Miss Globe, për herë të fundit në Shqipëri
Edicioni i pestë i bukurisë femërore "Miss Globe International", zhvillohet sot në mbrëmje në mjediset e Pallatit të Sportit "Asllan Rusi" në Tiranë. Janë 40 vajzat e ardhura nga vende të ndryshme të botës, që konkurrojnë për këtë kurorë bukurie. Spektakli do të prezantohet nga miss Albania 1995, Hygerta Sako, shoqëruar nga Peter Bross, nën regjinë e Petri Bozos. Gjatë turit të tyre në pikat turistike në Elbasan, Përmet, Ersekë, Korçë dhe Pogradec, vajzat zhvilluan 3 mini-konkurse, si "Miss Bikini", që u fitua nga përfaqësuesja e Maqedonisë,"Miss Talenti" dhe Miss "Disco Queen" që u fituan nga përfaqësuesja e Armenisë. Në konkursin e bukurisë do të ketë edhe shumë të ftuar, mes të cilëve edhe Alban Skënderaj dhe Mirjam Cani, të cilët do të këndojnë së bashku, Redon Makashi, Aleksandër Gjoka, Anjeza Shahini, Evis Mula, Valbona Mema, etj,
Prej 5 vjetësh ky konkurs është zhvilluar në Shqipëri nën kujdesin e kompanisë artistike "Deliart Assocation", e cila fitoi të drejtën që ta zhvillojë konkursin e bukurisë, duke promovuar edhe vlerat kulturore dhe turistike të vendit tonë. Por ky është viti i fundit që "Miss Globe" zhvillohet në Shqipëri. Vitin që vjen, ai do të transferohet në Kosovë.