E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kuvendi i Lidhjes ende pa nam

22/02/2005  Qysh nga dita e premte kur Kuvendi i V i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë u pezullua, ende nuk ka dalë asnjë njoftim se çfarë do të bëhet me zgjedhjen e kryetarit të ri.

Duke mos pasur arsye të vazhdonte më tej Kongresi, shkrimtari Kiço Blushi kur u caktua në podium tha se duhej ngritur një grup pune për të lënë një datë tjetër për Kongresin, me të tjerë delegatë.

Por deri ditën e djeshme asnjë gjurmë nuk ka pasur pranë godinës së Lidhjes së Shkrimtarëve. Përveç “zbutjes” së kryetarit Limoz Dizdarit për t’u marrë vesh me kryesinë aktuale ku bëjnë pjesë Vath Koreshi, Arjan Leka, Hysen Sinani, Perikli Çuli, Aleksandër Peçi. Një nga antarët e kryesisë është shprehur se ka folur me Dizdarin dhe se ëshë lënë që të takohen në një nga këto ditë për të vendosur mbi fatin e vazhdimit të Kongresit, dhe pas kësaj bëhet fjalë për mandatin e kryetarit.

Pasi janë kthyer nëpër vendet e tyre rreth 80 delegatë të thirrur me listë nga e gjithë Shqipëria, nuk është bërë asnjë njoftim për seancën e ardhshme, dhe as ndonjë reagim se çfarë do të bëhet me Kuvendin e pestë të Lidhjes.

Porse dhe nga shkrimtarët, qoftë antarë të Lidhjes apo jashtë saj, personalitete të letrave nuk kanë dhënë asnjë reagim me këtë që po ndodh me Lidhjen.

Prononcimi i tyre në të shumtën e rasteve ka qenë “mospërziera në punët e një OJQ-je ku nuk marrin pjesë”. Ndërsa është diskutuar mjaft shkrirja e Lidhes, dhe problemi më kryesor i saj, godina ku ushtron aktiviteti Limoz Dizdari në këtë OJQ.

Kjo siç duket pritet të bëhet pika më e fortë e debatit, ku deri tani ka pasur anashkalim dhe përfolje tavolinash pa ndonjë note të veçantë drejt Ministrisë së Kulturës apo qeverisë, për t’i dhënë fund abuzimit të një personi të vetëm duke shfrytëzuar një godinë ku sipas shkrimtarëve do mund të realizoheshin shumë projekte.

Jo më shumë se dy orë, të premten e kaluar, Kuvendi i V i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë është mbyllur mes sharjeve dhe grindjeve të shkrimtarëve. Krytari, Limoz Dizdari ka lënë podiumin duke deklaruar mbylljen e tij, të cilësuar si seancë të parë. Ndërsa të 80 delegatët e ftuar nga Dizdari, dhe disa të tjerë nga Zyhdi Morava kanë dalë jashtë mes rrëmujës dhe zhurmës, fyerjeve dhe sharjeve disa në adresë të kreut të Lidhjes dhe disa të tjerë pa adresë.

