E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrugëve të Veriut për Nanon dhe kundër Nanos

22/02/2005  Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, po kryen, ose e ka përfunduar tashmë një tur takimesh po ndonjë logo, në disa prej bashkive më të varfëra të vendit, duke lëshuar një varg akuzash, por edhe idesh për qeverisjen e vendit. Pra, në thelb, takimet e tij kanë të bëjnë ose janë përpjekje për të tentuar një qeverisje më të mirë të Shqipërisë dhe kjo është sinkron me të gjithë shqiptarët nga kryetari i partisë së tij, Fatos Nano, e deri te kryetari i Bashkisë së Laçit, që nuk u gjend në momentin e duhur për t’ia lëshuar sallën e kulturës shefit të Bashkisë së Tiranës.

Edhe pse është përpjekur që të shmangë tonet propagandistike herë nëpërmjet paneleve si në Shkodër me kryetarin e djathtë të bashkisë së qytetit e herë nëpërmjet stigmave përgjithësuese si në Lezhë, në thelb udhëtimi i tij nuk mund të dalë (dhe as vetë Rama nuk mund të pretendojë), jashtë momentit politik aktual në vend dhe jashtë momenteve të zhvillimeve brenda vetë Partisë Socialiste dhe as larg raporteve që kryetari i bashkisë së Tiranës ka me Kryeministrin e vendit.

Pra, të trija arsyet, që u thanë më sipër, kanë bërë që “kryeministri” i Tiranës të shalojë rraqet e të niset kullave nëpër Veri a për të dhënë, a për të marrë diçka prej urtësisë së atyre anëve.

Shqipëria ndodhet përpara zgjedhjeve parlamentare dhe ndoshta këto janë zgjedhjet më të vështira për të kalkuluar fituesin e tyre për shkak të prishjes së raporteve të vjetra në politikë me daljen e LSI-së në terren. Edi Rama, duke qenë kryebashkiak i Tiranës, është i përjashtuar nga gara direkte, por ruajtja nga ana e tij e këtij roli do ta përjashtonte atë direkt nga mundësitë, që mund të afrohen pas zgjedhjeve për një karrierë të mëtejshme brenda PS-së, përtej anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm Drejtues të kësaj partie. Ai është i detyruar të përfshihet në këtë fushatë me tërë kapacitetin e vet dhe fakti është se ai tashmë është përfshirë dhe pikërisht në ato zona, ku Fatos Nano e ka të vështirë të bëjë fushatë, bile edhe vetë socialistët nuk ndihen komod kur shtegëtojnë andej, qoftë për prirjet e djathta të qyteteve të mësipërme e qoftë për varfërinë e madhe të këtyre zonave, varfëri që ata thonë se e kanë tetëvcjeçare sa është edhe koha e qeverisjes së socialistëve.

Nuk ka njeri më të gjetur në Partinë Socialiste sesa Edi Rama, i cili shkon pa teklif te dajatë e tij në Shkodër, te miqtë e tij poetë në Lezhë, apo në klubet gri të qytezës së Laçit. Është njeriu që u bën më shumë punë socialistëve edhe duke i sharë ata sesa ta zëmë të shkojë Bashkim Fino, duke i lavdëruar socialistët. Rama nuk shihet me mosbesim dhe nuk ka kurrfarë akuze ndaj tij, përveçse ka sharë Berishën gjithë kohës, që, në fund të fundit, nuk është akuzë. Më e keqja që mund t’i ndodhë atij është ndonjë derë me çelës ose menefregizëm kur ai flet. Kjo dukej edhe nga pyetjet që i bëheshin nga sallat, të cilat më së paku konvergonin me qëllimin e takimeve të tij dhe divergonin fort me hallet e vetë qytetarëve të atyre anëve.

