E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhet skema e llogaritjes së pensioneve të parakohshme

SHKRUAN: Jonida Tashi 29-12-2010 11:45

Zbardhet skema e llogaritjes së pensioneve të parakohshme për ish-ushtarakët. Ndonëse është kundërshtuar nga ish-ushtarakët, sipas aktit normativ, pensionet e parakohshme, përfshirë edhe ushtarakët që për shkak të pagës së ulët apo plotësimit të vjetërsisë në shërbim deri në nivelin minimal, nuk do të jenë më të ulëta se pensioni bazë, pavarësisht nga llogaritjet. Mbi këtë bazë do të llogariten të gjitha pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi të ushtarakëve, punonjësve të Policisë, Gardës etj., dhe që nuk do të kufizohen me dyfishin e pensionit bazë, pra me pensionin maksimal të pleqërisë, por çdo përfitues, për 15 vite shërbimi, do të përfitojë një pension sa 50 % e pagës referuese mesatare si dhe një shtesë 2 % në vit të pagës referuese, për çdo vit shërbimi mbi 15 vjet për meshkujt dhe mbi 12 vjet për femrat. Meqenëse një ushtarak mund të dalë në pension të parakohshëm në moshën 47 vjeç, mund të arrijë një vjetërsi shërbimi prej 27-28 vjetësh, pasi, sipas statuseve, edhe periudha e kryerjes së shkollës së lartë njihet si vjetërsi shërbimi. Mbi bazën e kësaj vjetërsie në shërbim si dhe duke marrë në parasysh pensionet aktuale mesatare të personave që kanë një periudhë kontributive mbi 35 vite, në këtë aktin normativ të qeverisë përcaktohet që, për çdo vit vjetërsie në shërbim, një ushtarak të marrë 1.5 % të pagës mesatare neto dhe kështu një ushtarak që ka një pagë në nivelin mesatar arrin të marrë një pension të parakohshëm që është afër në nivelet mesatare. Sipas aktit normativ, llogaritja e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, do të bëhet mbi pagën referuese neto të çastit, kur një përfitues përfiton pension. Në këtë mënyrë, përfitimi nga pensioni përllogaritet si pjesë e përfitimit faktik nga puna dhe teorikisht nuk mund të jetë më i madh se paga neto që një ushtarak apo punonjës policie merrte gjatë kohës që ishte në punë. Ndërsa sipas vendimit të nxjerrë nga qeveria para aktit normativ, për rillogaritjen e masës fillestare të pensionit të parakohshëm, si pagë mujore mesatare referuese më e fundit do të jetë: paga referuese e datës 1 janar 1999 (data e shtrirjes së efekteve financiare të ligjit nr. 8087, i ndryshuar) për ata persona, të cilët kanë dalë në rezervë/lirim para kësaj date dhe kanë përfituar pension të parakohshëm nga kjo datë e në vazhdim; paga referuese në datën kur ka lindur e drejta për të përfituar pension të parakohshëm, për ata persona të cilët kanë dalë në rezervë/lirim para datës 1 janar 1999, por kanë plotësuar kushtin e moshës pas kësaj date; paga referuese në datën kur ka lindur e drejta për të përfituar pension të parakohshëm, për ata persona të cilët kanë dalë në rezervë/lirim pas datës 1 janar 1999. Më konkretisht, paga mesatare referuese neto është paga e barabartë me pagën referuese mesatare, pasi i zbritet shuma e kontributit të sigurimit shoqëror, shëndetësor, tatimit mbi të ardhurat dhe kontributit suplementar sipas këtij ligji, të cilat mbahen nga paga. Bazuar në këtë pikë, paga mesatare referuese neto është paga e barabartë me pagën mesatare referuese, pasi i zbritet shuma e kontributit të sigurimit shoqëror (11.6 %), shëndetësor (10 %), tatimi mbi të ardhurat (10 %) dhe kontributin suplementar (5 %), të cilat mbahen nga paga. Sipas kësaj zbritjeje, pagës mesatare referuese i hiqet një shumë prej 37 % dhe kështu 63 % e pagës mesatare referuese mbetet për të bërë llogaritjet për përfitimet.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›