PDK-ja: Pse votuam pro buxhetit të Tiranës
Vendimi i PD-së dhe LSI-së s'motivohet nga interesat e qytetarëve të kryeqytetit
TIRANË- Demokratët në këshill janë lënë në baltë, ashtu sikurse ndodhi në votimin e së martës, edhe nga aleatët e tyre tradicional të PDK-së. Në një ditë të mbushur me deklarata, PDK-ja doli hapur kundër farsës së ndodhur në përfundim të mbledhjes së Këshilli Bashkiak, ku u mohua kalimi me mazhorancë votash i buxhetit të sjellë nga bashkia për vitin 2009.
PDK-ja akuzoi për bllokimin e projektbuxhetit grupimin LSI-PD, të cilët nuk kanë projekte alternative, duke u kërkuar këshilltarëve të këtyre forcave të reflektojnë interesat e qytetarëve dhe jo të partive.
Demokristianët kanë deklaruar votën "pro" të dhënë në favor të buxhetit nga përfaqësuesi i tyre në Këshillin Bashkiak, duke hequr çdo dyshim për gabim të mundshëm.
"Përfaqësuesi i Partisë Demokristiane në Këshillin Bashkiak të kryeqytetit, ka votuar dje pro projektbuxhetit të paraqitur nga Bashkia e Tiranës në Këshillin Bashkiak. PDK-ja e ka gjykuar dhe e gjykon të gabuar vendimin e këshilltarëve që përfaqësojnë parti të mazhorancës dhe të opozitës në këshill, për të bllokuar buxhetin e bashkisë së kryeqytetit, ndërkohë që ata vijnë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak pa asnjë alternativë zgjidhjeje.
Është e qartë se vendimi i këtyre këshilltarëve nuk motivohet nga interesat e qytetarëve të kryeqytetit, po nga interesat e ngushta partiake në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare",- thuhet në deklaratën e PDK-së.
Kryebashkiaku Edi Rama e cilëson të përfunduar votimin. Nga dje çelen fondet për qytetarët e Tiranës