"Dosjet", prokurorët ankohen në Gjykatën Kushtetuese
Krahas prokurorëve, edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Ky i fundit kërkon fillimisht pezullimin e ligjit
TIRANË- Shkon në tre numri i kërkesave të depozituara në Gjykatën Kushtetuese, për të shpallur si antikushtetues ligjin "Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve".
Pas socialistëve, është komuniteti i prokurorëve dhe shoqëria civile, që do t'i bashkëngjiten nismës për ta ankimuar ligjin në Gjykatën Kushtetuese. Ka qenë vetë Gjykata Kushtetuese ajo që ka njoftuar dje nëpërmjet një deklarate për shtyp, depozitimin pranë saj të tre aktpadive, dhe konkretisht nga një grup prej 36 deputetësh të majtë dhe të djathtë, nga "Shoqata Kombëtare e Prokurorëve të Shqipërisë" dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit.
Prokurorët
"Shoqata Kombëtare e Prokurorëve të Shqipërisë" e drejtuar nga Shkëlqim Hajdari, ka depozituar dje në mesditë kërkesën e saj, me objekt deklarimin të papajtueshëm me Kushtetutën të gjashtë neneve të ligjit të dosjeve, ose më konkretisht të nenit 3, gërma "d", neni 4, gërma "f", neni 6, neni 14/2/3, neni21, neni 23/3 të ligjit "Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve".
Më konkretisht, prokurorët nuk pajtohen me nenin tre, që ka të bëjë me subjektet që do t'i nënshtrohen verifikimit, ku përfshihen anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe gjyqtarët e prokurorët pranë gjykatave dhe prokurorive të të gjitha niveleve. Sipas kësaj shoqate, një përcaktim i tillë bie ndesh me Kushtetutën, ligjin e prokurorisë si një institucion i pavarur kushtetues, si dhe me parimin e ndarjes së pushteteve.
Gjithashtu, në padinë e tyre, prokurorët godasin si antikushtetues edhe nenin 4, që ka të bëjë me përcaktimin e funksioneve të papajtueshme me ligjin. Sipas kërkesës së depozituar, kjo shoqatë vëren se përfshirja në funksionet e papajtueshme edhe të prokurorëve dhe ndihmësprokurorëve që kanë vepruar gjatë periudhës së komunizmit, përbën shkelje të Kushtetutës, pasi kërkon të penalizojë këtë kategori për detyrat e kryera konform ligjeve.
Pjesë e neneve të atakuara është edhe neni 6, që përcakton statusin dhe përbërjen e Autoritetit të Kontrollit të Figurave. Sipas prokurorëve, me anë të kësaj dispozite kërkohet të ngrihet një institucion me përbërje politike për të verifikuar figurën e zyrtarëve të institucioneve të pavarura.
Komiteti i Helsinkit
Zërit të opozitës, institucioneve të pavarura dhe organizmave ndërkombëtarë, i është bashkuar edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, si pjesë e shoqërisë civile në Shqipëri, i cili të hënën e shkuar ka depozituar kërkesën e vet për të shpallur në kundërshtim me Kushtetutën ligjin e ashtuquajtur të dosjeve.
Por, ndryshe nga prokurorët, të cilët i kanë të detajuara nenet që godasin, KSHH-ja atakon gjithë ligjin. Komiteti i kërkon gjykatës fillimisht të pezullojë zbatimin e ligjit dhe më pas të bëj trajtimin e kërkesës, duke e parë ligjin në themel.
Një kërkesë të ngjashme, por natyrisht më të plotë, kanë paraqitur edhe një grup deputetësh, kryesisht socialistë, të cilët pretendojnë se ligji bie ndesh me 28 nene të Kushtetutës. Ndërkohë që pranë kësaj gjykate janë depozituar tri kërkesat, gjyqtarët kushtetues prej më shumë se një jave ndodhen jashtë vendit, në një seminar ndërkombëtar.
Pavarësisht nevojës së shprehur nga opozita për ta trajtuar këtë çështje me procedurë të përshpejtuar, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese pritet të kthehen vetëm ditën e premte.