Pse aktorët e Teatrit rrijnë sus! Një natë më parë, në mbrëmjen e së shtunës, në Teatrin Kombëtar, papritur ikën dritat. Jo një herë, por dhe për së dyti. Edhe pse drejtori i Teatrit, Kiço Londo do të nxirrte një justifikim të arsyeshëm për shuarjen e dritave, për gatishmërinë që duhet të ketë ky institucion, nuk mundet t’ia tolerojë publiku. Kur me tre mijë lekë biletën në dorë është detyruar të braktisë sallën, në formë proteste, pa guxuar asnjë njeri të ndezë qoftë dhe një shpirzë drite, si një nga mundësitë më të vogla për të dalë nga salla. Një çakmak mund të realizonte thashethemnajën që ka qarkulluar me kohën për delikatesën që ka kjo godinë, se mund të marrë zjarr shumë shpejt. Rasti i një nate më parë, mund të çonte në të vërtetën e përfolur. Me t’u fikur dritat, punonjësit e teatrit dhe teknikët, të vetmin lajmërim që kanë mundur të japin ka qenë që: “askush të mos ndezë dritë ‘flakvënëse’”. Ironia, diskriminimi, tallja dhe fyerja, ka shoqëruar spektatorët, jo vetëm gjatë ikjes së asaj mbrëmjeje nga teatri, por dhe në ditën e djeshme. Por për çudi, nga Drejtoria e Teatrit nuk është mundur të dilet me asnjë deklaratë “shfajësimi” apo kortezi zyrtare “faljeje”. Ndërsa, ata që janë mësuar të “nënshtrohen”, kanë vazhduar ditën e tyre të zakonshme, duke gjerbur kafen pranë dhe rrotull teatrit. Aktorët, që më shumë se spektatorët, kanë provuar diskriminimin e dyanshëm, si të personalitetit të tyre, ashtu dhe nga thirrjet tallëse të spektatorëve. Dhe më zi akoma, aktorët kanë mbajtur mbi vete dhe indiferencën e drejtorit të Teatrit, Kiço Londo. Asnjë prej tyre nuk ka guxuar të hapë gojën për atë ç’ka ndodhi. Të gjithë përtypen për të mos prishur punët me drejtorin “qiradhënes” të teatrit. Kur justifikimi i tij i vjetër është vonesë e firmosjes së preventivit nga ministria, kur nisma e tij më e re është hedhja e një dore të mirë parash mbi nja dy salla të reja, të inauguruara me shumë bujë. Regjisori Gëzim Kame, në konferencën për shtyp, një ditë para premierës, tha se mediat duhet të flasin më shumë për ligjin e teatrit, pse janë lënë pas dore nga shteti kompanitë private teatrore. Shumë pak ciku strehën ku do fuste kokën për të luajtur dramën “Pjata prej druri”. Përmendja e kushteve frigorifer në sallën e Teatrit Kombëtar, nuk thoshte gjë përballë nënshtrimit të tyre për të vazhduar lojën. Fjala vjen për të mos prishur marrëdhëniet me institucionin, as ai si regjisor dhe as aktorët me drejtorin, kur u pyet pse pranojnë të punojnë në ato kushte në të cilën gjendet teatri, të konfirmuara tashmë. Fundja, një fjalë e folur për keq mbahet mend dhe shanset për të gjetur ndonjë vend në Teatrin Kombëtar, hiqet nga mendja. Pastaj, në ato kushte beterr janë mësuar aktorët dhe nuk është ndonjë problem aq i madh të luhet në skenën e teatrit “Kopraci” i Molierit me atlete “Adidas”, dhe me fustane shtëpie, të shekullit të XXI. Edhe po t’u thahen këmbët nga të ftohtët deri në gju, dhe si ky rasti i fundit të fiken dritat e publiku të tallet dhe të të injorojë keqas, pa përmendur teknikën që e dijnë mirë specialistët se si funksionon në Teatrin Kombëtar, aktorët dihet që prap nuk do të flasin. Ky është problemi i tyre më i madh para se të dalin në skenë e t’i japin shfaqje publikut. Ekspozita-Paris Ngujimi, 160 vështrime fëmijësh mbi hakmarrjen Kur në qendrën kulturore “Lindart” u grumbulluan pa asnjë droje shumë fëmijë për të treguar dhimbjen e tyre ngujuese, përmes një aparati fotografik, duke iu besuar në duar lirinë, kjo pjesë e historisë sikur ishte paraparë se do të kishte jehonë. Aq më tepër që në qendrën kulturore “Lindart” iu dha mundësia për të hequr një pjesë të atij muri izolues. Mbi 15 fëmijë shkrepën kujtesën e tyre, duke realizuar 160 fotografi në vendet ku po kalonin ngujimin, për t’i shpëtuar hakmarrjes. Përmes “Lindart”, me testin “Vështrime fëmijësh mbi hakmarrjen”, do kalojë dhe përtej gardheve të Veriut, duke shkuar për herë të parë në një ekspozitë që do të hapet nesër në Paris, në galerinë “Calligraphis”. Është shoqata “Albania” në Paris, e drejtuar nga Pascal Hamon dhe Evelyne Noygues, e cila sensibilizon pjesën tjetër jashtë kufijve të Shqipërisë, për problemet e gjakmarrjes. Duke njohur veprën e të famshmes Edith Durham, organizatorët e ekspozitës i janë referuar pikërisht veprës së saj, për të njohur më nga afër këtë fenomen në Shqipëri, në fillim të viteve 1900. Në veprën e saj, “Shqipëria e Epërme”, publikuar në Londër, Edith Durham dëshmon: se në 1909-ën, para syve të saj, një djalosh i ri humbet jetën, viktimë e pafajshme e një konflikti gjaku, midis familjeve Shoshi e Gjoni. Po në atë periudhë u krijua një lëvizje kundër mizorisë së marrjes së gjakut që prekte fëmijët. Familja Gjoni kundronte veç vdekje dhe çnderim. Disa grupe, në merak për të mbarështruar legjislacionin tradicional, e kufizonin hakmarrjen dhe ndëshkonin veç autorin e poshtërsisë, (si në krahinën e Mirditës) apo burrat e shtëpisë (si rasti i Shala-jve). Por ligji primitiv, edhe pse i shpërdoruar, e mbante akoma përkrahjen e popullit: vetëm hakmarrja e marrë sa më shpejt mund ta lante nderin e humbur dhe s’kish gajle nëse viktima ishte fëmijë. Në 2005-ën, një shekull më vonë, fëmijët gjenden sërish të ngujuar për shkak të marrjes së gjakut, që mund të bie mbi cilindo pjesëtar të familjes, që nga momenti kur kjo e fundit është futur në brengën e hakmarrjes. Çnderim, anakronizëm, çnjerëzi… Si të mos indinjohesh para fatit të fëmijëve, të kursyer nga siguria dhe nga moskokëçarja falë moshës së tyre? Fëmijë të izoluar e të kanosur me trupin e tyre! Si për të rimarrë fjalët e Edith Durhamit: «Ujku që hakmerret me qingjin». “Hakmarrja, kanuni, gjakmarrja, fjalë anakronike në fillim të këtij mijëvjeçari të 3-të, që për më tepër prekin fëmijët. Kjo ekspozitë fotografike është frut i solidaritetit midis shoqatave franceze dhe atyre shqiptare. Ajo u ofron mundësi fëmjëve që kanë realizuar fotot, familjet e të cilëve jetojnë në situatë hakmarrjeje, të përshkruajnë të përditshmen e tyre: ngujimin. Universi i tyre thjeshtëzohet në shumicën e kohës në një horizont të kufizuar muresh dhe blloqe betoni. Me një talent të padyshimtë, ata na drejtohen dhe na ftojnë për të rroposur murin e paditurisë”, shprehet drejtorja e qendrës “Lindart”, Eleni Laperi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›