E Diel, 1 Nëntor 2026

Fytyrat e shumta të Vladimirit

22/02/2005  Kush është ky njeri, i izoluar dhe gjithnjë e më shumë paranojak? Shumë pak kanë një përgjigje të qartë – në Rusi dhe jashtë. Gjë që mund të thotë telashe

Interpretimi i asaj që po mendon Presidenti rus dhe ku po e çon ai vendin e tij, ka degjeneruar në atë lloj Kremlinologjie që karakterizonte epokën sovjetike. Fatkeqësisht, edhe vetë Putini mund të vuajë disi nga e njëjta dobësi. Edhe ai shfaqet shpesh i pasigurtë për mënyrën si duhet të lexojë politikën e qeverisë dhe vendit të tij. Rrethi i tij i këshilltarëve është ngushtuar në dy grupe të vegjël

Izolimi është vetëm një prej shenjave dalluese të paranojës së Putinit. Një tjetër është shkalla në të cilën ai është peng i grindjeve brenda administratës. Për botën e jashtme, Putini duket i plotfuqishëm. Ai ka konsoliduar gjithnjë e më shumë kontroll shtetëror në duart e tij. Parlamenti është bërë vegël e tij, dominuar nga partia e tij, ku besnikëria personale vlen më shumë se çdo gjë tjetër. Por një President rus, ashtu si carët e dikurshëm, është gjithashtu një skllav i politikës së gjyqeve

Pas pesë vitesh si udhëheqësh i Rusisë, njeriu i karrierës në KGB, Vladimir Putin ka arritur të ketë më së fundi aureolën e një politikani amerikan. George Bush mund ta vërejë ndryshimin këtë javë, kur të dy burrat të ulen përballë njëri-tjetrit në kryeqytetin e Sllovakisë, Bratislavë. Ata kanë një listë të gjatë çështjesh urgjente për të diskutuar, që nga ambiciet bërthamore të Irani, te hyrja e rrëmujshme e ish-vendeve të Paktit të Varshavës në Evropë, e deri tek e ardhmja e Azisë Qendrore. Ka një problem: politikani amerikan Putin ka nisur t’i ngjajë Riçard Niksonit, duke ardhur vërdallë në korridoret e Shtëpisë së Bardhë, i izoluar e gjithnjë e më paranojak.

Imazhi është shqetësues, me pasoja jo vetëm për SHBA, por edhe Rusinë, Evropën dhe fqinjët e tyre. Mos u gaboni: paranoja e Putinit nuk ka të bëjë me historinë e errët të Rusisë – si për shembull Stalini, që iu kthye miqve dhe shihte një amrik në çdo hije. Paranoja e Putinit rritet nga maturia e tij e lindur, bashkuar me përvojën e mandatit të parë në detyrë: një qeveri që në të shumtën e rasteve thjesht nuk funksionon; njerëz me pushtet brenda regjimit të tij, që ndjekin interesat e veta, shpesh herë të mbuluar; korrupsion dhe inkompetencë thuajse në çdo ministri dhe zyrë shtetërore.

Përgjigjja e Putinit ka qenë mbyllja në vetvete. Në shtëpi, ai beson gjithnjë e më shumë në një grup të ngushtë këshilltarësh. Ka përqëndruar gjithnjë e më shumë pushtet në duart e veta – megjithatë shpesh herë nuk ka guxim ta përdorë. Dikur ai i ka thënë të përjavshmes Newsweek se e mendon pushtetin si një lloj “brisku në duart e një të dehuri”, i cili duke rrahur duart në erë, rrezikon të shkaktojë dëme që as nuk mund t’i parashikojë dhe as nuk mund t’i zhbëjë.

Duke mos ditur plotësisht se kush mund të jenë aleatët dhe kush mund të jenë armiqtë e tij, dhe duke u besuar shumë pak vetëve, ai ecën ngadalë – vonon vendime, në pritje të shohë si zhvillohen ngjarjet, duke paralizuar në këtë mënyrë qeverinë. Gjithnjë e më shumë, çdo gjë në Rusi varet nga vetëm një burrë, thotë komentatori televiziv, Vladimir Posner. “Gjithçka është Putin”.

Jashtë, Putini sheh prova të Perëndimit, që përpiqet të mbyllë Rusinë. Shembulli i fundit: Revolucioni Portokalli në Ukrainë, nxjerrja e një vendi që prej kohësh është njohur si “Rusia e Vogël” jashtë orbitës së Moskës dhe drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian. Gjithnjë e më tepër, ai i interpreton interesat e Rusisë në botë, në të njëjtën mënyrë siç kanë bërë udhëheqësit përpara tij – si një lojë klasike ruse “shuma e barabartë me zero”, në të cilën interesat e Moskës janë shumë të ndara nga ato të Perëndimit të huaj.

