E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fotot sekrete të amerikanit në Gërdec

 

Trazhgim Sokolaj

Ish-ortaku i Mihal Delijorgjit në Gërdec, amerikani Patrick Henry ka realizuar disa filmime brenda fabrikës së çmontimit të municioneve vetëm pak ditë para tragjedisë. Filmimet në fjalë të shoqëruara edhe me foto, kanë rënë në duart e Prokurorisë, e cila i ka vendosur në dosjen penale kundër 29 të akuzuarve për tragjedinë. Kanë qenë ekspertët amerikanë të Byrosë ATF, të cilët bënë hetime në kraterin e shpërthimit nga 7-11 prill 2008, ata që kanë marrë në dorëzim filmimet e bëra nga Patrick Henry si dhe fotot e fabrikës së Gërdecit. Bashkëngjitur me akt-ekspertimin për origjinën e zjarrit që shkaktoi më pas shpërthimet e barutit dhe municioneve, agjentët amerikanë kanë dërguar edhe pamjet e brendshme të fabrikës vetëm pak ditë para se të ndodhte ngjarja e rëndë, që shkaktoi vdekjen e 26 personave. Amerikani Patrick Henry, president i kompanisë “Southern Ammmunition” kishte nënshkruar një kontratë me ndërmarrjen MEICO dhe bashkë me Mihal Delijorgjin krijoi më pas kompaninë “Albademil” për çmontimin e fishekëve në marrëveshjen e parë dhe predhave në të dytën. Nisur nga ky status, vetë Patrick Henry, por edhe specialistë të dërguar prej tij në Gërdec, hynin në fabrikë duke realizuar kështu regjistrimet filmike që duket se kanë ndihmuar hetimet për ngjarjen.
Dëshmitarët e shpërthimit
Fejzi Shelui, rojë për sigurimin, i cili ka punuar në fabrikë për dy ditë, ka dëshmuar se më 15 mars 2008 ai ishte në derën kryesore të hyrjes. Ai tha se tri karroca dore u nxorën jashtë nga fabrika për të riparuar dorezat e thyera. Karrocat u kthyen në fabrikë para mesditës. Ai tha se karroca e fundit u kthye në fabrikë brenda 30 minutave nga çasti kur ra zjarri dhe ndodhi shpërthimi. Dëshmitarët dhe punëtorët thanë se pak para pushimit të drekës, ishin porositur të zhvendosnin thasët plastikë me lëndë plasëse për në brendësi të ndërtesës, pasi dukej se mund të binte shi atë ditë. Adelina C. dhe dëshmitarë të tjerë thanë se kanë parë një zjarr pranë një karroce dore të ngarkuar me thasë me lëndë plasëse. Karroca në fjalë ndodhej në qendër të ekstremit jugor të fabrikës, rreth 10 metër larg portës nga hynin këmbësorët. Në formë të rregullt kamionët e ushtrisë bënin furnizimin e fabrikës me municion për demontim, ndërsa natën e 14 marsit 2008, aty kanë mbërritur 8 ngarkesa kamionësh.
Gabimi me Gërdecin
Raporti i ekspertëve amerikanë është i qartë në analizën e ngjarjes. “Gjatë hetimit në Gërdec u evidentuan praktika pune që konsiderohen të pasigurta në raport me rregullat normale të punës. Punësimi i personave të pastërvitur, përdorimi i makinerive që nuk kishin sistem standard sigurimi në punë, mungesa e pajisjeve për shuarjen e zjarrit. Fotot para shpërthimit tregojnë eksplozivë të vendosur në qiell të hapur pa mbrojtje nga shiu, predha me detonatorë të pasiguruar dhe thasë me lëndë plasëse që dergjeshin në tokë”, thuhet në raport. Sipas tij, “një operacion i këtyre përmasave nuk duhej të ishte kryer kurrë në një vend kaq afër me rrugët dhe rezidencat publike. Lëndët eksplozive duhet të magazinohen duke marrë parasysh distancat që pranohen të sigurta nga rrugët dhe ndërtesat. Kjo nuk zbatohej në Gërdec. Sasia e eksplozivit të grumbulluar aty duhej të ishte 2462.5 metra larg rrugës apo ndërtesës më të afërt. Ky është standardi që përdoret nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet anëtare të NATO-s”, vlerëson raporti.

Zbulohen fotot: Predhat shkarkoheshin me fadromë

TIRANE – Fotoja më lart është një nga imazhet e regjistruara brenda fabrikës së Gërdecit, nga njerëzit e ortakut të Mihal Delijorgjit, amerikanit Patrick Henry. Imazhi paraqet një fadromë, krahu metalik i të cilës mbushet me predha, të cilat më pas transportohen në sektorë të ndryshëm të fabrikës, duke u shkarkuar në tokë. Një veprim i tillë paraqet rrezik për shkak të përplasjeve dhe kontaktit të predhave me detonatorë të aktivuar. Sipas dokumenteve që ndodhen në dosje, ortaku i Mihal Delijorgjit, shtetasi amerikan Patrick Henry, pronar i “Southern Ammunition Company” Inc., ka pohuar se në fabrikë kishte 512 tonë) lëndë plasëse, që kishin mbetur nga një kontratë e mëparshme. Bazuar në këtë informacion dhe në të dhënat e Ministrisë së Mbrojtjes, vlerësohet se në momentin e shpërthimit në zonë ishte grumbulluar në total të paktën 1.396 lëndë plasëse. Për më tepër në fabrikë ishin magazinuar 713 tonë peshë eksplozivi neto.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›