E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trajtimi, të përndjekurit ankohen tek Presidenti


Një përfaqësi e të përndjekurve shpreh shqetësimin për mungesën e dëmshpërblimit, shkollimit dhe punësimit


Ish-të përndjekurit ankohen
tek Topi për qeverinë

TIRANË- Në vitin e katërt të qeverisjes, mazhoranca aktuale nuk bëri asgjë në drejtim të kërkesave të ish-të përndjekurve edhe pse për këtë shtresë, Partia Demokratike premtoi jo pak gjatë fushatës elektorale të vitit 2005.


Ata ndihen të papërkrahur në shkollim, por mbi të gjitha të pakompensuar për vitet e burgut gjatë sistemit komunist. Shqetësimi i tyre ka qenë i drejtpërdrejtë në takimin që Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi me një përfaqësi të ish-të përndjekurve politikë nga Malësia e Madhe.

Sipas njoftimit për shtyp të Presidencës, ish-të përndjekurit i parashtruan Topit shqetësimet e tyre lidhur me trajtimin dhe me pengesat që ndeshin si shtresë shoqërore, si për sa i përket dëmshpërblimit, shkollimit, punësimit, ashtu edhe me rehabilitimin dhe integrimin e tyre të plotë në shoqërinë bashkëkohore shqiptare, si dhe vlerësimin e merituar historik të kryengritjes antikomuniste të 23-25 janarit 1945 në Malësinë e Madhe.

Nga ana e tij, Kryetari i shtetit u shpreh se i ka ndjekur gjithmonë me vëmendje shqetësimet e tyre të përcjella institucionalisht dhe përmes mediave, duke theksuar se: "është detyrim jo thjesht i institucionit, por është dhe detyrim moral. Ju jeni një përfaqësi të nderuar të një zone të nderuar, me një shtresë që ka përballuar shumë sfida të hidhura të jetës, shumë vuajtje, por që është një shtresë që ka ditur me shumë fisnikëri të jetë mbështetëse e proceseve demokratike në Shqipëri.

Patjetër që jeni tharmi i stimulimit të të gjitha proceseve pozitive, që duhet të ketë shoqëria jonë". Presidenti Topi u sugjeroi përfaqësuesve të ish-të përndjekurve politikë që të shfrytëzojnë të gjitha rrugët edhe mundësitë institucionale e demokratike për të nxjerrë në pah problemet e tyre dhe për t'i zgjidhur ato.


Presidenti Topi theksoi "rëndësinë e mbrojtjes dhe evidentimit të vlerave të vërteta historike dhe morale, të ruajtjes së harmonisë shoqërore si dhe nevojën për vlerësim dhe integrim të kësaj shtrese aq shumë të rëndësishme të shoqërisë shqiptare". Kreu i shtetit i siguroi përfaqësuesit e ish-të përndjekurve nga Malësia e Madhe se, do të vazhdojë të ndjekë me vëmendje shqetësimet e tyre dhe se do t'i mbështesë ata institucionalisht në cilësinë e Presidentit të Republikës, duke ushtruar të gjitha kompetencat që i jep Kushtetuta dhe ligjet në fuqi.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›