Teksa George Bush porgatitej javës së kaluar për vizitën që sapo ka nisur në Evropë, u mendua se elementi më problematik do të ishte përballja me Putinin, edhe më i vështirë sesa bindja e Parisit apo Berlinit për të marrë përsipër një rol më të madh në Irak, apo për të gjetur terren të përbashkët në Iran. “Eshtë një moment i madh”, deklaroi një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë, duke shtuar se përgatitjet kanë qenë aq delikate, saqë administrata ra dakord me propozimin e Kremlinit për të mos e quajtur “samit”, por “takim”. Askush ndërkohë nuk pret një bisedë të ngrohtë siç ndodhi në Slloveni katër vjet më parë, kur Bushi pa Putinin në sy dhe gjeti aty shpirtin e një njeriu, me të cilin mund të bënte biznes. Të dy vazhdojnë të japin leksione miqësie.

Zyrtarët rusë kanë përqeshur haptazi zgjedhjet e fundit në Irak. Duke kthyer përmbys politikën e mëparshme, Moska luajti kohët e fundit një rol kyç në bllokimin e planeve të SHBA për të nisur avionë zbulimi në Kirgistan, të nevojshëm këta për operacionet ushtarake në Afganistanin aty pranë. Vetëm javën e kaluar, disa ditë përpara se Presidenti Bush të hipte në Air Force One, Moska e bëri të qartë se do të vazhdonte të bënte biznes si zakonisht me Iranin – duke injoruar kështu shqetësimet e SHBA se Teherani po kërkonte të ndërtonte armë bërthamore.

Interpretimi i asaj që po mendon Presidenti rus dhe ku po e çon ai vendin e tij, ka degjeneruar në atë lloj Kremlinologjie, që karakterizonte epokën sovjetike. Fatkeqësisht, edhe vetë Putini mund të vuajë disi nga e njëjta dobësi. Edhe ai shfaqet shpesh i pasigurtë për mënyrën si duhet të lexojë politikën e qeverisë dhe vendit të tij. Rrethi i tij i këshilltarëve është ngushtuar në dy grupe të vegjël, secili me nga gjashtë anëtarë – tre prej të cilëve u përkasin të dy grupeve.

Një grup mblidhet të hënave për të peshuar politikën ekonomike dhe sociale, ndërsa të shtunave grupi tjetër diskuton politikat e sigurisë kombëtare. Për vendimet e mëdha, sidomos çështjet e politikës së jashtme dhe takimeve të nivelit të lartë, edhe këta të brendshëm përzihen jashtë mureve. Vetëm katër vetë kishin dijeni për vendimin e tij vitin e kaluar për të emëruar Mikail Fradkov si Kryeministër, një burokrat i panjohur që punonte e rraskapitej në Bruksel.

Vështirë se ndokush guxon të kundërshtojë Putinin. Të gjithë e panë se çfarë ndodhi me Andrei Illarionovin në fund të dhjetorit, kur ai kundërshtoi vendimin e Putinit për të emëruar dhe jo zgjedhur guvernatorët lokalë. “Konkurrenca në politikë është po aq e rëndësishme sa edhe konkurrenca në ekonomi”, tha në një konferencë shtypi të mbushur me gazetarë këshilltari numër një ekonomik i Presidentit rus. “Kufizimi i konkurrencës – në të gjithë aspektet e jetës – çon vetëm drejt një rezultati: stanjacion”. Nuk kaloi as edhe një javë dhe ai u zëvendësua si përfaqësues i Rusisë në G8.

Izolimi është vetëm një prej shenjave dalluese të paranojës së Putinit. Një tjetër është shkalla, në të cilën ai është peng i grindjeve brenda administratës. Për botën e jashtme, Putini duket i plotfuqishëm. Ai ka konsoliduar gjithnjë e më shumë kontroll shtetëror në duart e tij.

Parlamenti është bërë vegël e tij, dominuar nga partia e tij, ku besnikëria personale vlen më shumë se çdo gjë tjetër. Por një President rus, ashtu si carët e dikurshëm, është gjithashtu një skllav i politikës së gjyqeve. Mund të jetë një lojë e rrezikshme, me baronë të fuqishëm që rivalizojnë për mbështetjen e tij në politika dhe interesa që i konsiderojnë të shtrenjta. Në rastin e Putinit, rrethi i brendshëm është i ndarë në dy fraksione: silovikët (“njerëzit e pushtetit”) dhe “liberalët”. Silovikët janë një grup veteranësh kryesisht ushtarakë dhe të KGB, që dominojnë ministritë vendase të sigurisë dhe atë ushtarake dhe besojnë, pak a shumë, në kontrollin shtetëror të jetës politike dhe ekonomike të vendit. Liberalët besojnë gjithnjë e më shumë në reformat e tregut të stilit Perëndimor, ndonëse politikisht nuk janë aspak progresistë. Ata përfshijnë njerëz si Vladislav Surkov, që thuhet se është një lider që përpiqet të fiksojë kushtetutën me qëllimin që Putini të sundojë pafundësisht në Rusi.

