Poker në avion me Bekalin, Picurka nën akuzë
Në Tiranë, trajneri Viktor Picurka është i qetë. Buzëqesh dhe deklaron se “nuk ka ardhur për hakmarrje në Shqipëri”. Ai pretendon “të zhvillojë një ndeshje të mirë dhe të fitojë”. Por në Rumani as që e kanë mendjen te ndeshja me Shqipërinë. Gazeta sportive “ProSport” ka lëshuar një lumë akuzash ndaj trajnerit Picurka. Njeriu që ngre gishtin kundër numrit një të stolit trikolor është Kornel Dinu, ish-lojtar dhe ish-trajner i përfaqësueses së Rumanisë. Për të, Picurka as nuk duhej të emërohej në krye të kësaj detyre pasi ai njihet për lidhjet e ngushta me familjen Bekali (Xhixhi Bekali, pronar i Steuas së Bukureshtit, menaxher lojtarësh dhe deputet në parlamentin rumun). “Familja Bekali ka dy apo më shumë lojtarë në kombëtare. Kjo është e tmerrshme. Ne jemi 20 milionë rumunë dhe këtyre u përket kombëtarja e Rumanisë dhe jo i një familjeje,” akuzon në faqet e ProSport Kornel Dinu. “Kur unë isha trajner i kombëtares u largova pas vetëm një viti për mungesë rezultatesh. Ky njeri rikthehet sërish,” thekson Dinu.
Më pas, ish-lojtari Kornel Dinu vijon me akuzat e tij duke dhënë detaje nga një ndeshje pokeri e zhvilluar në avion mes Picurkës, Xhovanit dhe Bekalit. “Unë dëshmoj se është zhvilluar një lojë pokeri, por nuk mund të them se çfarë shumash janë hedhur në të. Picurka ka luajtur me Xhixhii Bekalin dhe Netioi Xhovanin. Unë kam qenë në aeroplan së bashku me ta rrugës për në Gjenevë. Nuk u rashë në sy. Rrugës dëgjova Xhovanin që deklaronte se asnjë prej të dyve nuk do të fitonte, porse basti në lojë ishte një me dy mijë,” tregon Dinu, që më pas hap plahë të vjetra. “Picurka u kap në kazino duke luajtur. Ky njeri është pa kredibilitet, si mund t’ia japim atij kombëtaren? Ai nuk mund të drejtojë veten, jo më njerëzit,” përfundon deklaratën e tij Kornel Dinu
Ndërkohë, ka pasur edhe zëra pro Picurkës pas akuzave të Dinus. Dan Petresku, një legjendë e futbollit rumun, ka deklaruar se rruga e ndjekur nga Kornel Dinu, nuk është ajo e duhura. “Nuk bëhet kështu siç bën Dinu. Picurka është një njeri ambicioz dhe kërkon të bëjë mirë. Nëse Rumania nuk kualifikohet, nuk është vetëm faj i trajnerit”.