E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, papunësia në shifra shqetësuese

Rritet numri i punëkërkuesve. Mungojnë projektet për nxitjen e punësimit

Në Durrës nuk kanë nisur ende projektet për nxitjen e punësimit. Gjithçka është në fazën e seleksionimit të ofertave dhe kërkesave, ndërsa mendohet se afro 150 të papunë mund të përfitojnë prej tyre dhe kryesisht në sektorët e konfeksioneve dhe ndërtimit. Krahasuar me një vit më parë, niveli zyrtar i papunësisë në Durrës ka njohur rritje. 304 të papunë të rinj i janë shtuar zyrtarisht numrit të të papunëve në rrethin e Durrësit në 5 muajt e parë të këtij viti. Në realitet numri i të papunëve është edhe më i madh. Pavarësisht një ekonomie të deklaruar në lulëzim, krahasuar me vendet e tjera të botës të pushtuara nga kriza globale, realiteti ofron një mori rastesh kur papunësia, mungesa e vendeve të punës po i çon mjaft familje drejt problemeve të mprehta ekonomiko-sociale. Familje të tëra janë në kufijtë e mbijetesës, shumë të tjera shkatërrohen për shkak të emigrimit në kërkim të një vendi pune që nuk arrijnë ta gjejnë këtu. Numri i atyre që marrin me listë ushqimet dhe artikujt bazë higjienikë, është shtuar jo vetëm në dyqanet e periferisë e fshatra, por edhe në lagjet kryesore të qytetit bregdetar. Shumë prej të papunëve as nuk denjojnë më të regjistrohen e të kërkojnë punë në zyrën përkatëse, sepse kjo zyrë nuk ka krijuar besim, me përjashtim të programeve të formimit profesional që kanë qenë dhe mbeten të mirëpritura. Për muaj të tërë kanë mbetur pa punë. Ofertat, edhe kur u janë dhënë, kanë qenë disamujore dhe më pas janë hedhur në rrugë. Burimet për të njohur situatën reale të papunësisë nuk mungojnë, por ato mbeten kontradiktore me njëra-tjetrën. Niveli i papunësisë llogaritet mbi bazën e atyre që e deklarojnë veten të papunë pranë zyrës së punës. Individë të ndryshëm me profesione dhe pa to, me arsim apo fare pa arsim, hyjnë e dalin vazhdimisht nga listat e të papunëve në zyrën e punësimit Durrës. Disa arrijnë të gjejnë një vend pune, të tjerë e humbasin shpresën dhe vendosin të marrin rrugët e emigracionit. Ka edhe nga ata që duke mbetur për një kohë të gjatë në listën e pritjes për punësim kanë mbërritur moshën e pensionit. Armata e të papunëve shtohet dhe shumë prej tyre as nuk e dinë që ka një zyrë që mund të ndërmjetësojë për punësimin e tyre. “është një punësim sezonal. Asgjë më shumë. Në momentin që t’i punësohesh kjo zgjat veç për pak kohë dhe kur shteti nuk të paguan më për punën që bën te privati, ai të nxjerr jashtë. Nuk i duhesh më”, thotë një grua, përfituese e projekteve për nxitjen e punësimit. Zyrtarisht niveli i papunësisë në rrethin e Durrësit është 10.8% e forcave aktive për punë. Në fund të vitit 2009, pranë kësaj zyre ishin regjistruar 5635 të papunë, ndërkohë që në fillim të muajit qershor numri i punëkërkuesve ka mbërritur në 5939. E ndërsa numri është rritur me 304 të papunë të rinj, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, këtë vit janë 784 më shumë të papunë. Aktualisht, pranë zyrës së punësimit në Durrës trajtohen me pagesë papunësie 426 persona dhe me ndihmë ekonomike 1311 të tjerë ose 508 familje, nga të cilët 126 janë gra kryefamiljare. Shumica e të papunëve janë pa ndonjë kualifikim dhe me arsim të ulët, por mes atyre që kërkojnë ndihmën e strukturave shtetërore për të siguruar një vend pune janë edhe 272 persona me arsim të lartë që qëndrojnë në pritje të një oferte. Aktualisht në Durrës numri i forcave aktive të punës është 54643, nga të cilët 48720 janë të punësuar në sektorin privat dhe atë shtetëror, ndërsa 5939 janë të papunë. Numrin më të lartë të punëkërkuesve të deklaruar zyrtarisht e zënë vajzat dhe gratë. Ndërkohë në rrethin bregdetar veprojnë 7007 subjekte private, nga të cilat 5847 janë persona fizikë dhe pjesa tjetër persona juridikë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›