Nëntor, eksporti shënon 120 milionë euro
Gjatë muajit nëntor 2010 u eksportuan 14,2 miliardë lekë mallra, me ulje 1.5 për qind, në krahasim me muajin tetor 2010 dhe një rritje me 48.7 për qind, në krahasim me nëntor 2009. Instituti i Statistikës tregon se gjatë këtij muaji u importuan 41,7 miliardë lekë mallra me rritje 0.7 për qind në krahasim me muajin tetor 2010 dhe rritje 10.6 për qind në krahasim me nëntor 2009. Defiçiti tregtar i këtij muaji është 27,5 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 1.9 për qind, krahasuar me muajin paraardhës dhe një ulje prej 2.4 për qind, krahasuar me muajin nëntor 2009. Tregtia me vendet e BE është 66.3 për qind. Partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Me Italinë eksporti është 52.8 për qind dhe importi 30 për qind ndërsa me Greqinë, eksporti është 5.1 për qind dhe importi 12.2 për qind. Disa nga partnerët tanë tregtarë me të cilët eksporti dhe importi është rritur, janë për eksportin, Greqi, Itali, Kinë, Kroaci, SHBA, etj, dhe për importin, Austri, Greqi, Gjermani, Kinë, Kroaci, etj. Krahasimi me muajin paraardhës për disa nga grupmallrat tregon që: Eksporti i grupit “Ushqime, pije, duhan” u rrit 22.7 për qind, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” u rrit 9.4 për qind, “Prodhime druri dhe letre” u rrit 6.1 për qind, etj. Eksporti i grupit “Materiale ndërtimi dhe metale” u ul 18.3 për qind, etj. Importi i grupit “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” u rrit 9.9 për qind, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” u rrit 8.7 për qind, “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” u rrit 3.9 për qind, etj.