E Hënë, 2 Nëntor 2026

Darkon me familjen, vetëhelmohet në dhomën e gjumit 62-vjeçari

15/06/2005  Vetëhelmohet me fostoksinë një 62-vjeçar nga Babrruja në kryeqytet, mbeten enigmë shkaqet. Ndok Ndoku, 62 vjeç, është gjetur mbrëmjen e të hënës në gjendje të rënduar nga familjarët. Menjëherë i sëmuri është shoqëruar për në spital, por nuk ka arritur të mbijetojë. Sipas mjekëve, ai kishte konsumuar një sasi të konsiderueshme fostoksine dhe gjithçka ka qenë e pamundur për ta kthyer në jetë. Lajmi është bërë dje i ditur nga burime të policisë kryeqytetase, të cilat sqaruan se ende nuk është konkluduar në një shkak zyrtar rreth vetëvrasjes së 62-vjeçarit Ndoku. Burimet e policisë pohuan se familjarët janë shprehur se 62-vjeçari nuk vuante nga sëmundje mendore. Madje, ai deri para tetë muajve kishte punuar si shofer kamioni, që kishte qenë edhe profesioni i jetës së tij. Ndërsa mbrëmjen e të hënës kishte ngrënë darkë me familjen, si çdo ditë, dhe kishte shkuar të flinte në dhomën e tij. Por, pa lajmëruar asnjë prej familjarëve dhe pa u kuptuar ai kishte konsumuar një sasi fostoksine, e cila i ka marrë edhe jetën. Sipas të afërmve, ata nuk kishin ndonjë problem të mprehtë në familje dhe nuk vuanin nga gjendja ekonomike, pasi kishin edhe një banesë trekatëshe, ku plaku banonte me djemtë e tij e nipër e mbesa.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›