Zhvirgjërim
Edmond Tupja
Sigurisht, nuk e kam fjalën për atë dukuri të dhimbshme, sipas rastit gjithsesi, që karakterizon marrëdhënien e parë seksuale të një femre me një mashkull dhe, ndonëse shumë më pak , anasjelltas. Jo, fjalën e kam për zhvirgjërimin e trurit, sidomos te të rejat e te të rinjtë plot aspirata rinore, por pa përvojë, që vendosin të aktivizohen në sferën e politikës. Këto ditët e fundit, gjatë kësaj fushate të ndezur zgjedhore, po vërej, veçanërisht në disa kanale televizive shumë të ndjekura, emisione me kandidate dhe/ose kandidatë për deputete/deputetë, të cilat dhe/ose të cilët shpalosin kredon e tyre politike me idealizëm, entuziazëm e hov vajzëror dhe/apo djaloshar, që, jo rrallëherë, fshik naivitetin.
Dikur kam qenë vetë i ri dhe ende nuk i kam harruar disa reflekse besimi të patundur entuziast e gati naiv te kjo apo ajo rrymë filozofike, estetike e politike. Tek shoh sot të flasin publikisht ato të reja e ata të rinj, kandidate e kandidatë për deputete e deputetë të të gjitha partive të spektrit politik shqiptar, më duket e udhës, madje deri diku detyrë, t’u shpreh atyre në përgjithësi dhe më të sinqertave e të sinqertëve në veçanti, që i futen politikës për herë të parë, disa mendime të hidhura, të hidhura ndoshta si vetë e vërteta.
Më prek, gati më mallëngjen tronditshëm idealizmi i tyre aspak i shtirë. Skaji i kundërt i këtij idealizmi është pa më të voglin dyshim pragmatizmi. Njoh disa politikanë e liderë partish, të cilët, nga idealizmi, janë hedhur, me kalimin e kohës e me regjjen e tyre si politikanë, në pragmatizëm të kulluar, të paparim e të paskrupullt. Do t’u këshilloja të rejave e të rinjve në fjalë të tregohen realistë, duke u ruajtur nga idealizmi i moshës së adoleshencës dhe, njëherazi, duke mos pranuar të bien pre e pragmatizmit të politikës politikane. Disa liderë partish u drejtohen kryesisht të rejave që janë diplomuar jashtë shtetit dhe i joshin ato, falë karizmit të tyre masovik, që t’i bashkohen partisë që udhëheqin. Kujdes, u them unë këtyre të rejave, ruhuni nga liderët (të gjithë meshkuj çuditërisht), ruhuni nga Lideri me L të madhe, nga Njëshi, nga Hitleri e Duçja, nga Udhëheqësi i Madh (siç e quanin turmat tona Enver Hoxhën), nga Timonieri i Madh (siç e quanin miliona leifenë Mao Ce Dunin). Mos harroni se, sot, në krye të të gjitha partive shqiptare qëndrojnë meshkuj, të cilët, më shumë në mënyrë të vetëdijshme sesa të pavetëdijshme, nuk mund e nuk duan të heqin dorë nga disa metoda e praktika mashkulliste, pavarësisht frazeologjisë së tyre laramane mbi barazinë gjinore.
Nga ana tjetër, u bëj thirrje të rejave që do të futen në politikë në mos sot, me siguri nesër, të mos harrojnë se janë femra, gra e nëna; u kujtoj, pra, se nuk duhet të kthehen assesi në femra mashkullore si dikur shumica e delegateve të kongreseve të PPSH-së apo si anëtaret e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të saj, model ky që ende haset në spektrin e politikës shqiptare, posaçërisht majtas.
Së fundi, u lutem atyre të hapin mirë sytë e mendjen akoma të pamanipuluar për të kuptuar se ç’është politika, sidomos, kryesisht e veçanërisht në Shqipërinë postkomuniste, ku etja, babëzia e makutëria për t’u pasuruar po bëhet përherë e më shumë një tipar mbizotërues i neveritshëm në radhët e politikanëve të të gjithë krahëve. Nëse në shtetet e zhvilluara me regjime demokratike të konsoliduara, filozofia politike dhe paraja të shpien, nëpërmjet politikës, te pushteti, në shoqërinë tonë parakapitaliste, pushteti e vetëm pushteti të shpie pa ndonjë mundim të madh, nëpërmjet manovrimeve mafio-politike, te paraja, çka shpjegon edhe kalimin e pashmangshëm nga idealizmi te pragmatizmi që vihet re sheshit te politikanët tanë gjysmë të vjetër, të cilët po kthehen në ujqër të vërtetë. Dhe këta ujqër demagogë të përsosur, janë të aftë t’i joshin ëndërrimtaret e reja dhe ëndërrimtarët e rinj të politikës së ardhshme shqiptare për t’u futur, ngjeshur e rrasur atyre në kokë trutë e gomarit ose për t’i bërë si vetja, por gjithmonë me statusin e shërbëtores e të shërbëtorit të zellshëm. Prandaj u lutem e u përgjërohem këtyre ëndërrimtareve e ëndërrimtarëve që të bëjnë një përpjekje për t’u zhvirgjëruar mendërisht sa nuk është ende vonë e të ndërgjegjësohen për rrezikun e komprometimit të figurës së tyre morale; prandaj nuk ngurroj t’u thërras: Vigjilencë, vigjilencë, tri herë vigjilencë, që nesër shqiptaret e shqiptarët e thjeshtë, të përditshëm, të mos thonë majtas e djathtas, poshtë e lart: “Kaq e pati edhe kjo, kaq e pati edhe ky, se sheh rrushi rrushin dhe piqet!”
Vërtet, sheh rrushi rrushin dhe piqet, madje, sheh rrushi rrushin dhe kalbet!