Lëndët e para, çmimet me rritje
Gjatë tremujorit të tretë të vitit, indekset kryesore të mallrave kanë shfaqur prirje rritëse
në terma vjetorë, ndërkohë që, në terma tremujorë, rritje të konsiderueshme ka regjistruar
vetëm indeksi i Çmimit të Ushqimeve, njofton banka e Shqipërisë në një raport të fundit për ecurinë e çmimeve në tregjet botërore dhe në tregun vendas. Indeksi i çmimit të Mallrave është rritur me 15.5 për qind, krahasuar me një vit më parë, ndërsa indeksi i Çmimit të Energjisë është rritur me 12.9 për qind në terma vjetorë. Indeksi i çmimit të Ushqimeve, i shtyrë nga kushtet jo të favorshme klimatike në Rusi dhe pritjet për rënie të ofertës në periudhën afatshkurtër, është rritur me 11.6 për qind. Në terma tremujorë, indeksi i çmimit të mallrave është rritur me 0.1 për qind, ai i çmimit të ushqimeve me 7.2 për qind, ndërsa indeksi i Çmimit të Energjisë është zvogëluar me rreth 3.2 për qind. Rritja e çmimeve të mallrave ushqimore është përcjellë edhe në tregun vendas, në kushtet kur prirja nënçmuese e kursit të këmbimit, megjithëse më e zbutur, vazhdon. inflacioni i kategorisë “Ushqime të përpunuara”, në tremujorin e tretë të këtij viti, regjistroi normën më të lartë të rritjes vjetore prej 4.4 për qind.