E Diel, 1 Nëntor 2026

Dashuri shqiptare në Maqedoni

22/02/2005  Dashuria shqiptare mirëpritet në Maqedoni. Opera “Elizir D’amour”, e vënë në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë, me regji të Armando Borës, sapo ka promovuar në Maqedoni projektin e fondacionit “Ballkani pa kufi”.

Më shumë se 130 artistë shqiptarë të operas kombëtare, kanë befasuar spektatorët vendës, që për herë të parë shohin trupën e Teatrit të Operas dhe Baletit shqiptar.

Ky ka qenë bashkëpunimi i artistëve, në shenjë jo shumë zyrtare, kur i është dashur ta shoqërojë edhe ministri ynë i Kulturës, Blendi Klosi.

Në këtë rast, Klosi ka zhvilluar një takim të veçantë me homologun e tij, ministrin e Kulturës maqedonase, Blagoja Stefanovski.

“Në këtë takim të dy ministrat kanë vlerësuar rëndësinë e marrëdhënieve kulturore mes dy vendeve, si në marrëdhëniet bilaterale, ashtu edhe rajonale, duke veçuar si rast shfaqjen e shkëlqyer të Operas së Tiranës dhe pritjes së ngrohtë që i bëri publiku kësaj shfaqjeje”, thotë Anila Leka, zëdhënësja e zyrës së shtypit, pranë Ministrisë së Kulturës.

Pasi ka kaluar harkun kohor të një viti, Klosi ka mundur të zhvasë nga ky takim dhe problemin më kardinal që ekziston midis dy vendeve; për mundësinë e bashkëpunimit në fushën e librit si dhe për institucionalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, nëpërmjet nënshkrimit të marrëveshjes kulturore.

Por, nën këtë theks, asgjë nuk është lançuar konkretisht se në cilat fusha do të jenë këto marrëveshje dhe po në këtë rast cilat do të jenë mundësitë e lehtësimit për nënshkrimin e marrëveshjeve kulturore. Deri tani ende mbahet në fuqi marrëveshja që e trajton librin shqip, gjatë kalimit nëpër panairet, njëlloj si marrëveshja e barishteve.

Por, Klosi ka ndalur dhe në pikën e tij të dobët, duke u konsideruar si pjesa më e rëndësishme e takimit, nismën që ai ka marrë për krijimin e këshillit ballkanik të ministrave të Kulturës, që pritet të finalizohet më 31 mars të këtij viti, gjatë takimit zyrtar të ministrave të Kulturës së vendeve të rajonit të Ballkanit.

Nga njoftimi zyrtar i Ministrisë, thuhet se Maqedonia e ka mirëpritur këtë nismë, duke e vlerësuar atë si një mundësi për të rritur bashkëpunimin ndërrajonal, për t’i konkretizuar ato me shkëmbime në fushën e artit, kulturës, spektaklit, trashëgiminë kulturore, legjislacionin etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›