E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau shqiptarin gjatë grabitjes, kapet italiani

 

CASERTA
Policia italiane pas hetimeve 2-mujore ka zbuluar autorët e vrasjes së një emigranti shqiptar, në gusht të këtij viti në Kazerta.
Njëri prej autorëve të ngjarjes ndodhej në burg për një tjetër vepër penale, ndërsa bashkëpunëtori i tij është arrestuar mëngjesin e djeshëm. Sipas policisë italiane emigranti shqiptar, Xhevahir Malaj, 27 vjeç, u ekzekutua më 19 gusht 2009 nga dy shtetas italianë, të cilët dyshohet se kanë tentuar ta grabisnin. Michele Marchi, 26 vjeç nga Pontelatone dhe Alfonso Antimo D’Agostino, 30 vjeç nga Formis, janë të dyshuarit kryesorë për vrasjen e Xhevahir Malajt. Dy shtetasit italianë, u njohën mesditën e djeshme me ekzekutimin e urdhër-arresteve, lëshuar ndaj tyre nga Prokuroria e Kasertas. Arrestimi i Michele Marchi u bë nga forcat e karabinierisë së Santa Maria Capua Vetere në rajonin e Kasertas. Kurse Alfonso Antimo D’Agostino gjendet në burg dhe atje iu komunikua akuza e re, për vrasje në bashkëpunim. Dy italianët, sipas policisë italiane, janë përgjegjës për ekzekutimin me armë të ftohtë të shtetasit shqiptar Xhevahir Malaj.
NGJARJA
Ngjarja e ndodhur disa qindra metra larg nga burgu i S.Tammaro në Kaserta të Italisë, ku mbeti i vrarë Xhevahir Malaj, tashmë është zbardhur nga policia italiane. Atë ditë, 27-vjeçari shqiptar ishte duke ikur në shtëpi, së bashku me një shok shqiptar, kur u përball me dy grabitësit italianë, të cilët nxorën thika dhe e masakruan deri në vdekje. Dy italianët i sulmuan shqiptarët me qëllim që t’i plaçkisnin. Sipas hetimit, dy emigrantët shqiptarë, të përballur me dhunën e agresorëve, u përpoqën të rezistojnë fizikisht. Por kjo ishte fatale për njërin prej tyre. Xhevahir Malaj pësoi plagë të thella nga goditjet me thikë të dy grabitësve italianë. Për pasojë ai gjeti vdekjen pak orë më vonë në spital. Ngjarja e ndodhur më 19 gusht, fillimisht në të gjitha mediat italiane u interpretua si prishje e pazareve të drogës. Madje edhe hetimet për një periudhë kohë u përqendruan në këtë drejtim dhe kjo gjë bëri që edhe zbulimi i autorëve të mos bëhej në kohë. Policisë iu deshën dy muaj hetime që të zbulonin të vërtetën e ngjarjes, për të kuptuar që nuk bëhej fjalë aspak për prishje pazaresh në trafikun e lëndëve narkotike, por emigranti shqiptar kishte rënë viktimë e sulmit të dy grabitësve italianë, të cilët kanë hasur në rezistencë dhe e kanë vrarë.

Ekzekutohet me thikë
emigranti shqiptar në Itali
BOLONJA - Një emigrant shqiptar në Itali, ka humbur jetën nga tre goditje thike, brenda ambienteve të një lokali në Bolonja. Policia italiane 24 orë pas krimit mundi të identifikonte se shqiptari i vrarë me thikë mbrëmjen e së shtunës është Ardit Myrtaj, 25 vjeç, nga Vlora. Sipas agjentëve të policisë italiane, i riu ishte person me precedentë penalë, madje kishte qenë i dënuar për trafik droge dhe vetëm një vit më parë kishte lënë qelitë e burgut në Itali. Identifikimin e tij e kanë bërë të mundur karabinierët që kryejnë hetimet të drejtuara nga prokurori Luca Tampieri. Sipas mediave italiane, mësohet se i riu nga Vlora, kishte marrë tre goditje me thikë, një në shpinë, një në shpatullën e majtë dhe një afër zemrës, e cila mund t’i ketë shkaktuar dhe vdekjen, pasi viktima kishte humbur shumë gjak. Vrasja e Ardit Myrtajt, ndodhi të shtunën rreth orës 22:00 në ambientet e lokalit “Willy il Coyote”, në periferi të Bolonjas, mes rrugës “Viola” dhe “Emilia Ponente”. Myrtaj pasi është goditur ka tentuar të largohej duke dalë nga bari nga një derë tjetër, e ndryshme nga ajo që kishte hyrë. Karabinierët kanë marrë në pyetje administratorët e lokalit dhe disa persona të tjerë, për të bërë të mundur rindërtimin e ngjarjes, që fillimisht dyshohej se kishte ndodhur jashtë lokalit. Policia thotë se ende nuk dihet autori i vrasjes, por dyshohet se krimi ka lidhje me trafikun e lëndëve narkotike. Ardit Myrtaj ka qenë i dënuar edhe në Shqipëri për falsifikim dokumentesh, pasi është kapur në portin e Vlorës, duke tentuar të udhëtonte drejt Italisë. Ndërsa së fundmi kishte dalë nga burgu në fund të 2008-s në Itali, pasi kishte kryer dënimin për trafik droge.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›