E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Triumf", lirohen 4 të arrestuar

 

FATOS MAHMUTAJ

Lirohen katër anë-tarë të operacionit "Triumf", mbesin në burg 11 të tjerët. Gjykata e Tiranës vendosi dje masat e sigurisë për të arrestuarit në operacionin katër ditëve më parë, i cili u zhvillua njëkohësisht në Tiranë, Elbasan, Korçë, Gjirokastër, Fier dhe Përmet, ndërsa të arrestuarit akuzohen si anëtarë të një rrjeti të trafikut të qenieve njerëzore. Gjyqtari i gatshëm i kësaj jave në kryeqytet liroi me masën "detyrim paraqitjeje", ashtu siç e kërkoi prokuroria për të akuzuarin Ferdinand Caci nga Korça, i akuzuar për "falsifikim pasaportash" dhe "dhënie ndihme për kalim të pa ligjshëm të kufirit". Këtë masë e kërkoi prokuroria nisur nga gjendja e rënduar shëndetësore e të pandehurit. Më pas, kundrejt garancisë pasurore, 5 mijë euro u lirua Gurali Tahir Bardhi, 46 - vjeç, nga Cërriku, mbi të cilin rëndojnë të njëjtat akuza. "Detyrim paraqitje", sipas kërkesës së prokurorisë, u vendos edhe për biznesmenin përmetar Ramis Shahini, 42 vjeç. Ndërsa ndaj biznesmenit Fatmir Tato nuk u vendos asnjë masë sigurie, pasi prokuroria kërkoi "arrest me afat një muaj", duke argumentuar se gjatë kësaj kohe do ta ballafaqonte këtë me të arrestuarin Dashamir Halili. Gjyqtari i çështjes, duke shkurtuar procedurat e hetimit, i ballafaqoi dy të arrestuarit në seancë, veprim pas të cilit nuk rezultoi i vërtetë pretendimi i organit procedues. Pas kësaj gjykata hoqi masën e sigurisë për 42-vjeçarin Tato, pronari i një hoteli në Ersekë. Po kështu, nën akuzat "falsifikim të pasaportave dhe vizave" dhe "dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit" u lanë në qeli deri në përfundim të hetimeve të pandehurit kryeqytetas: Fatmir Vukaj 40 vjeç, Thanas Todhri 50 vjeç dhe Astrit Hasa 36 vjeç. Po kështu, gjykata u komunikoi vendimet për caktimin e arrestit në mungesë të pandehurve kryeqytetas: Alfred Çikani 44 vjeç; Luan Klosi 36 vjeç; Dashamir Halilaj, 28 vjeç; Korab Lama 38 vjeç; Myftar Prengezaj 60 vjeç dhe Ardian Berisha, 38 vjeç. Po kështu, nën të njëjtat akuza, u lanë në qeli edhe 26-vjeçari fierak Ilir Balliu dhe Përparim Lama, 46 vjeç nga Elbasani. Sipas prokurorisë, hetimi për këta të akuzuar kishte filluar në muajin maj të vitit të kaluar, kohë që nga e cila ishin grumbulluar mjaft fakte kundër të pandehurve, me të cilat provohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin këta ndihmonin emigrantë shqiptarë për të kaluar kufirin në Greqi në mënyrë të paligjshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›