E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi me Ramen:Pëllumbi kundër bojkotit të zgjedhjeve

 

Aristir Lumezi
Profesori i socialistëve është kundër bojkotit të zgjedhjeve të pjesshme. Zgjedhjet, për ish kryetarin socialist të Kuvendit, janë një mundësi ku njerëzit shprehin të drejtën kushtetuese për të votuar. Burime të sigurta pranë selisë rozë, pohojnë se gjatë një takimi që pati pak ditë më parë me kryetarin socialist, Edi Rama, Pëllumbi i ka shprehur kundërshtitë e tij lidhur me pozicionin e bojkotit, që PS po përgatitej të merrte edhe ndaj zgjedhjeve të pjesshme, pozicion që u bë publik më pas nga kryetari socialist. Kjo duket se ka qenë dhe arsyeja e mungesës së profesorit të socialistëve dy ditë më parë në mbledhjen e asamblesë Kombëtare, ku çështja kryesore në këtë mbledhje do të ishte vendimi për mospjesëmarrje në zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit në pesë komuna dhe bashki. I kontaktuar në telefon nga gazeta ‘Panorama’, Pëllumbi nuk e pohoi por dhe nuk e mohoi qëndrimin e tij kundër bojkotit të zgjedhjeve të pjesshme nga PS. I kujdesshëm për të mos prishur frymën e shumicës së anëtarëve të Asamblesë, Pëllumbi duket se ka zgjedhur mospjesëmarrjen në mbledhjen e asamblesë, edhe pse më parë ia ka parashtruar qëndrimin e tij ndaj bojkotit të zgjedhjeve direkt Edi Ramës. Por profesori i socialistëve mbështet bojkotin e Parlamentit si kusht për të bërë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe hapjen e kutive të votimit në tre qarqe që kërkojnë socialistët. Mbledhja e Asamblesë Kombëtare miratoi bojkotin e zgjedhjeve të pjesshme, ndërsa Edi Rama u shpreh se nëse nuk hapen kutitë e 28 qershorit, PS nuk do të lejojë të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme, duke nënkuptuar kështu zgjedhjet për Pushtetin Vendor që pritet të zhvillohen në vjeshtë të vitit 2010. Duke folur para anëtarëve të Asamblesë Kombëtare, në lidhje me vendimin për bojkotin e zgjedhjeve të pjesshme në 5 njësi vendore, Rama tha se nëse nuk hapen kutitë, PS nuk do tërhiqet. “Propozimin për mospjesëmarrjen në zgjedhjet e pjesshme ia kam bërë unë kryesisë socialiste, nisur nga reagimi i bazës socialiste por dhe qytetarëve për të mos hyrë në garë me Berishën derisa të hapen kutitë. Zgjedhjet e pjesshme jo vetëm do t’i bojkotojmë, por nëse nuk hapen kutitë e votimit që ne kërkojmë dhe nëse nuk zbardhet e vërteta e masakrës zgjedhore të 28 qershorit, ne nuk do të lejojmë të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme”, u shpreh Rama para anëtarëve të Asamblesë Kombëtare.
Kundërshtitë
Mbledhja e Asamblesë socialiste nuk i shpëtoi edhe kësaj radhe debateve për qëndrimin që PS duhet të mbajë në të ardhmen. Qëndrimit të Edi Ramës për bojkotim të zgjedhjeve të pjesshme iu kundërvunë deputetët Ben Blushi, Arben Malaj, Andis Harasani dhe anëtarët e asamblesë Ylli Manjani dhe Artan Lame kanë kundërshtuar propozimin e kryetarit Rama për bojkot të zgjedhjeve. Arben Malaj, një nga themeluesit e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, deklaroi se zgjedhjet e pjesshme vendore janë gati të pamundura për t’u fituar. Por ai theksoi se krahas kësaj është e domosdoshme që të hyhet në garë dhe të luftohet për të fituar. Sipas tij, hyrja në zgjedhjet e pjesshme është e nevojshme dhe rezultati nuk është thelbësor. Ndërsa Ben Blushi
e cilësoi vendimin për bojkot të zgjedhjeve të pjesshme si demotivues dhe të pamotivuar. Sipas tij, me këto qëndrime PS po zhvillon një ndjenjë inferioriteti, duke iu thënë shqiptarëve dhe atyre që e votojnë, që për sa kohë që Sali Berisha është në pushtet, ne nuk vijmë dot në pushtet.

Dade: Berisha të reagojë për kërkesat e PS
Një ditë pas vendimit të asamblesë për të bojkotuar edhe zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit, Partia Socialiste deklaron se nuk do të tërhiqet nga kërkesat e saj për të hapur kutitë e votimit. Sekretarja për marrëdhëniet ndërkombëtare në selinë rozë, Arta Dade, i bëri thirrje Kryeministrit Berisha të reagojë sa më shpjet për kërkesat e saj dhe se opozita do të përshkallëzojë protestat e saj. Sipas saj, Kryeministri Berisha duhet të marrë seriozisht vendimin politik të opozitës. “Sali Berisha në vend që të flasë se ai na paska organizuar zgjedhje të shkëlqyera, duhet patjetër të marrë seriozisht vendimin politik të opozitës, për të mos marrë pjesë në Parlament përderisa nuk bëhet transparenca e plotë e kutive të votimit dhe e materialeve zgjedhore”, theksoi Dade. Dade e ka akuzuar Berishën si të vetmin përgjegjës për ngërçin në situatën politike. “Manipulimi dhe deformimi i vullnetit të shumicës elektorale padyshim që bën përgjegjës Sali Berishën. Ai ka abuzuar në bashkëpunimin me opozitën dhe vazhdon të ketë një shurdhëri absolute edhe ndaj sugjerimeve të Komisionit Evropian, për të rivendosur dialogun politik, i cili nuk mund të vendoset në rast se Sali Berisha nuk merr seriozisht kërkesat e opozitës për të bërë transparencën e plotë të zgjedhjeve”.

Asambleja vendosi bojkot në zgjedhje
Mbledhja e asamblesë kombëtare vendosi bojkotin e zgjedhjeve të pjesshme në pesë komuna dhe bashki të vendit. Pas mbledhjes, kryetari i saj Gramoz Ruçi bëri publike vendimet e marra. “Asambleja miratoi propozimin e bërë nga Kryesia e PSSH, që Partia Socialiste nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit 2009, për 4 komuna dhe 1 minibashki”, u shpreh Ruçi. Kryetari i asamblesë ritheksoi standartet e munguara të zgjedhjeve të 28 qershorit. “Në vazhdim të qëndrimit të saj politik, lidhur me kërkesat e parashtruara për maxhorancën, ku PS ka mendimin se procesi zgjedhor i 28 qershorit është i deformuar dhe nga ana tjetër jemi ndeshur në këtë periudhë që ka kaluar me një heshtje të maxhorancës aktuale, për mos hapje rrugë të transparencës  për të hetuar krimin elektoral që ka ndodhur në zgjedhjet e 28 qershorit”, u shpreh Ruçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›