Rusia mbron kreun, Polonia mbetet gjallë!
Mbyllet 1-1 ndeshja e luajtur në Varshavë. Xagojev kalon në avantazh miqtë, ndërsa Blaszikovski barazon për vendasit. Verdiktet në Grupin A do të jepen më datë 16 qershor
Vendosin kapitenët, në të mirë e në të keq. Jemi në minutën e 56-të të ndeshjes Poloni-Rusi, Arshavin udhëheq një kundërsulm që mund të sjellë golin e dytë për rusët dhe do të ngrinte përfundimisht Varshavën, por Andrij gabon një pasim elementar.
Polonia niset në kundërsulm dhe në anën tjetër të fushës, kapiteni tjetër, Kuba Blaszikovski lëshon një predhë që ndalet në rrjetë dhe vulos barazimin 1-1.
Mbyllet në paqe ndeshja më e rëndësishme e Grupit A. Në fushë pati fair-play, ndërsa tifozët u përplasën para dhe pas fillimit të ndeshjes. Megjithatë, fakti që të dy ekipet morën nga një pikë nuk e ndezi më tej natën e Varshavës.
Levandovski i vetëm
Për shkak të renditjes dhe për shkak të faktorit fushë duhet të ishte Polonia ajo që do të sulmonte. Por trajneri Smuda i konsideroi rusët më të aftë se të besuarit e tij dhe i la të bënin lojë, duke u bazuar vetëm te një mbrojtje e ngjeshur. Shumë futbollistë në prapavijë dhe kundërsulme të shpejta.
Në këto kushte i shkreti Levandovski duhet të bëj ndonjë një mrekulli për të shfaqur i rrezikshëm për portën e Malafevit. Mbështetja që duhet ti vinte nga Obranjak dhe Blaszikovski mungoi totalisht deri në fundin e pjesës së parë. Blaszikovsi e pati të vështirë ndaj Zhirkovit, ndërsa Ignasheviç anuloi depërtimet nga mesfusha.
Shkëndija e Xagojevit
Rreziku i vetëm për rusët në 45 minutat e para erdhi nga goditjet e mbrojtësve Bënish dhe Perkis, që e detyruan portierin Malafev të tregonte aftësitë e tij.
Pjesën tjetër të lojës e bënë të besuarit e Advokatit. Anjukov dhe Zhirkov pushtuan krahët ndërsa mesfusha ishte nën kontrollin e Zirjanovit, Denisovit dhe Shirokovit. Sulmuesi Kezhakov ishte shumë dinamik në lojën e tij, edhe pse nuk shfaqi qartësi para portës.
Arshavin konsiderohet si mjeshtër i goditjeve standarte dhe një e tillë sjell golin e Xagojevit, shtatë minuta para fundit të pjesës së parë. Talenti i CSKA-së së Moskës tundi rrjetën me kokë, duke firmosur golin e tij të tretë në Euro 2012, ku kryesorn renditjen e golashënusëve. Xagojev, e ardhmja e futbollit rus, ka lindur në vitin 1990.
Kuba, çfarë goli…
Pjesa e dytë nisi ashtu si u mbyll e para. Polonia qëndron në pritje, ndërsa Rusia kontrollon manovrën. Por Arshavin gaboi fatalisht dhe në vend që të ndërtonte golin e dytë për ekipin e tij ngjalli një kundërsulm që i dha mundësinë Kuba Blaszikovskit të shënonte një gol të mrekullueshëm.
Një goditje e saktë nga jashtë zone, hakmarrja ideale ndaj Zhirkovit, që deri në atë moment e kishte zbehur plotësisht mesfushorin e Dortmundin. 1-1 në Varshavë dhe ky rezultat ngjall besimin te polakët. Advokat merr masa me dy zëvendësime, Pavljuçenko dhe Ismailov marrin vendin e Kerzhakovit dhe Xagojevit.
Barazim i pranueshëm
E ndihmuar nga publiku i Varshavës dhe nga një Blaszikovski që e mbylli ndeshjen në rritje, Polonia e Smudës nisi të besojë te përmbysja e madhe dhe vuri në vështirësi Rusinë. Megjithatë, kalimi i minutave solli lodhjen në këmbët e lojtarëve.
Barazimi i jep mundësinë Polonisë ta ketë fatin në duart e saj për ndeshjen e fundit, kësisoj nuk është një rezultat për tu hedhur poshtë. Pika e marrë do ti jepte mundësinë rusëve të mbronin vendin e parë dhe në mënyrat e fundit asnjë prej dy ekipeve nuk merr përsipër rreziqe të mëdha.
Vërshëllima finale e gjyqtarit Shtark do të thotë se gjithçka do të vendoset në raundin e fundit të ndeshjeve më 16 qershor. Rusia ka katër pikë dhe do të ndeshet me Greqinë që ka një pikë, ndërsa Polonia me dy pikë do të ndeshet Çekinë, e cila ka tri pikë dhe mund të kualifikohet në rast barazimi.