E Diel, 1 Nëntor 2026

"Dhe të dijë si funksionojnë gjërat në Shqipëri (!)"

Malli për mëmëdheun, çdo emigranti i ka shtuar edhe një shqisë tjetër, që funksionon objektivisht. Kjo shqisë, është përherë në lidhje me atdheun, duke e ndihmuar për të mbijetuar larg tij.

Në bazë "të informacionit" të kësaj shqise, emigranti argumenton dhe justifikon të gjitha veprimet e sjelljet e tij. Por, vihet re që, distanca midis atdheut dhe emigrantit, vjen duke u rritur, jo vetëm prej tij, por edhe sepse atdheun, bashkëkombasit, po "e spostojnë" në drejtim të kundërt dhe, për tetëmbëdhjetë vjet, rezulton që, distanca që më parë përshkohej edhe "me gomone" apo "me këmbë", tashmë, edhe me mjete më të sofistikuara, vështirë të përballohet.

Shtytjen për të shprehur këto mendime, e mora nga një lajmërim në internet, në një faqe mjaft popullore, funksionale dhe, pse jo, shumë shkencore. Ja çfarë shkruhej në njoftim: "Kërkoj partner në Shqipëri (kudo) për biznes. Të jetë largpamës dhe të dijë si funksionojnë gjërat në Shqipëri. Për më shumë detaje dhe ide, më shkruani në… Faleminderit paraprakisht".

Natyrisht, është pozitive kur bizneset kërkojnë zgjerim, por shikoni, se sa shumë flet ky detaj: "Të dijë si funksionojnë gjërat në Shqipëri", - thotë njoftuesi. D.m.th., ato funksionojnë ndryshe nga bota dhe, bisnesmeni, ka domosdoshmëri që, për të mbijetuar në situatën, ku politika shqiptare e ka futur vendin, të vlerësojë këto aftësi të bashkëpunëtorëve.

Njoftime të tilla nuk do të ekzistonin nëse, çdo hallkështetërore, qeveritare apo administrative, do të funksiononte sipas Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.

Në mënyrë të përsëritur, atdheu ynë, është kthyer në një çiflig të familjes dhe klanit që merr pushtetin ekzekutiv. Janë mijëra të rinj shqiptarë, që kanë studiuar në perëndim, e janë kualifikuar në standardet bashkëkohore, por jo vetëm ata, edhe të rinjtë e shkolluar në mëmëdhe, në përgjithësi, ndjehen të paaftë për t'u integruar ekonomikisht në një shoqëri me norma hipokrite.

Një njoftim i thjeshtë, si qindra të tjerë, është absolutisht i pavarur në shprehjen e realitetit, e ka vlerën e "gotës së verës", për të kuptuar se çfarë përmban tërë fuçia. Një gllenjkë e saj, tregon se, uthulla, po gërryen fuçinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›