Fillimisht, ideja ishte të mbahej një referendum kombëtar për të zhvendosur balancën e pushtetit nga Presidenti te Kryeminsitri, një pozicion që do të përjashtonte Putinin nga kufijtë e numrit të mandateve. Një ekip avoketërish në Shën Petërburg u caktua të hartojë një draft rezolutë. Por tani Kremlini ka vendosur që plani është shumë i rrezikshëm. Në vend të kësaj, ekipit të Shën Petërburgut i është kërkuar të gjejë mënyra për ta bërë këtë pa referendum – deri vitin tjetër, nëse është e mundur.

Asnjë fraksion nuk do demokraci, e cila, sipas tyre, e bën edhe më të vështirë qeverisjen e një vendi, i cili që tani është i vështirë për t’u qeverisur. (Kaosi i viteve nëntëdhjetë nën reformat demokratike të Boris Jelsinit është një kujtesë e limiteve të një lirie ekonomike dhe politike të tepruar). Një rast për t’u përmendur: më 1 janar legjislacioni i ri i Putinit i dha fund sistemit të subvencioneve të epokës sovjetike për pensionistët dhe personelin ushtarak.

Shpërthyen menjëherë protesta në rrugë në afro 100 qytete për humbjen e shërbimeve bazë si transporti i lirë publik. Kremlini shpërndau me shpejtësi më shumë se 4 miliardë dollarë për të qetësuar pensionistët, por protestat vazhdojnë. Përqindja e mbështetjes për Dumën zbriti në 3%, dhe vetë popullariteti i Presidentit ka rënë nga 65% vitin e kaluar në 43%. Putini ka ndryshuar, thotë një prej këshilltarëve të ngushtë: “Ai ka humbur vendosmërinë. Duket sikur e ka mbërthyer paniku”.

Ashtu si e sheh Putini, bota duket sikur po i shkatërrohet. Nisi në shtator të vitit të kaluar, kur terroristët çeçenë hynë në një shkollë fillore në Rusinë e jugut, dhe një operacion i dobët shkaktoi vdekjen e 300 pengjeve. Zyrtarë lokalë të korruptuar dhe policia, ndoshta të paguar, lejuan terroristët të udhëtojnë lirisht drejt shkollës. Kur Putin e shfrytëzoi këtë si një pretekst për të zëvendësuar guvernatorët lokalë me njerëzit e tij – më pak të ekspozuar ndaj korrupsionit e si rrjedhim më efikasë, sipas tij – shumë rusë panë provën e diçkaje më të thellë.

“Ai nuk i beson askujt”, thotë Andrei Kolesnikov, autor i një biografie të Putinit. Sensi i përgatitjes për betejë u rrit në dhjetor, kur Viktor Jushenko shkoi drejt fitores në zgjedhjet presidenciale, pavarësisht manipulimeve të kryera nga partia në pushtet e mbështetur nga Moska dhe gjithë mbështetja – personale dhe financiare – që Putini mundi të japë. Silovikët fajësojnë Uashingtonin. Ngjarjet në Ukrainë, ashtu si në Gjeorgji përpara saj, janë produkt i një komploti të SHBA dhe Evropës Perëndimore për të izoluar dhe përmbajtur Rusinë, thotë ky argument. Por të tjerë ua vënë fajin vetë këshilltarëve të Putinit. Ata thonë se propagandistët e Kremlinit bënë një punë mjeshtërore të paketimit të dy herë të dënuarit Viktor Janukoviç si kandidat i duhur, saqë Putini e hëngri. “Eshtë qesharake të mendosh për një komplot amerikan – ne nuk jemi aq të zotë”, thotë një zyrtar i lartë i SHBA. “Asgjë nuk mund të jetë aq shkatërrimtare sa ajo që i kanë bërë ata vetvetes”.

Çështja është derisa e kupton Putini këtë. I rrethuar nga yes man-ët e tij, i kapur pas asaj që rusët e quajnë pushtet vertikal dhe demokraci e menaxhuar, duket se vështirë se ai e kupton se ku gabon Rusia. Një sistem pa kontrolle dhe balanca – qofshin këto qeveritare, të medias apo lirish sociale – rrëzohet pikërisht nga mungesa e fleksibilitetit të vet. A do ta përmendë Bushi këtë temë “me spec” në Bratislavë? “Vladimiri merr shumë vendime, dhe unë marr shumë vendime”, u tha ai gazetarëve javën e kaluar. “Mua më pëlqen të flas e të them për shembull, përse e bëre këtë apo atë. Do t’i kujtoj se, nëse dëshiron të vazhdojë të drejtohet nga Perëndimi, ne besojmë në vlerat perëndimore”. Më kryesorja e tyre është hapja dhe pluralizmi, e kundërta e paranojës. Do të jetë shumë interesante të shohim si do të përgjigjet Putini.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›