Lala luan të parafundit: Dua ta fitoj
Kapiteni i kuqezinjve luan ndeshjen e tij të fundit zyrtare, ndërsa në miqësoren me Azerbajxhanin do t’i japë lamtumirën fanellës kuqezi
Ka luajtur 78 ndeshje me fanellën kuqezi. Si askush tjetër. Sot do të luajë ndeshjen e tij numër 79 dhe pas një muaji, kundër Azerbajxhanit, Altin Lala do t’i rrumbullakosë ndeshjet në 80 dhe do t’i japë lamtumirën skuadrës kuqezi. Por përpara se ta çojë mendimin te lamtumira, “zotëria 100%” mendon që të fitojë përballjen e radhës kundër Rumanisë. Për të, një mbyllje dinjitoze e këtyre eliminatoreve, do të thoshte vërtet shumë.
Një ndeshje e rëndësishme pas katër humbjeve rresht. Si e mendoni këtë sfidë?
Shpresojmë që të zhvillojmë një ndeshje të mirë, meqë është dhe ndeshja e fundit dhe ku kemi pasur rezultate negative. Shpresojmë ta mbyllim me rezultat pozitiv. Natyrisht që Rumania është ekip i vështirë, ka lojtarë shumë të mirë. Por ne duhet të impenjohemi dhe pavarësisht se ndeshja e fundit nuk e ka motivacionin e duhur, te ne ka angazhim dhe motivacion për të marrë një fitore ndaj Rumanisë. Jemi të gjithë 100 për qind të motivuar.
Në ndeshjet e kaluara është thënë se trajneri ka faj. Në mendimin tuaj, a kanë bërë lojtarët gabime?
Jo, s’ka lidhje kjo. Që ka faj trajneri...Futbolli është sport skuadre dhe në fushë lojtarët vendosin. Unë mund të them se kemi bërë dhe gabime. Dhe nga gabimet ndëshkohesh gjithmonë. S’ka lidhje fare me trajnerin. Lojtarët në fushë duhet të jenë në 100 për qind të tyre dhe s’ka lidhje me teknikun.
Nga ndeshja me Bjellorusinë, në skuadër kanë ndodhur shumë ndryshme…
Si lojë..., ne patëm një pjesë loje me Francën, ku luajtëm mirë, e një tjetër jo të mirë. Nuk duhet t’i kthehemi ndeshjes me Luksemburgun, pasi është shumë negative. Me kartona, me rezultat. Ishte një ndeshje e dobët. Nëse fitonim me Luksemburgun, ne tani luanim për vend të tretë, pasi ishim në lojë plotësisht.
Çfarë nuk shkoi me Francën? ǒpërshtypje patët?
Ndeshjen me Francën e nisëm mirë, por ne u ndëshkuam nga gabime individuale. Kjo është ajo që shpeshherë na ka ndaluar të marrim rezultate pozitive. Ato gola që pësuam ishin në mënyrë shumë të thjeshtë. Ishte gjynah që pësuam gola aq të lehtë.
Kemi tetë pikë në këto eliminatore. Jemi jashtë objektivit, pavarësisht çfarë do të ndodhë ndaj Rumanisë?
Ne kemi pasur dhe ndonjë kritikë nga media. Të dilnim para Bjellorusisë në klasifikim ishte objektivi ynë. Por po të linim Bjellorusinë pas në grup do të ishte sukses. Por duke parë se Bjellorusia ka dhe individë më të mirë se ne, gjërat bëhen të vështira. Është ndeshja juaj e fundit?
Është e parafundit, pasi është dhe një miqësore. Kjo është ndeshja e fundit zyrtare.
Keni barazuar herën e parë me Rumaninë. Është një bazë e mirë për një rezultat pozitiv edhe këtë herë?
Ajo është një ndeshje e kaluar. Çdo ndeshje ka historinë e vet, e në këtë kuadër unë shpresoj të jemi në gjendje të mirë e ta fitojmë këtë përballje.
Lojtarët veteranë, sa ndikojnë në moralin e skuadrës, p.sh., Bogdani?
Ne kemi vite që luajmë bashkë. Edhe Bogdani ka shënuar gola të rëndësishëm në këtë edicion e shpresoj të shënojë sërish në këtë ndeshje.
Mendimi juaj për pasardhësin tuaj në fushë?
Ne duhet të kemi mundësinë të gjejmë lojtarë. Kombëtarja është e të gjithë shqiptarëve, nuk është prona ime. Shpresoj të dalë një lojtar i mirë. Edhe ka lojtarë cilësorë, por ata duhet të punojnë në klubet e tyre që të jenë të gatshëm me Kombëtaren.
Në Ligën e Europës, cili është objektivi i Lalës me Hanoverin?
Duhet të kalojmë më parë grupin e më pas të shohim ç’do të ndodhë. Të shohim se ç’na parashikon e ardhmja, pra çfarë kundërshtari mund të na bjerë.