E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Shqipëria problem me viktimat e trafiqeve"

 

TIRANE - "Shumica e viktimave të trafiqeve në Shqipëri rikthehen në shfrytëzim nga persona që kanë njohje personale me to". Kështu thekson raporti i katërt vjetor i USAID dhe programit antitrafik të Ambasadës Amerikane, i cili u prezantua dje nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara John L. Withers, II dhe Zëvendës Ministrja e Brendshme Iva Zajmi. Raporti përmbledh të rejat e Situatës dhe përpjekjeve në Shqipëri për luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Ky raport ofron një përmbledhje dhe një analizë të programeve dhe politikave anti-trafik në Shqipëri, të lidhura në veçanti me shërbimet sociale dhe edukimin. Raporti i këtij viti ofron të dhëna të nxjerra veçanërisht nga përvoja e një rrjeti mbarë kombëtar, të përbërë nga qeveria dhe organizatat e shoqërisë civile që bashkëpunojnë me programin e USAID-it. Ambasadori Withers nënvizoi rëndësinë e përpjekjeve, si të qeverisë, ashtu dhe të shoqërisë civile, në drejtim të anti-trafikimit. "Duke bashkuar të dhënat, dhe duke krahasuar analizat dhe përfundimet, si raportet e shoqërisë civile, ashtu dhe ato të qeverisë, përfitojnë një legjitimitet më të madh. Kur njëtrajtshmëri informacioni për të dhënat rreth trafikimit i prezantohet publikut, krijon një besim më të madh në publik përsa i përket informacionit të prezantuar mbi këtë problem", - tha diplomati amerikan. Zv.ministrja Zajmi tha se raporti prezanton "një analizë shumë të mirë të tendencave të trafikut në qenie njerëzore, si dhe një prezantim të mirë të profilit të viktimës, dhe të punës së bërë nga strukturat qeveritare dhe jo-qeveritare në vijim të përmbushjes së detyrimeve dhe përgjegjësive përkatëse". Raporti thekson se problemi kryesor aktual në Shqipëri për këtë çështje, janë viktimat e trafikimit. t.s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›