Dje u prishën katër lokale. Faza e dytë, në fillim të vjeshtës
Përfundon faza e parë e aksionit të Inspektoratit Kombëtar të Ndërtimit në bregdetin e Vlorës. Gjatë tri ditëve që zgjati aksioni, fadromat e Gjergj Bojaxhiut prishën më shumë se 102 objekte të ndryshme, ku pjesa më e madhe janë banesa, lokale, si dhe ndërtime të tjera të ndërtuara pa leje në zonën e Pyllit të Sodës, zonën e vilave qeveritare, Zvërnecit dhe lagjen “1 Maji”, pranë Repartit të Ndërhyrjes së Shpejtë. Aksionet e policisë ndërtimore në Vlorë u shoqëruan jo me pak tensione. Nuk munguan protestat dhe përplasjet me banorët, ndërkohë që pati dhe të shoqëruar në komisariat për shkak të kundërshtimit të policisë në momentin që po ju prisheshin shtëpitë.
Kreu i Inspektoratit të Vlorës, Sokol Qehajaj, ka shpjeguar për “Shqip” se kjo ka qenë vetëm faza e parë e aksionit për prishjen e ndërtimeve pa leje, të ngritura në bregdetin e Vlorës nga viti 2006 deri më sot. “Sot janë prishur 4 lokale, dy në Pyllin e Sodës dhe dy të tjera në bregdetin e Zvërnecit. Në këtë mënyrë mbyllëm fazën e parë të aksionit, për t’u rikthyer shumë shpejt për fazën e dytë.
Aksioni mund të nisë në fund të muajit gusht ose në fillim të shtatorit”, ka thënë Qehajaj duke shtruar se ndërtimorët nuk do të ndalen, derisa të gjitha ndërtimet që janë ndërtuar në mënyrë të paligjshme të shkatërrohen, si dhe të ndërgjegjësohen qytetarët që nuk do të ketë më ndërtime pa leje në territorin e Vlorës. Në bregdetin e Zvërnecit janë rrafshuar 90 ndërtime, nga të cilat 50 ishin lokale dhe restorante, ndërsa pjesa tjetër banesa të cilat shumë prej tyre shërbenin si turizëm familjar dhe nuk ishin të banuara. Po ashtu në zonën e ish-vilave qeveritare u prishën 12 ndërtime, të cilat ishin inekzistente, pasi Drejtoria e Rezidencave Qeveritare u kishte pezulluar punimet dhe ishin tashme të papërdorshme. Ndërkohë, pritet që aksioni i ndërtimorëve të vijojë në zonën e Gjirit të Lalëzit dhe më pas në të gjithë bregdetin shqiptar, ku janë konstatuar ndërtime pa leje.
#