E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja: Prokuroria të nisë hetimet për dhëndrin e kryeministrit

Numri dy i grupit socialist, Erion Braçe, thekson se BB-ja bën përgjegjëse drejtuesit e projektit

TIRANË- Përfundimet e nxjerra nga raporti i Bankës Botërore mbi zbatimin e projektit "Për Menaxhimin e Integruar dhe Pastrimin e Bregdetit në Shqipëri", përbëjnë për socialistët arsye të mjaftueshme që Prokuroria e Përgjithshme të nisë hetimet edhe për këtë çështje.


Në kulmin e debatit që shkaktoi ky raport dhe zbulimi i abuzimeve që evidentohen në të nga ana e Bankës Botërore, Partia Socialiste, nëpërmjet nënkryetarit të saj të grupit parlamentar, Erion Braçe, duke iu referuar kryesisht problematikës së evidentuar në fshatin Jalë në bregdetin e Jugut, ka vlerësuar se konstatimet e bëra në më shumë se dy herë nga ky institucion, duhet të jenë pikë referimi për organin e akuzës, i cili, sipas tij, duhet të nisë hetimet mbi drejtuesit e projektit në vendin tonë dhe kryesisht për dhëndrin e kryeministrit Jamarbër Malltezi, si drejtues i tij.

"Dua t'u them se kjo është histori e ndyrë shpërdorimi dhe korrupsioni në funksion të sistemit ekonomik kriminal të Sali Berishës dhe aspak shpifje, abuzime apo produkt i lojës së luftërave që shpik Berisha mes lobeve në BB. Nisur dhe duke lexuar me vëmendje raportin, besoj se ky është një material serioz, imponues ndaj prokurorisë për të nisur hetim penal, kryesisht për fajet, gabimet, dëmet e kryera ndaj pronave të 12 familjeve në Jalë", - u shpreh Braçe.


Duke u ndalur tek Jala, e cila duket se ka qenë në qendër të kontrollit të BB-së, PS-ja e bazuar edhe tek deklarimet e vetë banorëve të kësaj zone, konstaton se në mënyrë të koordinuar dhe për interesa të pista korruptive, policia e ndërtimit ka vepruar në mënyrë selektive në prishjen e ndërtimeve.

"Raporti evidenton qartë atë që dëshmojnë dhjetëra banorë të Jalës, goditjen selektive të drejtorit të projektit dhe policisë së menaxhuar nga vjehrri i tij kryeministër, mbi 12 prona për të pastruar nga biznese familjare legale prej dhjetëra vitesh, territorin tregtar të Jalës, për të marrë tamam këtë biznes më vonë.


Këtë nuk e pohon vetëm raporti i hetimit, por e pohon paraprakisht Banka Botërore", - tha më tej Braçe. Në këtë kuadër, selia rozë vlerëson se përpjekjet e përfaqësuesve të qeverisë për ta paraqitur panelin e inspektimit që ka hetuar mbi këtë projekt, si jo të Bankës Botërore, jo serioz, tendencioz dhe politik, nuk bëjnë gjë tjetër, veçse shtojnë edhe më tej përgjegjësinë e kryeministrit Berisha në raport me këtë institucion me reputacion të madh në fushën ekonomike në botë.

PS-ja sqaron se paneli është institucioni i BB-së, i ngritur enkas nga ky institucion për të shqyrtuar raste ankesash për abuzime me projektet e Bankës.


Duke iu referuar raportit, Braçe theksoi se hetimi i këtij institucioni ka qenë direkt mbi veprimet e drejtuesit e projektit në Shqipëri, në ushtrimin e detyrës së tyre në menaxhim të projektit dhe të gjitha konkluzionet janë të drejtpërdrejta posaçërisht për ta dhe funksionet që kryejnë. "Ne, që në ditën e parë e kemi cilësuar emërimin e dhëndrit të Sali Berishës në menaxhimin e këtij projekti me portofol dhjetëra milionë euro, si skandaloz dhe në konflikt të pastër interesi", - u shpreh Braçe.

Konflikti i interesit, sipas selisë rozë, thellohet edhe më tej nga pjesëmarrja e vajzës së kryeministrit, e cila siç reklamon dhe një nga kompanitë imobiliare angleze që operojnë edhe në vendin tonë, është konsulente për aktivitetin e shitblerjes së tokave, pikërisht në zonën e bregdetit të jugut, ku shtrin veprimtarinë edhe ky projekt.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›