Spaleti: Kthesa vjen kundër Interit
Spaleti: Kthesa vjen kundër Interit
Mund të jetë edhe Toti në formacionin titullar të Romës, që do të përballet sot në mbrëmje me Interin. E ka konfirmuar këtë, në njëfarë mënyre, Luçano Spaleti. "Kam parë që Françesko është shumë i motivuar, - ka thënë tekniku verdhekuq, - por do të vendosim vetëm disa minuta para ndeshjes, nëse do të luaj që nga minuta e parë. Pres rikthimin e tij dhe të disa të tjerëve, por kapiteni mund të japë diçka më shumë për rolin që mbulon në skemën tonë. Huan do të luajë, ndërsa Akuilani ka pak temperaturë." Sot në mbrëmje, në Olimpiko, do të paraqitet Interi, por Luçano Spaleti ka edhe disa orë në dispozicion për të vendosur, nëse do ta fusë Totin që nga fillimi. "Disa herë kam thënë se formacionin do e them vetëm pak para ndeshjes, - thotë trajneri, - por këtë herë duket se kam nevojë për më shumë kohë për t'u menduar. Janë disa gjëra që duhen përshtatur dhe të cilat mund të sjellin zgjidhje të ndryshme." Gjithsesi, në fushë që nga fillimi duhet të jenë Akuilani dhe Huan, të dy të aktivizuar me kombëtaret respektive. "Mendoj se janë të gatshëm të dy, - ka konfirmuar Spaleti, - por Akuilanin e kam lënë të pushojë këto ditë, pasi ka pasur pak temperaturë. Huan ka bërë një seancë stërvitore, kur është kthyer nga Brazili, ku ka luajtur edhe një ndeshje. Gjatë ndeshjes mund të ndodhë gjithçka, por në letër edhe ai është i gatshëm." Për shkak të nxerrjes me të kuq të Panuçit dhe Meksesit, në ndeshjen e fundit në Sienë, mbrojtësi brazilian duhet të luajë në qendër të mbrojtjes përkrah Lorias, i katapultuar nga stoli në titullar kundër Interit. "Loria është lojtar që e konsiderojmë në lartësinë e duhur për ekipin tonë. Presim nga ai t'i marrë përsipër përgjegjësitë që i takojnë. Ndër të tjera, Huan është titullar në kombëtaren braziliane dhe ndoshta prezenca e tij mund ta ndihmojë shumë atë. Gjithsesi, ata janë stërvitur disa herë bashkë dhe i njohin shumë mirë lëvizjet e tyre." Megjithatë, Spaleti është optimist dhe i bindur se ndeshja kundër Interit mund ta nxjerrë përfundimisht Romën nga kriza ku është futur: "Fitorja do të ishte përgjigjja më e mirë në ambientin tonë, ku njerëzit entuziazmohen dhe dëshpërohen me lehtësi. Të japësh një përgjigje në fushë, do të thotë shumë".
Tekniku portugez i zikaltërve është shprehur optimist para supersfidës së sotme kundër RomësMourinjo: Interi do të fitojë në "Olimpiko"!Mourinjo i përhershëm thotë "mirë se erdhe Toti, sepse kush sjell cilësi është gjithnjë i mirëpritur." Kështu i çon përkëdhelje kolegut të tij Spaleti, "të cilin e vlerësoja edhe kur isha në Angli, pasi ekipi i tij luan për të fituar e është argëtues" dhe i lëshon sfidën Romës: "Frikë? Ç'kuptimi ka kjo fjalë në futboll? Nuk e njoh. Mund të fitojmë edhe në Olimpiko. Ky është objektivi im i vetëm". Me pak fjalë, spektakli i përhershëm i Mourinjos para ndeshjes. Ai mendjemadh dhe kritik, sepse qartëson "më duket e qartë që ka mungesë respekti kundrejt meje". Dhe vazhdon: "Jeta ime ecën përpara, pavarësisht nga kjo. Ndoshta, për disa nga ju unë nuk duhej të isha këtu, por nuk ka rëndësi; qëllimi im i vetëm është një: të fitoj". Nëse përballë ndodhet Roma dhe, ka shumë mundësi, një Romë me Totin, pak rëndësi ka. Interi, shprehet i sigurt tekniku portugez, mund të fitojë edhe në Olimpiko dhe ta ulë siparin në kampionat. Edhe pse saktëson, "jemi në tetor, në këtë periudhë kam luajtur ndeshje edhe si kryesues i renditjes me shtatë pikë avantazh, edhe si i dyti, me pesë pikë për të rikuperuar. Në të dy rastet e kam fituar kampionatin. Tani klasifikimi nuk ka rëndësi. Ç'është e vërteta, mund të dalë nga përballja midis Romës dhe Interit? Asnjë." Domethënë, sa për të ndryshuar, një ndeshje si të tjerat, e cila duhet përgatitur si përballjet e tjera, pavarësisht se kundërshtari është "i fortë dhe luan në fushën e tij. Por Roma, shpjegon ai, ndodhet gjashtë pikë pas nesh. Kështu që po përgatitet për një ndeshje të madhe. Toti? Eshtë i mirëpritur, por mos më pyesni mua se në ç'gjendje është. Unë nuk e njoh situatën e tij, kjo është një pyetje që i duhet bërë Spaletit, që është trajner i madh". Sigurisht, jo më i madh se portugezi. "Dikush, - vazhdon ai, - ka harruar, por unë kam fituar katër kampionate. E di se ç'duhet bërë për të dalë i pari në një kompeticion të tillë. Duhet të kesh më shumë pikë javën e fundit, duhet vazhdimësi dhe nuk duhen humbur pikë në mënyrë idiote." Në fund, vjen kundërpërgjigjja për gazetarët, lidhur me temën Baloteli: "Kam folur me të. Mbeten vetëm dy mundësi. Ose Mario është gënjeshtar, ose gazetarët janë gënjeshtarë (sulmuesi, pas ndeshjes me Izraelin ka deklaruar: "Shpresoj që Mourinjo t'i ketë parë golat e mi"). Më ka treguar se nuk e ka thënë një gjë të tillë. Ndër të tjera, ai e dinte se unë e kisha ndjekur ndeshjen, kemi folur pesë minuta pas përfundimit të takimit. Për këtë arsye, ai nuk i ka thënë ato gjëra. Jemi dakord mbi ndeshjen kundër Izraelit. Ka bërë një supergol, një gol të bukur dhe nuk ka luajtur mirë. Ai e di këtë dhe punohet më mirë kur jemi dakord". Në fund, ka kohë edhe për një batutë për kushërinjtë e Milanit: "Unë dua ta fitoj kampionatin, por për ta bërë këtë nuk mjafton të fitosh një derbi...".