apo të Forumit të gruas nga frika se mos identifikoheshin me të. Kjo tendencë zbehjeje e forumeve dhe strukturave të PS është një nga dobësitë më të mëdha të PS sot sepse është pikërisht te strukturat që Partia Socialiste ka pasur fuqinë e saj.
Përqindja e gruas në forumet socialiste, por dhe në grupin parlamentar socialist, sipas jush është çështje numrash apo koncepti?
Aktualisht PS ka kuotat më të mira gjinore në Asamblenë Kombëtare apo në Kryesi. Dhe personalisht e kam vlerësuar maksimalisht këtë iniciativë për të integruar kuotat në statutin e PS. Por, fatkeqësisht nëse bëjmë një analizë se çfarë ndodhi me hartimin e listës së kandidatëve për deputetë, udhëheqja e Partisë Socialiste nuk veproi aspak ndryshe nga ajo që bëri PD, thjesht plotësoi shifrën e detyrueshme 30%, madje dhe atë me vonesë, pasi e ktheu KQZ, e vendosi shumicën e grave në fund të listës dhe bëri një përzgjedhje në më të shumtën e rasteve në bazë interesash dhe preferencash, sesa vlerash dhe kontributesh, dhe këtu e kam fjalën për shumë gra dhe vajza të Asamblesë Kombëtare, për shumë koordinatore të forumit të gruas në rrethe dhe për disa nga anëtaret e kryesisë. Le të biem dakord që kjo nuk ka ndodhur vetëm në PS, por edhe në parti të tjera, por ishte PS ajo që premtoi një ndryshim të politikës dhe të frymës politike në Shqipëri, dhe kjo për fat të keq nuk ndodhi. Pra mesa duket pjesëmarrja e grave dhe vajzave në PS konsiderohet më shumë si një çështje interesi dhe llustre pseudomoderne, sesa një e drejtë e tyre apo domosdoshmëri për demokratizim të partisë.
Sa ka ndryshuar kryetari socialist i rizgjedhur, Edi Rama në periudhat para dhe pas zgjedhjeve të 28 qershorit dhe çfarë ndikimi ka në PS një gjë e tillë?
Ajo që unë dua të ritheksoj dhe në këtë intervistë, por që e kam thënë dhe më parë, është se Edi Rama i 2009-ës ka hedhur poshtë Edi Ramën e 2007-ës, ku ai fliste për të majtën, për Shqipërinë e re sociale, për ekonominë e tregut dhe jo shoqërinë e tregut, teza të cilat ai i la përgjysmë dhe nuk i përmend më. Sot, PS duket sikur nuk është më parti e majtë, po thjesht partia e interesave të disa njerëzve të pasur në kurriz të një elektorati të tërë, që nuk ka sesi të jetë i djathtë, por që sot është më i çorientuar se kurrë. Dhe për këtë përgjegjësia kryesore është e udhëheqjes së PS dhe e kryetarit të saj.
Cili është mendimi juaj për bojkotin e grupit parlamentar socialist?
Nuk kam qenë dhe vazhdoj të mos jem dakord me bojkotin e Parlamentit, gjë që u vendos në mënyrën më arbitrare të mundshme, sepse siç e dini Asambleja Kombëtare e korrikut vendosi kundër bojkotit, dhe më pas gjithçka ndryshoi në mënyrën më jo transparente. Mendoj se grupi parlamentar duhet të jetë në Parlament, por mendoj se më e rëndësishmja sot për PS është identiteti i saj, është qartësimi se cilat grupe kjo parti do të përfaqësojë, cilat politika do propozojë dhe cilat ligje mirëfill të djathta do kundërshtojë me forcë. Për këtë arsye, do i ftoja të gjithë ata anëtarë të grupit parlamentar të PS që e konsiderojnë veten të majtë të futen në parlament dhe të mbrojnë dhe të përfaqësojnë socialistët që iu kanë dhënë votën. Për pjesën e djathtë të grupit të PS, nuk kam ç’them, ndoshta u duket vetja të tepërt përderisa ata përfaqësohen në Parlament nga partia në pushtet.