Dosjet, Biberaj: PD-ja të reflektojë
Aleksandër Biberaj ka kërkuar që mazhoranca të reflektojë ndaj kërkesave të ndërkombëtarëve
TIRANË - Aleksandër Biberaj është i vetmi zë publik nga Partia Demokratike, që kërkon bisedime nga mazhoranca me përfaqësuesit ndërkombëtarë për ligjin e dosjeve.
Pas deklaratës publike të ambasadorit amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, i cili tha se qeveria duhet të reflektojë për ligjin e dosjeve, deputeti i PD-së, ka thekuar se ka hapësira për një kërkesë të tillë.
"Ligji i lustracionit është një ligj shumë i rëndësishëm, i cili absolutisht duhet zbatuar në Shqipëri. Ndonëse jemi me vonesë, duhet të kemi parasysh që këtë ligj e kanë zbatuar të gjitha vendet e tjera të Evropës Juglindore.
Gjithsesi, unë mendoj që ka hapësirë që mazhoranca të bisedojë me partnerët tanë strategjikë, me partnerët ndërkombëtarë, në mënyrë që të arrihet një kompromis i kënaqshëm. Pra, duke mos prekur thelbin e ligjit, por duke qenë në sinkron me qëndrimin e SHBA-së, Britanisë së Madhe, si dhe të vendeve kryesore të Bashkimit Evropian",- tha ai. Biberaj theksoi se ligji i lustracionit është një ligj i rëndësishëm, që synon pastrimin e politikës shqiptare, të sistemit të drejtësisë, të administratës publike, por edhe të shoqërisë shqiptare nga e kaluara e errët e sistemit komunist.
Megjithatë, përpos qëndrimit të tij për dosjet, Biberaj gjykon se ka hapësirë për të biseduar me aleatët tanë strategjikë, SHBA-në, Britaninë e Madhe, si dhe Bashkimin Europian, me qëllim që të arrihet një zgjidhje e pranueshme, konform standardeve ndërkombëtare.
Në këto kushte, deputeti demokrat solli në vëmendje kontributin dhe përkrahjen e këtyre vendeve për ecurinë e reformave në vend, si dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe integrimin në BE.
Ndërkombëtarët kanë qenë në një zë sa i përket ligjit të dosjeve. Ata kanë ngritur shqetësim antikushtetueshmërinë e ligjit, si dhe kanë evidentuar probleme lidhur me procedurën që është ndjekur, por edhe përmbajtjen.
Por, me gjithë shqetësimin e vazhdueshëm të ndërkombëtarëve, qëndrimi i PD-së ka qenë i pandryshueshëm. E vetmja garanci që demokratët kanë dhënë është zbatimi i ligjit me transparencë të plotë.