Rritja ekonomike, poshtë normave historike
Rritja ekonomike e vendit këtë vit jetë poshtë normave të saj historike, e ndikuar nga niveli ende i ulët i kërkesës së brendshme dhe nga zhbalancimet në tregun e punës. Banka e Shqipërisë në një vlerësim të fundit për ecurinë e ekonomisë thekson se, sfidat me të cilat përballet ekonomia shqiptare dhe agjentët ekonomikë mbeten të mëdha. Ndonëse pozitiv, ritmi i rritjes ekonomike duket se është i pamjaftueshëm për të prodhuar një përmirësim të qenësishëm në tregun e punës dhe në uljen e papunësisë. Po kështu, qëndrueshmëria e rritjes ekonomike mbetet e brishtë në periudhën afatshkurtër. Mbështetja e saj në kërkesën e huaj dhe në rritjen e eksporteve mund të jetë e pamjaftueshme në kontekstin e perspektivës jo të konsoliduar të ekonomisë botërore. Gjithashtu, sipas BSH tkurrja e stimulit fiskal do të kërkojë një kontribut më të lartë të sektorit privat në rritjen ekonomike, duke nxjerrë në plan të parë sjelljen e konsumatorit dhe të biznesit shqiptar, si dhe duke theksuar rolin e kredisë bankare në financimin e tyre.