Danc akrobatik nga "Kataklò"
Kërcimtarë, të varur pezull. Kërcim, sport e poezi. Kjo është atmosfera që ofron nesër në orën 19.00 në skenën e Pallatit të Kongreseve grupi i dancit akrobatik "Kataklò". Ky grup lindi nga intuita dhe krijimtaria e Giulia Stacciolit. E para kompani italiane që ka krijuar këtë imazh të ri të atletikes e të teatrit. Shkëmben vizionet, duke zgjeruar mënyrat e shprehjeve dhe duke formuar një imazh të ri të teatrit. Duke eksperimentuar me fuqinë shprehëse, duke shkrirë kërcimin bashkëkohor me forcën atletike të gjimnastikës. Metodologjia e Giulia Stacciolit, drejtuese artistike e "Kataklòs", që themeloi në 1995, lind nga përpunimi dhe përcaktimi i idesë koreografike. Në hapat e mëvonshëm të krijmit e kompozimit, kërcimtarët udhëhiqen përmes një udhe të ngushtë bashkëpunimi aktiv me krijimtarinë.
"Katakò" numëron pesë shfaqje origjinale të ekzekutuara në gjithë botën "Indiscipline", një nga punët e hershme, "Kataklopolis", "Up", "Livingston", "Play". Kësaj eksperience i shtohet pjesëmarrja në aktivitete sportive e në shfaqjet televizive. Shfaqja përpara Papës Giovanni Paolo II në Sheshin "San Pietro" me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, në Olimpiadën e Sindey-t, në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike të Torinos 2006, Viti i Ri në Hong Kong, në Fringe Festival të Edimurgut, janë disa nga ngjarjet, ku ka marrë pjesë. Për këtë vit mund të veçohet pjesëmarrja në Olimpiadën e Pekinit, ku përfaqësoi Italinë.