E Shtunë, 31 Tetor 2026

Danezët dhe gjyqtarët, dush me ujë të ftohtë

Edhe pse në fushën e lojës Shqipëria ka ndryshuar, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për futbollin në përgjithësi në vendin tonë. Mbi të gjitha për kushtet në të cilat luhet sporti më popullor në botë. Pas barazimit historik 1:1 me Danimarkën, që prishi serinë negative që zgjaste prej më shumë se 40 vjetëve me nordikët, u regjistrua një episod aspak i këndshëm. Nga dushet e dhomave të zhveshjes në stadiumin "Qemal Stafa" ka dalë vetëm ujë i ftohtë. Një gjë e tillë i ka rënë në sy treshes turke të gjyqtarëve, të cilët kanë raportuar menjëherë te delegati i përcaktuar nga UEFA për ndeshjen e së mërkurës, italianit Danilo Filakione. Zyrtari nuk e priti mirë faktin që "bilbili" kryesor, turku Kuneit Çakir, dhe asistentët e tij, Bahatin Duran e Tarik Ongun ishin të detyruar të laheshin me ujë të ftohtë, duke u ankuar: "Çfarë po thoni, çfarë ndodh këtu. Nuk ka mundësi që të ndodhë diçka e tillë". Mungesa e kushteve minimale vetëm sa e ka komplikuar situatën e Shqipërisë në sytë e të dërguarit të UEFA-s, i cili më parë ishte acaruar me sjelljen e tifozëve, që vetëm pak sekonda pas mbarimit të ndeshjes pushtuan fushën. Filakione u kërkoi zyrtarëve të Federatës Shqiptare të Futbollit largimin e menjëhershëm të njerëzve, ndërsa ishte i pakënaqur edhe për faktin se pista u improvizua në vend konferencash, ku trajneri Josip Kuzhe dhe lojtarët analizuan paraqitjen e skuadrës.

Te delegati i takimit, për mungesën e ujit të ngrohtë në dushe janë ankuar edhe danezët. Një pjesë e madhe e lojtarëve të përfaqësueses së drejtuar nga Morten Olsen u detyruan të shkojnë në hotel pa u larë, ndërsa nuk munguan edhe më të "guximshmit", që provuan ndjesinë e dushit me ujë të ftohtë. Mbi këtë fakt kanë ironizuar edhe mediat daneze. E përditshmja "Ekstrabladet" shkruante: "Në rubinetet e stadiumit ‘Qemal Stafa‘, që furnizonin dushet e përfaqësueses daneze mungonte uji i ngrohtë. Në Tiranë Danimarka provoi (jo vetëm në kuptimin figurativ, për rezultatin zhgënjyes) një dush të ftohtë". Ky problem, i impiantit që me vështirësi plotëson parametrat minimalë për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare, i shkaktuar nga menaxhimi i keq rrezikon t‘i kushtojë shtrenjtë FSHF-së. Natyrisht që delegati nuk do të hezitojë të raportojë të gjitha problemet që ka vënë re pas ndeshjes dhe Shqipëria rrezikon të gjobitet nga FIFA për marrjen e masave të dobëta organizative.

Mungesa e një stadiumi modern ku përfaqësuesja jonë mund të luajë është një problematikë e ngritur prej kohësh. Episode të tilla skandaloze në "Qemal Stafa", nuk janë të padëgjuara. Më parë "dushin me ujë të ftohtë" e kishin provuar edhe yjet e Milanit, në miqësoren e 12 majit që kuqezinjtë e drejtuar në atë kohë nga Karlo Ançeloti zhvilluan me Kombëtaren "B". Filipo Inzagi ka dalë tejet i mërzitur nga dushet pa ujë të ngrohtë, ndërsa legjenda e futbollit italian, Paolo Maldini, shprehte të gjithë habinë e tij me dy fjalë kuptimplota: "Mamma mia!", si për të thënë "çfarë ndodh në këtë vend"...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›