Danezët duhet të ndalin Ronaldon!
Danimarkë – Portugali
Kristiano Ronaldo dhe skuadra e Bentos nuk kanë alternativë tjetër veç fitores ndaj Danimarkës, për të mbajtur ende gjallë shpresat për arritjen në çerekfinale
Danimarka pritet të aktivizojë Mikael Silberauer si markuesin një për një të Kristiano Ronaldos, ashtu siç bëri gjatë ndeshjes kualifikuese në shtëpi të danezëve, të fituar kundër portugezëve. Mbrojtësi i majtë, Simon Poulsen, pritet ti lërë vendin atij, teksa formacioni do të pësojë ndryshime.
Trajneri i Portugalisë, Paulo Bento, mund të zëvendësojë Helder Postigën me Hugo Almeidën, i cili është rikuperuar nga gripi, ose ti japë mundësinë e debutimit 20-vjeçarit Nelson Oliveira. Anësori Rikardo Kuarezma ka lënë pas shpine tashmë tërheqjen muskulore në këmbë dhe mund të jetë gati për këtë ndeshje.
Pikërisht, ajo që nuk të duhet kur të mungon fati, apo kur je në kërkim me dëshpërim të një fitoreje, është një ndeshje ndaj ekipit që të ka prishur më parë punë. Kjo është ekzaktësisht, ajo që po i ndodh Portugalisë kur të përballet me Danimarkën, një ekip që i mbylli përpara tyre eliminatoret e Euro 2012 dhe Botërorit 2010.
Nëse ajo ecuri vazhdon edhe në Lviv, atëherë Kristiano Ronaldo dhe shokët e tij do ta shihnin veten e tyre mbi një fluturim kthimi në vendlindjen e tyre.
Përgatitjet para Europianit nuk kanë qenë pozitive për portugezët, me asnjë fitore dhe vetëm 1 gol të shënuar në 4 ndeshjet e fundit, një formë që askush prej pjesëmarrësve në këtë eveniment nuk do ta dëshironte.
Të besuarit e Paulo Bentos goditën dy herë shtyllën ndaj Gjermanisë, fundjavën e kaluar, teksa po i rezistonin më së miri atyre, por dështimi për të shfrytëzuar ato raste do të ndikojë shumë pak në rritjen e atij që perceptohet si besim i brishtë, sidomos pa një organizator të mirëfilltë në mesfushë.
Sipas raportimeve, portugezët i kanë dedikuar një seancë stërvitore goditjeve në portë në fillim të kësaj jave por, a do të japë kjo efektin e dëshiruar?
Niklas Bendtner dhe Mikael Krohn-Dehli, heroi i danezëve në fitoren e parë befasuese ndaj Holandës, kanë kujtime të mira nga përplasjet me Portugalinë, duke qenë se të dy ata kanë shënuar në fitoren 2-1 të danezëve në Kopenhagen, tetorin e kaluar, duke i detyruar portugezët të luajnë ndeshjet play-off për të siguruar pjesëmarrjen në këtë Europian.
Plani i ndeshjes së vendasve atë natë, për të ndalur Kristiano Ronaldon, funksionoi ndaj dhe ata do të kërkojnë të bëjnë të njëjtën gjë edhe në Lviv. Danezët, të konsideruar nga të gjithë si të eliminuar të sigurt përpara se të luhej topi i parë në grupin e tyre, treguan të shtunën e kaluar se mund të shkëlqejnë kur kanë statusin e të voglit.
Portieri Stefan Andersen, i cili shkëlqeu ndaj holandezëve, zbuloi: Ende e konsiderojmë veten tonë si jo pretendent… kështu do të jemi edhe në dy ndeshjet e radhës. Fitorja për të besuarit e Morten Olsenit mund të vendosë seriozisht macen mes pëllumbave, në atë që konsiderohet si grupi i vdekjes, duke të qenë të sigurt drejt çerekfinaleve.
