E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erjon Bogdani, hero në Suedi

Në minutën e 51-të, kur ka shtyrë drejt rrjetës daneze atë top të marrë nga Salihi, ngriti peshë zemrat e të gjithë shqiptarëve, por jo vetëm. Bëhet fjalë për Erjon Bogdanin, autorin e golit të vetëm të Shqipërisë në barazimin historik kundër Danimarkës. Gëzimi për këtë gol i ka kaluar kufijtë kombëtarë dhe ka mbërritur deri në Suedi e Portugali. Një gjë të tillë e konfirmon edhe fakti se për ndeshjen e luajtur në Tiranë ka pasur një interesim të madh të shtypit të këtyre dy vendeve, kombëtaret e të cilave janë edhe rivalet direkte të Danimarkës për vendin e parë në grupi 1. E përditshmja sportive suedeze, "SPORT-Expressen", e cila ka pasur në "Qemal Stafa" edhe të dërguarin e saj, i ka kushtuar hapësirë në faqet e saj prononcimit të protagonistit shqiptar të kësaj ndeshjeje, Bogdanit, i cili konsiderohet tashmë si hero edhe prej tyre, pasi me rezultatin 1-1 ka qenë njëkohësisht një ndihmë për suedezët, që cilët falë golit të tij tashmë shikojnë më shumë shanse për kualifikim. "Unë jam i kënaqur që munda të ndihmoj Suedinë", është shprehur Bogdani për gazetarin suedez të "SPORT-Expressen", në orët e vona të së mërkurës. Suedezët i janë mirënjohjes Bogdanit për golin që i shënoi rivalit direkt të tyre. "Ishim në një gjendje të mirë, shton sulmuesi. Ishte një ndeshje e bukur. Danimarka është një ekip i fortë, por kemi luajtur në shtëpi dhe shfrytëzuam momentin tonë të mirë". Shtatlarti shqiptar ka sqaruar se në momentin që ka shënuar as që e ka pasur mendje se po ndihmonte Suedinë, por thjeshtë ishte "i lumtur për golin ndaj një prej ekipeve më të mira në grup. Kemi përmirësuar shumë pas ardhjes së trajnerit të ri, kemi punuar shumë edhe faktikisht". Ndeshjen e fundit në këto eliminatore Shqipëria do ta luajë pikërisht kundër Suedisë më 14 tetor 2009, prandaj Bogdani i paralajmëron suedezët se kuqezinjtë duan pikë: "Do të jetë një ndeshje e vështirë, si në Danimarkë, por ne do të japim më të mirën. Ne nuk vijmë këtu për t‘ju ndihmuar, por synojmë të marrim pikë". Gjithsesi, ai i uron suedezët që të fitojnë në sfidën direkte me Danimarkën. "Të dyja ekipet luajnë mirë. Por do më pëlqente të fitonte Suedia. U gëzova që morët tri pikët ndaj Maltës. Tani paç fat Suedi!", nënvizon Bogdani, i cili në lidhje me pyetjen "Tani ju jeni hero në Suedi, çfarë mendoni për këtë?", përgjigjet: "Mirë, shumë faleminderit. Jam i kënaqur që ndihmova Suedinë të ketë më shumë shanse për kualifikim. Por jam më i kënaqur që ne bëmë një ndeshje të mirë ndaj Danimarkës", përfundon Bogdani. A. Manallari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›