SHBA mbështet luftën antikorrupsion, jep pajisje për SHKB-në e policisë
TIRANE - Në ceremoninë e dhurimit të pajisjeve për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme, Ambasada amerikane deklaroi se SHBA dhe Shqipëria gëzojnë një marrëdhënie shumë të ngushtë bashkëpunimi. "Ne e ndjekim me kënaqësi përparimin e shënuar në luftën kundër korrupsionit, veçanërisht në radhët e Policisë së Shtetit. Ecja përpara në një demokraci të shëndetshme kërkon ekzistencën e besimit mes qytetarëve dhe qeverisë së tyre. Ky besim arrihet përmes vendosjes së shtetit ligjor, ligjet e të cilit të zbatohen njëlloj si për qytetarët ashtu edhe për oficerët e policisë", tha zv/ambasadori amerikan Steve Cristina. "Bashkërendimi i punës dhe bashkëpunimi i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm me Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit do të luajë një rol integral në betejën e vendit tuaj kundër korrupsionit, një përbërës bazë ky i policimit në demokraci. Shpreh kënaqësinë që ne mundemi të japim ndihmën tonë në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri, përmes këtyre pajisjeve që dhurojmë sot. Këto pajisje janë blerë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë përmes ICITAP-it dhe kanë një vlerë prej rreth 10, 000 dollarë", vijoi më tej diplomati amerikan në Tiranë, sipas të cilit, dje u shënua një moment i rëndësishëm në zbatimin e ligjit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Ndërkaq Ministria e Brendshme në deklaratën e saj, tha se Ambasada e SHBA në Tiranë, nëpërmjet programit ICITAP dhuroi pajisje për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme. Në ceremoni mori pjesë ministri Bujar Nishani dhe zv.ambasadori i SHBA në Tiranë, Steve Cristina. Kreu i dikasterit Nishani e cilësoi esenciale dhe eficente, asistencën dhe mbështetjen që është dhënë deri më tani nga qeveria e SHBA për Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit. "Ndihma për SHKB-në ka gjithashtu një domethënie të madhe, duke pasur parasysh se tashmë për këtë shërbim ka një ligj të standardeve demokratike dhe krahas përpjekjeve të vazhdueshme për rritjen e profesionalizmit ka mjaft rëndësi edhe përmirësimi i teknikës dhe pajisjeve të saj". "Misioni i SHKB-së është i rëndësishëm për të kontrolluar bazueshmërinë ligjore të veprimtarisë së Policisë së Shtetit, si dhe për të luftuar fenomenet e korrupsionit në radhët e saj", tha më tej Nishani. tr.so