Danimarkë-Portugali, kryendeshja për një biletë
Në grupet B.F dhe H nuk ka ende një fitues matematik, që do të shpallet vetëm pas këtij 90 minutëshi
Do të jetë një sfidë e fortë ajo mes Danimarkës dhe Portugalisë. Dy ish-rivalet e Shqipërisë në eliminatoret e Botërorit 2010, do të ndeshet sot në Kopenhagen ku do të caktojnë edhe fituesen e grupit, çka përkthehet me një kualifikim direkt për në Euro 2012. Humbësja do të kishte mundësinë që të kalonte në play-off, por një rrezik vjen edhe nga Norvegjia, e cila duhet të mposhtë Qipron me 6 gola që të pretendojë të “vjedhë” vendin në play-off nëse një prej Danimarkës dhe Portugalisë humbet. Ndeshja e parë në vendin luzitan ka përfunduar me fitoren 3-1 të Kristiano Ronaldos me shokë, ndaj edhe një barazim në ndeshjen e sotme do t’u shkonte për shtat. Portgezët do të merrnin vendin e parë në grup, ndërsa danezët paly-off-in, pavarësisht rezultatit të Norvegji-Qipro.
Tjetër grup që pret këto 90 minuta është ai F. Greqia ka 21 pikë, 2 më shumë se Kroacia e vendit të dytë. Po helenët kanë një detyrë të lehtë në Gjeorgji, ndërsa kroatët presin Letoninë. Dy ndeshje që duket se nuk do ta ndryshojë hegjemoninë e këtij grupi. E njëjta situatë paraqitet edhe në grupin B. Rusia ka dy pikë më shumë se Irlanda, por pret Andorrën. 3 pikë të sigurta për “arinjtë” që presin kurorën e vendit të parë vetëm matematikisht. Irlanda e Trapatonit e destinuar për një vend në play-off, vetëm nëse mposhten në shtëpi nga Armenia dhe këmbejnë vendet me këtë të fundit.
Holanda pikë të plota
Holanda është skuadra që ka më shumë pikë, plot 27 të grumbulluara nga 9 fitore radhazi. Fitore të plota ka edhe Spanja, por duke qenë se ka një skuadër më pak në grup, nuk ka arritur më shumë se 21 pikë pas 7 ndeshjes. Prandaj Robin van Persi beson se Holanda duhet të jetë favorite për të fituar kampionatin europian 2012. Tulipanët kanë shfaqur formë të mirë prej kur Bert van Marvijk u emërua trajner pas Euro 2008 dhe janë mposhtur në vetëm një ndeshje zyrtare nën drejtimin e tij, në finalen e Kampionatit Botëror 2010 nga Spanja. Sulmuesi i Arsenalit, Van Persi beson se bilanci i ekipit bënë që ata të konsiderohen fuqi e respektuar dhe se Holanda gjendet para skuadrave të tjera rivale si Italia dhe Franca. “Është e drejtë të thuhet se Holanda është në mesin e katër, ndoshta pesë ekipeve që janë favorite për të fituar Euro 2012. Mendoj se shumica e kombëtareve do të ishin dakort me mua. Asnjë ekip nuk ka avancuar më tepër se ne nga kampionati i kaluar europian. Skuadrat si Franca dhe Italia nuk kanë bërë hapa të tillë”, tha Van Persi për De Telegraf. Holanda është kryesuese në Grupin E të fushatës kualifikuese me pikë të plota (27) nga nëntë ndeshje.