Fier, numër i lartë konfliktesh për pronat
Konfliktet për tokën bujqësore në rrethin e Fierit mbeten në shifra të larta, ndërkohë që jo pak herë janë bërë shkak i përplasjeve. Konfliktet për tokën vijojnë të jenë shqetësim edhe për Komisionin e Verifikimit dhe Vlerësimit të Titujve të Pronësisë, të ngritur pranë Prefekturës së Fierit. Numri i ankesave që janë arkivuar pranë këtij komisioni është shumë i lartë, duke kaluar në më shumë se 1300 të tilla. Ndërkohë që edhe problematika e ankesave të depozituara pranë komisionit është e larmishme. “Më e ndeshur është problematika e zaptimit të tokës, si dhe akti i marrjes në pronësi të tokës sipas ligjit nr. 7501”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i Prefekturës së Fierit, Vasil Ndreko, i cili ka ndjekur nga afër punën e Komisionit të Verifikimit dhe Vlerësimit të Titujve të Pronësisë. Sipas Ndrekos, gjatë afro 2 viteve punë që nga ngritja e këtij komisioni, janë marrë në shqyrtim me qindra raste ankesash të ardhura nga fermerë të ndryshëm, të cilët akuzojnë për marrje të pronës dhe që kërkojnë zgjidhjen e çështjes së akteve të pronësisë së tokës bujqësore sipas ligjit nr.7501. Burimet zyrtare të Komisionit të Verifikimit dhe Vlerësimit të Titujve të Pronësisë thonë se kanë marrë zgjidhje afro 50% e ankesave të depozituara gjatë funksionimit të kësaj strukture, ndërkohë që sekretari i përgjithshëm i prefekturës jep shifër më të vogël. “Deri tani janë marrë vendime për 252 ankesa, ndërsa numri total i ankesave shkon në 1340. 14 ankesa janë njohur me vendimin e shfuqizimit të plotë të aktit të marrjes së titullit të pronësisë. Zgjidhje kanë marrë konflikte të ndryshme që kanë qenë prezent në Libofshë, Patos, Zharrëz e Fier. 5 vendime janë njohur me shfuqizime të pjesshme. Ndërkohë, po trajtohen të gjitha ankesat e tjera”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i prefekturës, Vasil Ndreko. Konflikti ende i pazgjidhur që nuk po merr rrugë as nga komisioni i ngritur pranë prefekturës është ai në Komunën Topojë, ku tre fshatra janë vënë në konflikt prej disa vitesh e që shpeshherë ka çuar në përplasje masive. Fermerët e fshatrave Sheqmarinas, Grykë dhe Topojë pretendojnë se tokat kufitare janë ndarë në mënyrë abuzive. Me të njëjtat përmasa mbetet edhe konflikti i tokës në fshatin Kuqar, fshat ky rreth 3 km larg qytezës së Patosit.
#