E Diel, 1 Nëntor 2026

Djetëra të shoqëruar, por atentatorët e 33-vjeçarit ende të paidentifikuar

15/06/2005  Motivi i tentativës së vrasjes, larje hesapesh

KORÇE - Atentatorët e 33-vjeçarit Edmond Kodra, që përgjakën lagjen nr.17, ose siç quhet ndryshe “Radaneci”, duke qëlluar mbi viktimën 6 herë me radhë, kanë mbetur ende të panjohur për policinë e Korçës. Viktima e goditur vetëm nga një plumb që e ka përshkuar në afërsi të zemrës, vazhdon të jetë në trajtim mjekësor në Spitalin Ushtarak të Tiranës.

Edhe pse gjatë dy ditëve të pasngjarjes ka patur mjaft të shoqëruar në polici, ku janë marrë në pyetje, përsëri nuk është mundur të hidhet dritë mbi autorët e mundshëm të kësaj ngjarjeje. Sipas burimeve policore të Korçës, pista kryesore e hetimit mbetet ajo e larjes së hesapeve midis grupeve rivale, por gjithsesi duket se hetimit nuk kanë shkuar më tej edhe në këtë pikë.

I vetmi informacion i dhënë gjatë ditës së martë nga policia e Korçës ka qenë ai i përcaktimit të automjetit, me të cilin kishte udhëtuar viktima drejt shtëpisë së tij. Sipas të njëjtave burime, Edmond Kodra, 33 vjeç, ka qenë duke ecur me makinën e tij tip BMV dhe është qëlluar më armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar, duke e plagosur rëndë atë. Kodra, pohon policia, është qëlluar sapo ka ndaluar pranë banesës së tij. Sipas burimeve zyrtare policore, rasti në fjalë është përcaktuar si vrasje me dashje e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje parashikuar nga nenet 76-22 dhe 278 i Kodit Penal. Ndërkohë pritet marrja në pyetje edhe e të dëmtuarit Edmond Kodra.

Lidhur më këtë ngjarje, gjithë materialet e policisë i kanë kaluar prokurorisë së rrethit Korçë, e cila ka nisur hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

Vepror Hasani

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›