Datat e konkursit për Artet, Sportet dhe Arkitekturën
Zirina Llambro
Për t’u pranuar në Akademinë e Arteve, të Sporteve dhe degën e Arkitekturës konkursi do të jetë deciziv. Krahasuar me provimet e Maturës Shtetërore, pesha që do të zërë ky komponent është dy herë më e lartë. Për këto shkolla konkurset do të zhvillohen në korrik, sipas datave të caktuara nga Ministria e Arsimit. Në udhëzimin e saj të fundit, MASH publikon për secilën degë raportin specifik mes notave të maturës dhe konkursit. Në të janë përcaktuar tarifat e regjistrimit të cilat variojnë nga 4000-4500 lekë. Veç kësaj, MASH publikon edhe afatet e regjistrimit për plotësimin e formularit A2 dhe datat e konkurseve për çdo degë. “MASH vendosi t’i organizojë këto konkurse në korrik, në mënyrë që raundet e pranimeve në universitete, sipas sistemit Meritë-Preferencë (MeP), të përfundojnë më herët dhe brenda javës së parë të vitit akademik 2008-2009", sqaron zyra e shtypit. Sipas saj, konkurset janë shumë të rëndësishme për maturantët që do të pranohen në këto institucione, për shkak të profilit të veçantë të këtyre programeve, në bazën e të cilave qëndron talenti dhe përgatitja fizike.
Raporti maturë/konkurs
Sipas udhëzimit të MASH, në Akademinë e Arteve rezultatet e Maturës Shtetërore do të llogariten në masën 20% dhe rezultatet e konkursit të pranimit në masën 80%. Në bazë të propozimit të këtij institucioni, kandidati që nuk do të marrë 25% të pikëve të konkursit të pranimit nuk fiton të drejtën për të studiuar në programet e studimit të kësaj akademie për vitin akademik 2008-2009. Në Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi” në Tiranë dhe në programin e studimit “Edukim fizik dhe sporte” të universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës raporti mes provimeve të maturës dhe konkursit të pranimit do të jetë në masën 30% (Matura) me 70% (konkursi). Në programin e studimit “Arkitekturë” në Universitetin Politeknik të Tiranës ky raport i rezultateve do të jetë në masën 35% me 65%, ku përsëri peshën kryesore do ta ketë konkursi i IAL. Afati i regjistrimeve për të gjithë maturantët, që do të kërkojnë në formularin A2 këto programe studimi, do të jetë periudha nga data 1 deri në 18 korrik 2008, nga ora 09.00, deri në orën 17.00 pranë sekretarive të fakulteteve përkatëse. Udhëzimi parashikon gjithashtu që rektoratet dhe dekanatet e institucioneve publike të Arsimit të Lartë të shpallin në këndin e njoftimeve dhe në mjediset e dukshme të institucioneve të tyre: Datat dhe oraret e veprimeve të regjistrimit, procedurat përkatëse, listën e dokumenteve të nevojshme për të siguruar një ecuri normale të procesit të regjistrimeve në konkursin e pranimit, për ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë.
Datat e konkurseve
1. Akademia e Arteve
Për të gjitha programet e studimit në
a. Fakultetin e Muzikës 22-30 korrik 2008.
b. Fakultetin e Artit Skenik : 22-26 korrik 2008
c.Fakultetin e Arteve Figurative: 22-25 korrik 2008
2. Akademia e Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi”
Për të gjitha specialitetet: 22-27 korrik 2008
3. Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës
Për programin e studimit “Edukim fizik dhe sporte”: 28-31 korrik 2008
4. Universiteti Politeknik i Tiranës
Për programin e studimit “Arkitekturë”: 26 - 28 korrik 2008
Tarifat.
Në të gjitha programet e studimit në Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi”:
4 000 lekë
Në të gjitha programet e studimit në
Akademinë e Arteve:
4 500 lekë
Në programin e studimit “Edukim fizik dhe sporte” në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”:
4 000 lekë
Në programin e studimit “Arkitekturë” në Universitetin Politeknik të Tiranës:
4 500 lekë
Ndryshon ligji, anëtar akademie edhe pa titullin “Profesor”
Anëtarë të rregullt dhe të asociuar të Akademisë së Shkencave mund të bëhen jo vetëm shkencëtarët që kanë fituar titullin “Profesor”, por edhe ata që nuk e kanë ende këtë titull. Në këtë rast nuk bëhet fjalë për ata persona që kanë shtetësi shqiptare dhe punojnë në vend, por për punonjësit shkencorë që kanë emigruar jashtë. Ata për të qenë anëtarë të akademisë duhet të kenë gradën shkencore “Doktor” ose “Phd”. Siç dihet, “shumë pedagogë kanë emigruar jashtë vendit. Për rrjedhojë, shumë vende vënë si parakusht lënien e shtetësisë shqiptare për të përfituar shtetësinë e re. Për shkak të lënies së shtetësisë shqiptare shumë kandidatë të mundshëm për anëtarë nuk mund të kandidojnë, çka do të ishte në dëm të Akademisë së Shkencave”, thuhet në relacion. Pikërisht për të zgjidhur këtë problem, qeveria ka miratuar dje një ndryshim në nenin 6 të ligjit “Për Akademinë e Shkencave”. Meqë shumë shpejt do të zgjidhen anëtarët e rinj të Akademisë, Kryeministria i ka kërkuar të miratojë ndryshimin me procedurë të përshpejtuar. Ky ndryshim në ligj synon të krijojë hapësirën e nevojshme shkencëtarëve shqiptarë që punojnë në universitete dhe qendra kërkimore të vendeve të tjera, të cilët plotësojnë kriteret e ligjit për të konkurruar si anëtarë të Akademisë së Shkencave. “Të dhënat që ka programi “Brain Gain”, rezulton se shumë nga shkencëtarët shqiptarë që nuk kanë titullin profesor kanë një veprimtari të spikatur kërkimore e akademike në fusha të ndryshme të shkencës. Ata jo vetëm i përmbushin, por edhe i tejkalojnë kërkesat e vendimit përkatës për të fituar titullin “Profesor”. Por nuk e ka ende këtë titull pasi nuk e ka fituar ende një vend pune si profesor”, citohet në relacionin e qeverisë. Sipas saj, ky ndryshim është në përputhje edhe me strategjinë për thithjen e trurit dhe rritjen e angazhimit të diasporës intelektuale shqiptare në zhvillimin e arsimit të lartë.
Shtesa në nenin 6 të ligjit
Anëtarë të rregullt të Akademisë zgjidhen edhe nga radhët e shkencëtarëve të shquar shqiptarë, që nuk e kanë fituar titullin “Profesor” në Shqipëri, por kanë gradën shkencore “PhD” ose “Doktor”, që punojnë aktualisht pranë universiteteve dhe qendrave kërkimore jashtë vendit dhe kanë kontribute akademike, që tejkalojnë parashikimin e akteve ligjore e nënligjore në fuqi, për kërkimin e titullit “Profesor”.
Anëtarë të asociuar të Akademisë zgjidhen edhe nga radhët e shkencëtarëve shqiptarë, që nuk e kanë fituar titullin “Profesor” në Shqipëri, por kanë gradën shkencore, “PhD” ose “Doktor”, që punojnë aktualisht pranë universiteteve e qendrave kërkimore jashtë vendit dhe kanë kontribute akademike, që tejkalojnë parashikimet e akteve, ligjore e nënligjore në fuqi, për kërkimin e titullit “Profesor”.