Qeveria italiane, investim 600 mijë euro për qendrën komunitare
“Hëna e re”
Qendra sociale publike “Hëna e re” në Elbasan, që funksionon për viktimat e dhunës dhe trafikimit nga viti 2002, do të asistohet nga qeveria italiane me një fond prej 600 mijë euro. Përmes këtij financimi viktimat e dhunës do të kenë mundësi të strehohen dhe të marrin trajtim nga një staf i specializuar.
Ky projekt që i adresohet problematikave sociale ka vëmendjen e veçantë të organizatës italiane Centro Informacione e Educacione allo Svilupo (CIES), dhe pjesë e realizimit të tij është edhe Ministria e Jashtme Italiane.
Duke vlerësuar kontributin e qeverisë italiane në këtë drejtim, zv/ministrja e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Marieta Zaçe, tha të enjten gjatë konferencës "Mbështetje për qendrën e grave “Hëna e re”, rrugëdalje nga dhuna”, organizuar në hotel "Tirana International", se trafikimi i qenieve njerëzore dhe dhuna në familje përbëjnë fenomene komplekse dhe të ndërlikuara sociale. "Edhe pse për formën dhe natyrën këto janë fenomene të ndryshme, ato nuk mund të jenë të ndara nga njëra-tjetra, pasi përtej qindra dramave individuale, rrethanave dhe historive personale të viktimave të trafikimit, përveç problemeve sociale si varfëria, papunësia, stigmatizimi dhe diskriminimi, qëndron dhe abuzimi dhe dhuna gjinore", - tha Zaçe.
“Në shoqërinë e sotme shqiptare fenomeni i dhunës në familje ushtrohet më shumë mbi gratë dhe vajzat, fëmijët dhe të moshuarit”, - tha Zaçe, duke shtuar se ky fenomen është në qendër të politikave sociale, për të cilën ekziston edhe Strategjia Kombëtare e Barazisë Gjinore dhe Dhunës në Familje (2007- 2010). Zaçe tha se ky dokument paraqet rrugët dhe mekanizmat institucionale për përfshirjen e çështjeve gjinore në politikat publike dhe parandalimin dhe reduktimin e dhunës në familje. Sipas saj, mbi bazën e kësaj strategjie funksionon edhe Ligji “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, i cili tashmë ka hyrë në fuqi.
Duke folur për fenomenin e trafikimit të qenieve njerëzore, zv/ministrja e Brendshme, Iva Zajmi, theksoi në konferencë, se "edhe pse ky fenomen është në rënie, ai mbetet prezent, si një sfidë e hapur”.
“Në themel të politikave të luftë antitrafik, - tha Zajmi, - është afirmuar parimi i trajtimit të viktimave nga këndvështrimi i standardeve ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut, duke përmbushur detyrimin shoqëror dhe moral për mbrojtjen dhe riintegrimin e tyre në shoqëri”.