E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungon landfilli, Vjosa një kosh gjigant plehrash

Përmet Komuna ku hidhen mbetjet urbane kërkon të paguhet, bashkia nuk jep qiranë

Mungesa e një pike të grumbullimit dhe përpunimit të mbetjeve urbane të qytetit të Përmetit e ka kthyer lumin Vjosë në një kosh gjigant plehrash. Prej afro dy vitesh, mes drejtuesve të Bashkisë së Përmetit dhe Komunës së Piskovës, ka lindur një konflikt lidhur me pikën e depozitimit të mbetjeve urbane të qytetit. Konflikti mes këtyre dy njësive të qeverisjes vendore mund të ishte zgjidhur me mirëkuptimin midis kryetarit të Komunës së Piskovës, Thoma Puriqi, që kërkoi nga bashkia të paguajë qiranë e truallit ku depozitohen mbetjet urbane dhe kreut të bashkisë, Edmond Komino. E kjo nuk do të ishte një zgjidhje e përhershme, por vetëm e përkohshme, që do të shpëtonte Vjosën nga ndotja. Pika tradicionale e depozitimit të mbetjeve urbane të qytetit të Përmetit ndodhet në vendin e quajtur Brashovë, brenda territorit të Komunës së Piskovës, në të djathtë të rrugës automobilistike Përmet-Këlcyrë. Për këtë pikë ka mjaft mosmarrëveshje, pasi nuk plotësonte asnjë nga standardet që kërkon ligji për mjedisin. Vetëm për shkak të mospagimit të qirasë, fshatarët dy vjet më parë kanë prishur rrugën që të çonte në pikën e grumbullimit dhe përpunimit të mbetjeve urbane. Sipas kryetarit të Bashkisë së Përmetit, Edmond Komino, prej asaj kohe e deri më sot nuk ka një vend të përcaktuar zyrtarisht për depozitimin e mbetjeve urbane, por provizorisht ato shkarkohen në një përrua të thellë në afërsi të fshatit Bual. Ndërkohë që gjithmonë sipas Kominos, bashkia është në pritje të zbatimit të një plani veprimi mjedisor të Këshillit të Qarkut të Gjirokastrës për ndërtimin e një landfilli për grumbullimin dhe përpunimin e tyre. E vërteta është se automjetet dhe punonjësit e largimit të mbetjeve urbane jo në të gjitha rastet shkojnë në përroin e Bualit, që është një nga degëzimet e krahut të majtë të rrjedhës së Vjosës, por i shkarkojnë ato në disa pika të papërshtatshme në brigjet e lumit duke shkaktuar përhapjen e mbetjeve urbane në një territor të gjerë dhe duke ndotur peizazhin piktoresk të këtij lumi. Ndërsa përfaqësuesit e pushtetit të mandatuar nga zgjedhësit vazhdojnë të "krihen" në debate pafund, brigjet e lumit të bekuar të Vjosës mbulohen nga plehrat.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›