E Diel, 1 Nëntor 2026

Gomonia, një peshkatar gjendet gjallë

 

SHKODER/ VLORE

"U përplasëm fuqishëm me një shkëmb. Gomonia u përmbys. Unë u hodha nga njëra anë, ndërsa dy shokët e mi u zhytën në det bashkë me gomonen. Nuk di sesi kam mundur të arrij deri në breg".  Pas pesë ditësh në det, një peshkatar gjendet shëndoshë e mirë, një tjetër dyshohet i mbytur, ndërsa për të tretin nuk ka asnjë shenjë. Mesditën e djeshme, Romeo Purizi u gjet nga forcat bregdetare kroate në një ishull të pabanuar, shumë pranë Dubrovnikut. Ndërsa pak orë më vonë, një trup i pajetë që dyshohet se i përket një prej vëllezërve Spiro dhe Jani Golaj u gjet në një distancë të afërt me Purizin. I kontaktuar mbrëmë nga gazeta "Panorama", Romeo ka treguar momentet e fundit, kur ka humbur çdo shenjë të vëllezërve Golaj. "Furtuna na ka nxjerrë në det të hapur dhe komandante lëvizjen e gomones. Nuk e di sa kohë kishim në det kur ndodhi përplasja me shkëmbin. Kam notuar me aq fuqi sa kisha pa e menduar se do shpëtoja", u shpreh 43-vjeçari. Sipas autoriteteve kroate, ai ishte në gjendje të tronditur nga ajo që ka përjetuar, lodhja dhe mungesa e ushqimit. Me shpejtësi, Purizi është dërguar në një prej spitaleve dhe pritet rikthimi i tij në vend vetëm pasi gjendja fizike të përmirësohet. Kërkimet për gjetjen e peshkatarëve, të cilët dolën në det prej të dielës së shkuar nga brigjet e Vlorës, rinisën mëngjesin e djeshëm me forca të përbashkëta shqiptare, malazeze dhe ato kroate. Në ujërat e Adriatikut vërshuan sapo zbardhi dita anijet patrulluese, ndërsa nga ajri helikopterët. Kërkimet janë ndërprerë vetëm rreth orës 11:00, kur është mësuar se në një ishull të pabanuar, rreth 30 milje larg mbi qytetin e Dubrovnikut është gjetur në një gjendje të rëndë një nga të mbijetuarit e gomones. Nga pohimet e të mbijetuarit policia ka mësuar se ai është shtetasi Romeo Purizi, megjithëse ai nuk kishte me vete asnjë lloj dokumenti për ta identifikuar. Menjëherë pas dhënies së këtij fakti nga pala kroate, burimet e Policisë Kufitare të Shkodrës pohuan se kërkimet në pjesën shqiptare dhe malazeze u ndërprenë, duke u përqendruar në pjesën kroate të detit Adriatik. Ndërsa ora shënonte 16:00, një tjetër lajm vjen nga forcat kroate, por tani i rëndë. Në një ishull të quajtur Mljet, dhe ky një ishull i pabanuar të territorit kroat, shumë pranë atij ku u gjet i mbijetuari, u pikas trupi i një personi të mbytur. Identifikimi i tij nuk u arrit dot të bëhej deri në mbrëmje, ndërsa fakti që dy persona ishin të zhdukur, ka hedhur dyshimet se viktima është një prej vëllezërve Golaj. Gjatë gjithë pasdites së djeshme, familja Golaj ka qenë në ankth, ndonëse shpresat erdhën duke u shuar. Në orët e mbrëmjes, një grup familjarësh të Spiro e Jani Golajt mësohet se janë nisur drejt Kroacisë, në morgun ku ndodhet trupi i pajetë për të konfirmuar identitetin e tij. Grupet e patrullimit vazhduan kërkimet në të njëjtin territor dhe gjatë orëve të pasdites, me shpresë se do të arrinin të gjenin dhe personin e tretë të deklaruar të zhdukur. Por, asnjë shenjë e tij nuk u zbulua, duke bërë që në mbrëmje kërkimet të ndërpriten për të rinisur mëngjesin e sotëm.

Familja Golaj në mort: Shteti pati 4 ditë kohë, por s'i shpëtoi

VLORE - Familja Golaj në rrugën Transballkanike në Vlorë ka hapur dyert e mortit pas gjetjes së një viktime në ishujt e Kroacisë dhe pse zyrtarisht nuk ka një lajm për vdekjen e njërit prej djemve të saj. Jani dhe Spiro Golaj, 38 dhe 45 vjeç ishin të martuar dhe kishin nga dy djem. Një prej vëllezërve të tyre, Njaziu tregon se ata ishin kthyer nga emigracioni dhe merreshin me peshkim ose me ndonjë punë në ndërtim, për shkak të gjendjes jo të mirë ekonomike. Sipas tij, të martën paradite kanë folur në telefon ku vëllezërit kërkuan ndihmë se era e fortë po u rrezikonte jetën. Njaziu thotë se vetëm helikopteri mund t'i shpëtonte në ato çaste, por sipas tij shteti nuk bëri gjë dhe pse pati 4 ditë kohë. Telefonata e dytë ishte të nesërmen në mëngjes, ku ata kanë treguar se ndodheshin afër Kroacisë dhe mund të mbyteshin nga dallgët e fuqishme. Tani që kanë mësuar për gjetjen e një trupi që mund të jetë i njërit prej vëllezërve, Njazi Golaj kërkon nga shteti të mos ndërpriten kërkimet. "Nëse kanë vdekur, të paktën të gjejnë trupat e të na i sjellin që t'i qajmë".                   q.b

“Frikë se mos ngatërroheshin sërish”

VLORE - Nëna e Romeo Purizit, i cili u gjet në ujërat e Kroacisë, për fat të mirë gjallë, nuk mund t'i mbajë lotët e gëzimit. Ajo ende nuk arrinte të besonte se lajmi i mirë për të birin ishte i vërtetë. Familja Purizi e mësoi lajmin për gjetjen gjallë të Romeos nëpërmjet mediave. "Kur dëgjuam lajmin, në fillim nuk e besuam. Menduam se mos ishte e njëjta situatë si një ditë më parë, kur na thanë se gomonia u gjet, e më pas e përgënjeshtruan. Më pas na morën në telefon dhe na uruan për gjetjen e Romeos gjallë. Disa minuta më vonë, filluam të besonim se ai ishte vërtet gjallë dhe se ishte gjetur", pohoi e moshuara, Sanie Purizi. Njëri nga djemtë e saj u nis dje menjëherë drejt Kroacisë për tek i vëllai. Gruaja, nëna dhe dy fëmijët e peshkatarit prisnin nga momenti në moment t'i dëgjonin zërin në telefon. Pas këtij lajmi të mirë për familjen e tyre, ato pohuan se nuk janë ende të qeta, deri edhe në gjetjen e njërit prej vëllezërve Golaj, pasi fatkeqësisht, tjetri u gjet pa jetë po dje.                                                 q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›