Kërkohej për vrasje në Shkodër, arrestohet në Kamëz, 2 muaj pas kthimit nga Zvicra
15/06/2005 Arrestohet në Kamëz një person i kërkuar për vrasje nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër. Alfred Kolbucaj, 24 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Kamëz të Tiranës, është arrestuar paraditen e djeshme nga forcat policore të Komisariatit nr.5 të kryeqytetit. Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë thanë dje për gazetën se i kërkuari për vrasje ishte dënuar nga Gjykata e Shkodrës me tre vjet burg në mungesë. Burimet pohuan se arrestimi i tij ishte bërë pas sigurimit të informacioneve operative rreth vendndodhjes. Sipas policisë, i arrestuari kishte rreth dy muaj që ishte kthyer nga Zvicra dhe nuk strehohej në banesën e tij, por te të afërmit. Pas sigurimit të informacioneve të sigurta rreth vendndodhjes, uniformat blu kanë bërë të mundur ekzekutimin e fletarestit. I arrestuari është transportuar për në ambientet e Komisariatit të shkodrës, ku e pret dënimi trevjeçar, sqaruan burimet.