Zhvillimet brenda Partisë Socialiste publikisht janë të qeta, por brendapërbrenda nuk janë të tilla. Edi Rama ka filluar një garë indirekte për postin e kryeministrit pas zgjedhjeve, pra që PS të dalë me emrin e tij në krye të qeverisë në zgjedhje. Vetë nuk e ka deklaruar asnjëherë, por gjithë miqtë apo këshilltarët e tij nuk hezitojnë ta thonë edhe në komente apo publik. Më e vogla që ata thonë është se Fatos Nano nuk mund të fitojë zgjedhjet dhe se duhet një person tjetër në krye të qeverisë për të qëndruar e majta në pushtet. Natyrisht që nuk e kanë fjalën për Anastas Angjelin apo Luan Memushin. Ky nuk është vetëm shqetësimi i miqve të Ramës por është bërë kujdes që ky argument të bartet edhe në celulat e PS dhe prej andej të ndërtohet një osmozë, ku Nano të ndalet e Rama të kalojë. Në politikën shqiptare apo në shtegëtimet e politikanëve të Tiranës ka pasë qenë vitet e fundit modeli i hyrjes në qytete, një farë trojanizmi apo romazimi multiplikativ. Për shembull, Berisha e bëri këtë në Vlorë, në 2000, duke i shtuar pikë konsistencës së tij si politikan i pranuar në të gjitha anët e vendit, Ilir Meta e bëri në Tropojë në 2001, duke mos hezituar t’ia tundë Fatos Nanos si kartë kredibiliteti ndaj tij që nuk kishte shkuar atje që prej vitit 1992. Jo me atë peshë dhe as me atë funksion që kishte kjo punë “hyrjeje” si në rastet e mësipërme, por megjithatë vizitat e Ramës në Veri e kishin edhe këtë funksion, të paktën në sfond. Një gjë e mirë kjo për t’i dhënë fund njehërë e mirë cilësimeve politike të zonave për ne të gjithë, ndërsa për Ramën për të shtuar koeficientin e dëgjueshmërisë edhe atje ku vështirë të dëgjohet e majta. Pra, e parë në këtë këndvështrim, Rama ka bërë takime tërësisht politike me synime të qarta për karrierën e mëtejshme të tij dhe me komponenten e fushatës brenda Partisë Socialiste për të fituar terrene atje, dhe fillimisht atje ku terreni për Nanon është më i vështirë. Po të kihet parasysh se LSI në përgjithësi ka mbështetje të konsiderueshme ndër të majtët e këtyre zonave, lëvizja e Ramës është edhe një tentativë për të ndalur këtë rrjedhje nga PS te LSI, qoftë edhe me pak kosto mbi Nanon, duke siguruar në njëfarë mënyrë socialistët e këtyre anëve se PS ka njerëz, te të cilët duhet të ruhet besimi. Kujdesi ballkanik i Ramës për të mos zënë me gojë çështjetë tilla e shton edhe më shumë bindjen ballkanike të qytetarëve shqiptarë se ajo që nuk thuhet është më e vërtetë se ajo që thuhet.

Por, në fund a janë karshillëk ndaj Nanos takimet e Ramës në disa qytete të Veriut. Për nga rëndësia, ato tejkalojnë çdo karshillëk të ditës mes “kryeministrit” të Tiranës dhe Kryeministrti të Shqipërisë. Rama ka treguar se karshillëqet me Nanon mund t’i konsumojë edhe me ndonjë batutë të ditës, siç ishte ai i kohës së debateve Nano-Meta, më 2001, kur Rama mbajti krahun e Kryeministrit Meta. Vetë Rama ka një fjalor të palodhur, të pakujdesshëm dhe që i ka dalë për mabrë në këtë hapësirë, konform fjalorit të tij. Pra, është një lodhje e madhe për të përmbushur një karshillëk me takime në salla të ftohta, edhe kur ke ndërmend që karshillëkun ta bësh në mënyrën më etike të mundur, duke mos zënë në gojë karshilluesin. Edhe nëse Rama e ka pasur fund e krye këtë si karshillëk ndaj Nanos, nuk e ka kuptuar kështu një pjesë e mirë e njerëzve, ose e kanë kuptuar pjesërisht si të tillë. Qoftë edhe për faktin se ai kësaj radhe ka lëvizur nëpër një rrugë të moçme të të bërit politikë, pavarësisht se a dinte vetë për këtë që po bënte.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›