Fiket kuratori Szeemann, promovues
22/02/2005 Me humbjen e Herald Szeemann mbyllet një faqe e rëndësishme e artit të gjysmës së dytë të shek. të XX. Ai u nda nga jeta në moshën 71-vjeçare, duke u cilësuar nga kritika mbarevropiane si një nga kuratorët më të veçantë e më të spikatur të kësaj periudhe. Në një nga ekspozitat e organizuara në Vjenë me artistë ballkanas, që ai e titulloi "Gjak dhe mjaltë", ai përzgjodhi numrin më të madh të artistëve shqiptarë që kishin marrë pjesë në ndonjë ekspozitë, duke i kthyer kështu në një promovues "fanatik" të artit shqiptar, një veprim që vinte nga një prej kuratorëve më të spikatur evropianë. Szeemann kishte një formë të opulencës fizike që korrespondonte me ekspozitat e kuruara prej tij, një shpirt të shkëlqyer drejt hapjes, që faktohej nga vetë përzgjedhjet e tij dhe, një kapacitet të jashtëzakonshëm për t’u përballuar me të gjitha vështirësitë që kërkonin limitimin e projekteve të tij. Ky shpirt i lirë dhe i pavarur u shndërrua me kohë në një personalitet të madh, nga i cili pritej zbulimi i veprave të të panjohurve të mëdhenj, i të harruarve, i të rinjve, i asocacioneve apo edhe këndvështrimeve origjinale, jashtë të gjitha "hierarkizmave" apo regjistrimeve në historinë e artit linear. Në ndryshim me kuratorë të tjerë, ekspozitat e krijuara prej tij, nuk i denatyralizonin veprat e prezantuara, sepse ai nuk i manipulonte konceptet dhe nuk shfrytëzonte punët e artistëve për t’i ilustruar. Forca e tij qëndronte pikërisht aty: në mënyrën e të konceptuarit, sikundër shprehej edhe vetë, "jo ekspozita të konceptit, por të lojërave të kondicionuara". Ai ofronte një mënyrë tjetër të pari, që, natyrisht nuk ishte ajo e muzeut. Ai lindi më 11 qershor 1933, në Bernë të Zvicrës dhe studioi histori arti, arkeologji dhe gazetari. Në vitin 1957, ai kuroi të parën ekspozitë, në të cilën ai prezantoi "piktorët poetë" dhe "poetët piktorë", një homazh ndaj Hugo Ball, krijuesit të "Cabaret Voltaire", në Zyrih, apo aty ku u lind Dada, një mënyrë e re për të deklonizuar disiplinat e artit, sikundër do të vazhdonte gjatë gjithë jetës së tij. Por shkëlqimi i madh erdhi në vitin 1969, me një ekspozitë që do të shërbejë gjithmonë si një pikë referimi të titulluar: "Kur qëndrimet shndërrohen në formë", që mbante nëntitullin "Jetoni në mendjen tuaj". Aty u prezantuan për herë të parë artistët konceptualë dhe minimalistë si Joseph Beuys, Richard Serra, Lawrence Wiener, duke përmbysur traditat: procesi i krijimit u prezantua si vepër arti. Për vite e vite me radhë, ai do të kuronte me dhjetëra aktivitete tejet të rëndësishme të artit, në mbarë Evropën, ekspozita, bienale etj. E ndërsa përgatitej të hapte ekspozitën e tij të fundit, "Belgjika vizionare, sa pranë nesh", gjendja e tij shëndetësore u rëndua dhe ai u shua. Por, kjo ekspozitë, ku bëjnë pjesë rreth 500 punë shumë të forta, do të inaugurohet më 4 mars.