"Përshtypjet e mia nga një udhëtim pune, me një "zyrtar autoritar"
Delegacioni u fut në radhën e kontrollit të pasaportave në Rinas. Zëri autoritar i njërit prej pjesëmarrësve, më kërkoi të kaloja në zonën "VIP"… !!!… Që në hyrje, më morën gjithë mirësjellje pasaportën, bagazhin, pallton. Më shërbyen brenda sekondës kafenë, shoqëruar me biskota. Më pyesnin vazhdimisht nëse isha mirë … !!!..Unë vazhdoja të isha aq njëlloj, sa ç'kam qenë në 8 vitet e fundit që udhëtoj.
Kur avioni donte vetëm dhe 10 minuta të ngrihej, unë, isha akoma e vetme në dhomën e «Vipave»!!!, kurse zyrtari autoritar (zotëria me të cilin duhej të kryeja këtë udhëtim pune), akoma nuk kishte ardhur. E shqetësuar, e marr në telefon. «Po pi kafe këtu ngjitur» - më tha. Kafe??
Stjuardesa, përtej receptorit, e lëshoi shumë të lartë piskamën. Në çastet e fundit, bashkë me rëndësinë e tij artificiale, mbërriti edhe zyrtari i lartë. Në avion u ngatërruan vendet dhe ai përfundoi në radhën 7. Gjithë siklet, e pashë veten pre të falsitetit të tepruar, 5 radhë para tij.
Në Tiranë, kërkesat ishin për prenotime taksish dhe luksi, në takime. Me të shkelur në tokën e huaj, as taksixhiu nuk ishte në gjendje të kuptonte kapadaillëkun, në gjuhën e padëgjuar.
Në vizitat zyrtare, autoriteti i VIP-it shqiptar, u zhduk si me magji. Anglishtja e çalë e la në baltë, njohuritë e cunguara mbi çështjet që diskutoheshin, gjithashtu!
Gjatë drekës zyrtare, pashë çlirimin që ndjente të rrintë lirshëm, pa qenë nevoja të respektojë kapadaillëkun e shtrirë gjithandej në administratën nga vjen, me dyert e blinduara e rojet e pafund. Pa titull, pa status, pa komunikim e pa roje, vendi i tij në radhën 7, edhe në kthim, m'u duk mëse i mjaftueshëm.