"Trojanet" dhe teatri si skaner social
Shfaqja e tragjedisë së Euripidit "Trojanet", është ngjarje artistike e rëndësishme që hapi sezonin teatror të këtij viti. Një realizim me lojën e aktorëve të Teatrit Kombëtar Margarita Xhepa, Ema Andrea, Luiza Xhuvani, Guljem Radoja, etj, nën regjinë eVangjelis Theodoropulos. Por qëllimi im nuk është analiza e regjisë dhe lojës së aktorit, apo analiza e spektaklit në tërësi. Kjo është detyrë e estetëve të artit skenik, e mendimit kritik dramaturgjik. Për mua si artdashës dhe sociolog, shfaqja më trondit nga një këndshikim tjetër, nga aktualiteti dhe ngjajshmëritë e ideve të një ngjarjeje historike të lashtësisë dhe koherenca politike, morale dhe sociale me kohën tonë moderne. Ngjarjet pas rënies së Trojës, fati i familjes mbretërore të Priamit, situata e vështirë e gruas së tij Hekubës, i vajzave, gruas dhe djalit të Hektorit, problemet e pushtetit dhe pushtuesit, sadizmi, tradhtitë, Helena si "shkaktare e tragjedisë" dhe roli i femrës, qëndrimi dhe besnikëria, problemi i vdekjes natyrore dhe i vdekjes për atdheun si detyrim dhe nder qytetar, janë mesazhe të rëndësishme të veprës, e cila ka një dialog të ngjeshur filozofik dhe moral, në të cilën veç fjalëve të personazheve në gojën e aktorëve, i përforcon edhe kori me ndërhyrjet e tij. Mu kujtua një thënie me vlerë, që nuk e mbaj mend kush e ka thënë se "bota e civilizuar vetëm në skenën e teatrit zbulon tragjedinë njerëzore".
Por, le ta shikojmë shfaqjen nga këndshikimi i vlerave sociale që ajo transmeton për shoqërinë tonë edhe pse në një distancë kohore shumë të madhe. Kjo vepër të mbush mendjen për atë lidhje të çuditshme të teatrit dhe raportit të tij me të vërtetën jetësore dhe të vërtetën artistike. Një dilemë e përjetshme. Fuqia magjike mbikohore e teatrit, forca estetike dhe artistike për të qënë koherent me kohën, sinkron me shoqërinë, duke dhënë gjithnjë mesazhe njerëzore me "vlerë të përjetshme". Vlera sociale e teatrit duhet parë në një këndshikim tjetër në shoqërinë tonë e cila padrejtësisht dhe me mendjelehtësi ka filluar të ketë "ftohje" me të. Teatri është institucion polivalent kulturor dhe social, që e bën atë instrument artistik të komunikimit të së vërtetës e "kohës së veprës", duke e bërë ndërkaq të dobishëm për çdo kohë. Filozofi dhe sociologu francez i kohës sonë, Keneth Klark, ka të drejtë në arsyetimin e përgjithësuar, për "rolin social" të teatrit. Duke analizuar dukuritë e jetës moderne dhe ngjashmëritë e saj njerëzore, përtej kufijve kohorë, ai thotë se tragjeditë e Euripidit, Eskilit dhe Sofokliut, mund të vendosen në çdo kohë, vetëm duhen "ndërruar kostumet". Këtë të vërtetë e kupton edhe kur shikon "Trojanet" e Euripidit. Të njëjtën vepër, me të njëjtin titull dhe subjekt, e shkroi Zhan-Pol Sartri, 20 shekuj pas Euripidit. Dy autorë në distancë kaq të largët nga njëri-tjetri, kanë shkruar të njëjtën vepër, duke i shërbyer secili kohës së vet. Madje shpesh për të treguar këtë fenomen historik dhe artistik të çuditshëm, reminishencën në kohë të ndryshme të së "njëjtës dukuri", kur flitet për këtë tragjedi shkruhet, "Trojanet: Euripid-Sartri".
