E Shtunë, 31 Tetor 2026

Modeli i ri i Diplomës sipas standardeve të BE

 

Ministria e Arsimit u përgjigjet pretendimeve të studentëve për modelin e ri të diplomave. Sipas këtij dikasteri, përmbajtja e saj është në përputhje me të gjitha standardet e diplomave Evropiane. Sipas Ligjit shqiptar dhe Marrëveshjes së Bolonjës, emërtimi i diplomës përmban nivelin dhe fushën e studimit të kryer. "Në asnjë prej diplomave ku operohet me Bolonjën nuk vendoset titulli për të cilin kryhen studimet. Kjo për disa arsye. E para pasi sipas marrëveshjes një student mund të kryejë ciklin 3 vjeçar në një degë, dhe mund të vazhdojë ndjekjen e një tjetër dege për dy vitet e tjera", sqaron ministria. Ndërkaq theksohet se kjo formë e emërtimit të diplomës sipas nivelit dhe fushës së studimit të kryer, krijon hapësira më të gjera punësimi për çdo të diplomuar në tregun e punës, në krahasim me modelin e mëparshëm me tituj profesionalë. "Krahas diplomës, çdo student pajiset edhe me suplementin e diplomës, i cili jep hollësi për programin dhe nivelin e studimit të kryer, si dhe për mundësitë konkrete të punësimit", vëren MASH. Në përputhje me ligjin, tashmë janë miratuar modelet e vendosura nga senatet e universiteteve të Tiranës, Elbasanit, Korçës, Gjirokastrës dhe Durrësit. Specialistët e ministrisë japin edhe argumentet ligjore, sipas së cilave është detyrë e IAL-ve të pajisin me diplomën dhe suplementin përkatës çdo student që ka kryer një program studimi. Ata kanë cituar Nenin 31, pika 4, të ligjit që thotë se "Përmbajtja  dhe forma e diplomës dhe e suplementit të diplomës përcaktohen nga senatet akademike, në përputhje me udhëzimet e MASH. Bazuar në këtë ligj, MASH ka nxjerrë Udhëzimin Nr.23, datë 14. 07. 2008, "Për përmbajtjen dhe formën e diplomës të lëshuar nga Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL)", në të cilin saktësohen elementët e detyrueshëm të përmbajtjes dhe formës së diplomës, pra disa standarde shtetërore, mbi bazën e të cilave senatet akademike vendosin për modelin konkret të diplomës së veçantë, të lëshuar nga çdo IAL. "Që në korrik të vitit të kaluar  është dërguar në Drejtorinë e Administratës Publike informacioni mbi ciklet e studimit, emërtimin e diplomave në përfundim të çdo cikli dhe mundësitë e punësimit", sqaron MASH.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›