E Shtunë, 31 Tetor 2026

Data 31 dhjetor, afati i fundit i aplikimit

SHKRUAN: Jonida Tashi 29-12-2010 11:47

Data 31 dhjetor do të jetë afati i fundit i aplikimit për ushtarakët që kanë të drejtë të përfitojnë pensione të parakohshme. Në rast se aplikimi nuk do të bëhet brenda kësaj date, ushtarakët humbasin të drejtën e përfitimit. Ndërsa në rast se aplikimi është bërë apo kryhet deri më 31 dhjetor 2010 atëherë përfitimi do të jetë që nga data kur i ka lindur e drejta për përfitim. Në bazë llogaritjeve të kryera, efektet financiare vjetore shtesë mbi ato të llogaritura sipas dispozitave fillestare të Ligjit10142, për përfituesit aktualë dhe për ata që presin llogaritjen e përfitimeve, pasi kanë dalë në lirim në periudhën 30.6.2009-1.7.2010, përllogariten në 1.164 milionë lekë. Ministri i Financave ka saktësuar se këto efekte financiare shtesë do t’i përfitojnë rreth 7 400 persona, nga 11 312 persona që trajtohen me pensione të parakohshme për vjetërsi shërbimi. Ndërsa përfitimi mujor për personat që kanë dalë në reformë nga viti 2004 e në vazhdim përllogaritet nga 41 000 lekë e lart, ndërkohë që mbi këto të ardhura nuk aplikohet tatimi mbi të ardhurat personale dhe ndërkohë që pensioni maksimal i pleqërisë për 35 vite shërbim është i kufizuar me dyfishin e pensionit bazë ose 21 830 lekë në muaj. Përveç kësaj, për këta persona, nga buxheti i shtetit paguhet edhe kontributi i sigurimit shoqëror të detyrueshëm, ndërkohë që të gjithë të punësuarit kontributin në masën 11.2 % të pagës e përballojnë nga të ardhurat e tyre mujore. Ndërkohë që parashikohet që të gjitha efektet financiare shtesë, që rezultojnë nga rillogaritjet dhe që kalojnë limitin e pensionit maksimal, për shkak se janë të mbuluara me fonde nga buxheti i vitit do të duhet të likuidohen për çdo përfitues me këste. Modalitetet do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, i cili, pas llogaritjeve të përfitimeve për çdo rast, do të vërë në dispozicion edhe fondet për këtë qëllim, në përputhje me hapësirat e ligjit të buxhetit.

Shembull sipas kushteve të përfitimit

Një ushtarak me vjetërsi shërbimi 25 vjet dhe me një pagë mesatare bruto 30 mijë lekë, sipas pikës 2 të nenit 14 të ligjit nr. 10142, në mbështetje dhe të vendimit të Kushtetueses, duhet të marrë një pension të parakohshëm të barabartë me 50 për qind për 15 vjet plus 2 për qind, e cila shumëzohet me dhjetë vjet të tjerë, 20 për qind (25 vjet -15 vjet = 10 vjet), e barabartë me 70 për qind të pagës mesatare bruto, çka do të thotë se 70 për qind herë 30 mijë do të japin 21 mijë lekë. Sipas aktit normativ, kjo shumë është e barabartë me 25 vjet vjetërsi shumëzim 1.5 për qind për çdo vit vjetërsi = 37.5 për qind herë 30.000 = 11.250 lekë

Pensioni i parakohshëm për ushtarakët aktivë

10 600 lekë në muaj për një toger që ka shërbyer 20 vjet

14 000 lekë në muaj për një kapiten që ka shërbyer 25 vjet

22 000 lekë në muaj për një kolonel që ka shërbyer 30 vjet

Paga referuese

37 % është shuma që i hiqet pagës mesatare referuese sipas aktit normativ

63 % e pagës mesatare referuese mbetet për të bërë llogaritjet për përfitimet

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›