Bota e pasqyruar në çdo kohë përmes dramaturgjisë dhe nga ana tjetër magjia e teatrit për ta bërë veprën koherente, të dobishme për çdo kohë. Kur shikon shfaqjen "Trojanet", janë dy ide dhe ndjesi që të ngatërrohen në kokë, dhe që gjithnjë kanë qenë të vështira për një përgjigje përfundimtare estetike dhe sociale. E para është fuqia e teatrit për të pasqyruar artistikisht "kohën adekuate" të tragjedisë dhe përcjellja me emocion tek spektatori bashkëkohor, dhe pastaj aftësia përsëri e teatrit, që "problemet sociale" që duken të vjetra në kohë, t'i sjell në kohën tënde me "kostume të reja". Teatri ka forcë të papërsëritshme që problemet njerëzore pankohore, t'i transmetojë si probleme universale të njerëzimit. E vërteta e kohës së Euripidit përballë kohës sonë dhe qytetarit modern. Koha historike, ngjarjet e Luftës së Trojës, idetë filozofike, morale dhe metafizike të kohës, përballë problemeve të reja të shoqërisë dhe njeriut post-modern, post-metafizik. Një vepër që flet në dy kohë të ndryshme, që sjell mesazhe të njëjta njerëzore për njerëzit e secilës kohë. Kjo është forca dhe magjia e teatrit, kjo është aftësia e transmetimit të mesazhit human, në kontekste të ndryshme sociale.
Nuk është rastësi që duke dashur të evidentojnë këtë "fuqi sinkretike" të artit të dramës dhe teatrit, e konsiderojnë atë jo vetëm me vlera të mirëfillta estetike, por dhe sociale. Teatri edhe në kohën e Euripidit, Sofokliut, Brehtit, Sartrit, por edhe në kohën tonë, është jo vetëm mjet i rëndësishëm i kulturimit dhe argëtimit të qytetarit bashkëkohor. Njëherësh është edhe "skaner social" për të vlerësuar kohën njerëzore në mënyrë analitike, estetike, morale dhe sinkretike. Bota ka thënë Brehti është "subjekt në ndryshim", por aftësia e teatrit është se pikërisht këto ndryshime që janë të pasqyruara në veprat dramaturgjike të kohëve të ndryshme, i sjell të aktualizuara si mesazh për kohën tonë, duke e ngushtuar distancën sociale të veprës, kohën e shkrimit të saj, duke ruajtur dhe pasuruar njëkohësisht vlerat estetike dhe artistike.
Thënia e Keneth Klarkut për "ndërrimin e kostumeve" është filozofike. Nuk është fjala për ndryshimin e garderobës dhe të kostumeve me të cilët aktorët luajtën pjesën këto ditë në Tiranë dhe dymijë vjet më parë në Athinë. Çështja është se pavarësisht nga "kostumet dhe veshjet", pavarësisht nga dukja, thelbi i problematikës njerëzore dhe shqetësimet sociale të shoqërisë janë kontinuitive.
Nuk e di për spektatorët e tjerë, por mua shfaqja më vuri përballë mendimit për fuqinë e teatrit si institucion, që jo vetëm të argëton, por edhe si instrument social që sjell mesazhe jetësore të rëndësishme. Nuk mund të thuhet me mëndjelehtësi se nuk është "kohë teatri". Ne kemi nevojë për argëtim po edhe për të mësuar nga teatri, nga arsenali i jashtëzakonshëm shprehës estetik, nga aftësitë e tij si "skaner social". Të dy këto vlera janë endemike të teatrit, janë epërsi gjinore ai bashkon argëtimin artistik me mësimin social.
Në mendimin estetik dhe sociologjik modern ka një tjetër interesim për teatrin. Sidomos për çështjen e raportit të veprës, teatrit dhe reagimit të spektatorit. Flitet me të drejtë për procesin e thyerjes së "identifikimit të spektatorit me ngjarjet në skenë". Sipas estetëve dhe sociologëve modernë vepra teatrore, pavarësisht kohës në të cilën është shkruar, nuk duhet të synojë "njëjësimin" e ngjarjes së kohës me "ndijimin e spektatorit" që është i kohës tjetër. Dhe kjo është e vërtetë. Kur spektatorët dolën nga salla e Teatrit Kombëtar, kanë krijuar me siguri një "distancë" nga perceptimi artistik i shfaqjes "Trojanet". Vlera e shfaqjes qëndron tek perceptimi i mesazheve në distancë, kuptimi dhe reflektimi për dilemat sociale pannjerëzore dhe pankohore dhe mundësia që spektatorët tanë të realizojnë "përsiatje humane" për idetë dhe mesazhet e veprës. Teatri është i tillë nga që bën pasqyrime të përgjithësuara estetike dhe sociale, që e kalojnë kufirin e kohës, prandaj dhe i rezistojnë kohës. Trupa e aktorëve të Tiranës që luajti Euripidin për dy orë, solli në skenë jo vetëm ngjarjet historike të pas rënies së Trojës, por mundësinë që t'i afrohemi ngjajshmërive të kohës sonë, me probleme politike, sociale dhe konfliktuale, herë të ngjajshme e herë të ndryshme nga koha e Euripidit. Ky është teatri dhe roli i tij në jetën moderne.