Reagon sërish kreu i bashkisë, Fadil Nasufi
Punimet e konsideruara pa leje nga Inspektorati Ndërtimor i Beratit në ish-godinën e maternitetit, kanë dëmtuar një kabinë elektrike, çka ka lënë pa energji elektrike për disa orësh 80 familje beratase. Pas disa ankesave të ngritura nga ana e Inspektoratit të Ndërtimit pranë bashkisë së këtij qyteti në lidhje me ndërtimet që konsiderohen pa leje, ka reaguar sërish kryetari i Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi. Ky i fundit ka kërkuar sërish ndërhyrjen e organit të prokurorisë. “Punimet janë kryer dhe gjatë ditës së djeshme, ndonëse Inspektorati i Ndërtimit bëri bllokimin e tyre. Gjatë punimeve është dëmtuar dhe kabina e energjisë elektrike që ndodhet brenda ambienteve të ish-maternitetit me të cilën furnizohen me energji elektrike dhe 80 banesa të lagjes “30 Vjetori” në këtë qytet. Gjatë ditës së djeshme, këto familje kanë qëndruar pa energji elektrike si pasojë e shkatërrimit të kabinës”, ka deklaruar kreu i bashkisë. Në lidhje me këtë problem, institucioni i bashkisë i është drejtuar dhe prokurorisë së rrethit, por kjo e fundit ende nuk ka një reagim në lidhje me këtë çështje. Dje, specialistët e OSSH-së kanë punuar për riparimin e dëmtimit dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike.
#