E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana Suvenir nuk "preferohet" nga artistët

22/02/2005  Konkursi "Tirana Suvenir", i organizuar nga Bashkia e Tiranës dhe Galeria Kombëtare vazhdon odisenë e tij të pafund. Në pamundësi për të shpallur fitues, pasi pjesëmarrja ishte shumë e vogël, organizatorët mendojnë se është indiferenca dhe mosvlerësimi i artistëve, arsyeja e mosfunksionimit të këtij projekti

Projekti i konkursit për përzgjedhjen e objekteve suvenir të Tiranës rrezikon të dështojë. Me iniciativën e kryebashkiakut Rama dhe në bashkëpunim me Galerinë e Arteve, në muajin shtator u shpall konkursi "Tirana Suvenir", një aktivitet që synonte përzgjedhjen e 5 objekteve, si suvenir zyrtar të kryeqytetit të Shqipërisë. "Bashkëpunimi me Galerinë erdhi si rezultat i faktit se, ky institucion promovon jo vetëm art, por edhe artistë. Kjo ide lindi si një nevojë, që kryeqyteti, si një metropol i vërtetë, të kishte suvenir të niveleve shumë të larta, pasi do të përfaqësonte kryeqytetin shqiptar në të gjithë botën", tha për "Metropol" drejtori i Galerisë, Abaz Hado. Ai shpjegon se ky konkurs nuk synonte vetëm krijimin e suvenireve për Bashkinë, por, në të njëjtën kohë të nxiste si jetën artistike, ashtu edhe konkurrencën për të patur objekte arti të niveleve shumë të larta, që do të vinin nga vetë dashuria e artistëve për kryeqytetin e tyre. "Në të gjithë botën, artistët e metropolit bëjnë jetë metropoli, që do të thotë jetë aktive në krijimtari. Ata marrin pjesë në të gjitha debatet apo çështjet që shtrohen për zgjidhje, në lidhje me qytetin ku ata jetojnë. Jam i bindur se Tirana ka shumë aspekte interesante, të cilat mund t'i frymëzonin artistët për të krijuar objekte shumë të gjetura artistikisht", thekson Hado, duke shtuar se përveç aspektit krijues, 5 artistët fitues do përfitonin edhe një çmim prej 500 eurosh. Ajo çka është më e çuditshmja, sipas Hados, është fakti se artistët tiranas duan të organizojnë një ekspozitë me punime të artistëve tiranas, ndërkohë që nuk "ofrojnë asnjë ide për suvenirët që do të përfaqësojnë qytetin e tyre dhe kryeqytetin e vendit". Hado është i mendimit se, edhe shuma e ofruar për fituesit nuk është e vogël, po të kihet parasysh fakti se vlera e veprave të artit, përjashto vetëm disa emra shumë të njohur, "nuk e kalon maksimalisht shumën e 1000 apo 1200 eurove", por, sipas tij, është mentaliteti i vetë artistëve ai që frenon pjesëmarrjen. "Ndërsa ka mjaft artistë të papunë, nuk mund të kuptoj arsyen e indiferencës së tyre. Le të mos harrojmë se në botë me dhjetëra artistë dalin dhe pikturojnë në sheshe, metro e kudo, nga ku kanë dalë edhe emra të mëdhenj", nënvizon ai, duke lënë hapur të nënkuptohet një lloj megalomanie të artistëve tanë që nuk e kanë vlerësuar këtë projekt në përmasat reale të tij. Nga ana tjetër, Laureta Omeri, përgjegjëse e Bashkisë së Tiranës për këtë projekt, ka deklaruar për "Metropol" se, përveç të gjitha njoftimeve publike, ajo ka kontaktur edhe personalisht me shumë artistë, duke i ftuar të kontribuojnë me idetë e tyre, por nuk ka asnjë shpjegim në lidhje me indiferencën e tyre ndaj këtij konkursi. "Qëllimi i institucionit ishte që të merrnin pjesë sa më shumë artistë dhe të gjallërohej krijimtaria artistike, pasi do të ishte shumë e thjeshtë për ne të kërkonim modele nga një studio grafike, për të përzgjedhur më pas modelet që do të mendoheshin më të përshtatshmet", thotë Omeri. Eshtë e vështirë të kuptohet nëse kemi të bëjmë me indiferencë, megalomani apo, ndoshta, me mosbesim në përgjithësi të artistëve ndaj projekteve të tilla.

Odiseja e një konkursi, pa konkurrues...

Në muajin shtator, Bashkia e Tiranës dhe Galeria Kombëtare shpallën konkursin "Tirana Suvenir", një konkurs që synonte përzgjedhjen e pesë objekteve të artit figurativ, në të gjitha zhanret, si suvenirët zyrtarë të Bashkisë së Tiranës, por edhe të vetë kryeqytetit. Pas shpalljes zyrtare të konkurrimit dhe një konference për shtyp, ku u treguan edhe çeqet simbolikë për fituesit, një donacion prej 2500 eurosh i "Raiffeisen Bank", në muajin nëntor, konkursi duhet të shpallte fituesit. Kjo nuk u arrit dot, pasi pjesëmarrja ishte shumë e ulët dhe cilësia e punëve të paraqitura ishte shumë e ulët. Por akoma edhe në këto ditë të muajit shkurt, askush nuk ka treguar interes për këtë konkurs, edhe pse ka një stimul material, që do të ketë edhe të drejtën e autorit mbi objektin fitues. Si Bashkia e Tiranës, ashtu edhe Galeria Kombëtare, nuk janë në gjendje të shpjegojnë indiferencën apo mosvlerësimin nga ana e artistëve të metroplit apo edhe të rretheve, në lidhje me këtë iniciativë, ku mund të merrnin pjesë artistë të të gjitha moshave dhe të gjitha zhanreve të artit figurativ.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›